Komiteti i Helsinkit dënoi dhunën dhe bëri thirrje për protesta paqësore

Komiteti i Helsinkit ka reaguar për protestat e dhunshme të ditës së djeshme. Ata përveç ngjarjeve të protestës së djeshme kundër propozimit francez, e cila u përshkallëzua me dhunë, shprehin shqetësim edhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes, duke dënuar çdo akt dhune dhe çdo gjuhë urrejtjeje, si dhe nxitjen dhe thirrjen për dhunë, si jashtëzakonisht të dëmshme dhe në kundërshtim me vlerat e një shoqërie demokratike, transmeton Portalb.mk.

“Komiteti mbështet gjithmonë të drejtën e çdo qytetari që dëshiron të shprehë mendimin e tij përmes një proteste paqësore, si një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Prandaj, bëjmë thirrje për tubime publike paqësore dhe dinjitoze të qytetarëve që protestojnë. U bëjmë thirrje punonjësve të policisë që të sigurojnë protestat me kujdesin e duhur, pa tejkaluar kompetencat e tyre, duke përdorur forcën proporcionale vetëm nëse është e nevojshme”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Nga ky komitet u bëjnë thirrje të gjithë politikanëve dhe personazheve publike që të kenë kujdes se çfarë gjuhe përdorin kur i drejtohen publikut dhe të informojnë qytetarët në mënyrë transparente, pa nxitur urrejtje dhe intolerancë. Gjithashtu, u bëjnë thirrje mediave që të kenë kujdes se si i përcjellin aktualitetin, duke u udhëhequr nga parimet e objektivitetit dhe paanshmërisë në raportim.

“Komiteti i Helsinkit po monitoron protestat dhe ngjarjet dhe do të reagojë në mënyrë të duhur ndaj çdo akti të dhunës nga çdo anë. Nëse komisioni në çdo moment konstaton përdorimin e forcës së tepruar nga policia, do të inicojë procedurë para institucioneve kompetente”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.

Ndryshe në protestat e mbrëmshme të zhvilluara para Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kuvendit janë lënduar 47 policë, 11 prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa dy me lëndime serioze janë shtruar në Klinikën e neurokirurgjisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button