fbpx

Fajtorët e përhershëm

Si gjithmonë, kur eskalon nacional-shovinizmi në Maqedoninë e Veriut, ai herrët a vonë do të drejtohet ndaj shqiptarëve. Edhe kësaj rradhe nuk kishte përjashtim. Protestat kundër Propozimit Francez lidhur me heqjen e vetos së Bullgarisë dhe fillimin e negociatave për anëtarësim të RMV në BE eskaluan, dhe pas gjithë vrerit të derdhur ndaj Bullgarisë dhe situatës së krijuar me veton e saj, në fund sërish fajtorë dolën shqiptarët. Sepse “shqiptarët e mallkuar” duhet të kuptojnë se “emri maqedonas nuk do të vdesë”. Kulmi i patetizmit histerik që gjithmonë përfundimin e ka te “dhomat e gazit për shqiptarët”.

Është e pabesueshme sa të ndjeshëm dhe të manipulueshëm nga propaganda janë njerëzit që jetojnë në këtë vend. Sa lehtë arritën t’i bindin bashkëqytetarët tanë maqedonas etnik se janë duke e humbur identitetin, se do të mbeten pa gjuhë dhe se vetëm sa nuk janë asimiluar nga Bullgaria. Me ditë të tëra intelektualë maqedonas flasin për rreziqet nga bullgarizimi që vinë me Propozimin Francez. Me ditë të tëra histerizohet çështja e identitetit të tyre, sikur ai të ishte zheton që do të humbet në një maqinë të prishur që në fund nuk do ta japë koka-kolën e premtuar me gjithë çmimin e paguar për atë zheton të mallkuar. Ende nuk arrij ta kuptoj si mundet që brenda disa ditësh të ngrihet gjithë kjo histeri dhe frikë nga asimilimi!? Si mund të ndikojë një shtet tjetër (Bullgaria) në atë se në çfarë gjuhe do të flasë dhe si do të ndihet kombëtarisht një komb i tërë që jeton në shtetin e vet, e që ky është shtet i pavarur, anëtar i NATO-s dhe në prag të hapjes së negociatave me UE-në? Si mund të besohet që identiteti i një kombi që jeton në shtetin e vet të pavarur dhe anëtar i NATO-s do të shkatërrohet nga një shtet tjetër sikur të ishte kullë prej letrash? Është e pabesueshme se në çfarë krejt do të besojë një popull që është i prirur të besojë në propagandë.

Sa i përket pjesës tjetër të tregimit, aty ku i njëjti popull sa herë që ngushtohet rrethi, është në gjendje që mllefin ta nxjerrë te bashkëqytetarët e etnisë tjetër, një gjë e tillë nuk është e pakuptueshme dhe as e papritur. “Shqiptarët e mallkuar” janë fajtorët kujdestarë për gjithçka që nuk shkon si duhet në Maqedoninë e Veriut. Për vite dhe dekada kjo ndijesi është krijuar dhe kultivuar tek breza të tërë të maqedonasve etnikë të cilët vazhdojnë të mendojnë se shteti është vetëm i tyre, se ata janë pronarët ndërsa të tjerët janë qiraxhinj. “Shqiptarët e mallkuar” janë fajtorë për trazirat në shtet, janë fajtorë për korrupsionin, janë fajtorë për luftën në 2001, janë fajtorë për Marrëveshjen e Ohrit, janë fajtorë për rrëzimin e Gruevskit, janë fajtorë për Marrëveshjen e Prespës, dhe tani janë më se fajtorë sepse në krye të procesit për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e bisedimeve me UE-në është një Ministër i punëve të jashtme që është shqiptar. Shqiptarët janë fajtorë gjithmonë dhe për gjithçka e veçanërisht për faktin se janë duke insistuar me dekada për anëtaerësim në NATO dhe në BE dhe tani janë shumë afër realizimit të qëllimeve të tyre. E në ndërkohë, thelbi i nacional-shovinizmit maqedonas nuk është i drejtuar vetëm kundër shqiptarëve të këtij vendi, por mbi të gjitha kundër vlerave evropiane dhe perëndimit. Një numër i konsiderueshëm i njerëzve në këtë vend, e veçanërisht ata më të zëshmit në protestat e fundit, janë të bindur se shteti duhet t’i ndërpresë menjëherë bisedimet për anëtarësim në UE dhe të drejtohet drejt vendeve aziate në krye me Rusinë, dhe mundësisht të dalë edhe nga NATO. Janë pikërisht këto struktura që tani mbjellin frikë dhe pasiguri përmes propagandës së tyre të palodhshme.

Sa më shumë që zgjat kjo gjendje aq më shumë do të eskalojnë konfliktet e bazuara në lajme të rreme dhe në propagandë trushpërlarëse. Duhet përmbyllur një herë e mirë ky proces. Le të fillojnë ato bisedime për anëtarësim në UE sa ka ende të tillë që besojnë në vlerat evropiane dhe janë të gatshëm të angazhohen për to.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button