Përfaqësuesi special gjerman për BP: Gjuha maqedonase dhe identiteti për Gjermaninë janë të qarta, por edhe me këtë propozim ruhen

Përfaqësuesi special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, thotë se gjuha dhe identiteti maqedonas për Gjermaninë janë të qarta, por edhe me propozimin francez për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, ato ruhen. Ai shtoi se i kupton kritikat për propozimin dhe e kupton se është e vështirë, por konsideron se nuk ka shumë kohë për të kryer punët e tjera dhe tani është koha për të hedhur hapin tjetër, transmeton Portalb.mk.

“Për mua është e rëndësishme që ky proces me Maqedoninë e Veriut të ndodhë, është në interes të Maqedonisë së Veriut, por edhe në interes të BE-së. Për mendimin tim, ky kompromis evropian është një mundësi. Dhe sinqerisht duhet të them se ka pasur disa propozime edhe më parë, dhe kur e pashë atë që ishte shkruar në dokumentin e fundit, u habita, sepse pashë se ishte një kompromis që kishte parasysh kërkesat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Një kompromis nuk është kurrë perfekt, mendoj se të gjitha palët e shohin kështu, por ky parashikon që procesi i negociatave të fillojë menjëherë pas pranimit të tij pa vonesa dhe bllokime të mëtejshme”, tha Sarazin në konferencën e përbashkët për shtyp me zv. kryeministrin për eurointegrime Bojan Mariçiq sot në Shkup.

“Mund ta kuptoj që ka kritika për këtë propozim, kuptoj që është e vështirë. Gjuha maqedonase dhe identiteti për Gjermaninë janë të qarta, por edhe me këtë propozim ruhen. Kam një ndjenjë, isha personalisht në Sofje, nuk ka shumë kohë për të marrë gjëra të tjera, tani është momenti për të hedhur hapin tjetër”, shtoi Sarazin.

Ai tha se nuk mund të premtojë se cili do të jetë rezultati i proceseve në Bullgari, por diçka duhet bërë tani për tu siguruar për periudha më të pasigurta.

“Do të ketë një proces të vërtetë negocimi. Nuk mund të premtoj se cili do të jetë rezultati i proceseve në Bullgari, por ju duhet të bëni diçka tani për të siguruar veten për periudha më të pasigurta. Ajo dritare mund të mbyllet nesër. Gjermania dhe BE-ja do të bëjnë gjithçka për të hapur rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së përmes një procedure, por pa procedurë kjo rrugë nuk është e hapur”, tha Sarazin.

Propozimi francez në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button