Janë arrestuar 11 protestues për dhunën e djeshme në protestën antievropiane

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, pas vizitës së policëve të lënduar në klinikën “Nënë Tereza” në Shkup, tha se kanë informacione se një grup i caktuar po përgatit koktej molotovi për protestat e paralajmëruara sonte, ndërsa për përshkallëzimin e mbrëmshëm tha se sulmi ndaj zyrtarëve dhe institucioneve nuk është demokraci, por vandalizëm dhe dhunë. Skenat e mbrëmshme ai i krahasoi me sulmin në Kuvend më 27 Prillin e famshëm, transmeton Portalb.mk.

“Kjo lloj dhune e organizuar, është rast që ka ndodhur më 27 prill, 30 persona kanë bërë gjithë rrëmujën dhe kanë shkaktuar sulme ndaj institucioneve dhe sulme ndaj zyrtarëve të policisë. Sigurisht se qëndrimi profesional i policisë së Maqedonisë shihet në faktin se është intervenuar vetëm ndaj atyre që kanë kryer sulme fizike dhe dëme materiale”, tha Spasovski.

Spasovski tha se në mesin e 11 të arrestuarve janë edhe dy të mitur dhe tha se kushdo që godet një polic apo ndonjë objekt jetësor do të sanksionohet ashpër. Ai u bëri thirrje edhe partive politike që organizojnë protestën që të bëjnë thirrje për t’i dhënë fund dhunës.

“Ata që duan të protestojnë, të mos manipulohen, çdo sulm ndaj një zyrtari dhe një objekti jetik do të ndëshkohet rëndë. Protesta është e drejtë demokratike dhe partitë mund të organizohen, por nuk guxon të organizohet dhuna dhe rrënimi i shtetit dhe rendit kushtetues”, tha Spasovski.

Sot në mëngjes Spasovski, së bashku me pjesëtarët e MPB-së dhe BSP-së, kanë vizituar policët e lënduar në Repartin e neurokirurgjisë, ku ndodhen dy zyrtarë me lëndime të rënda. Me lëndime më të rënda janë edhe 11 policë, ndërsa pjesa tjetër pas ndihmës mjekësore janë liruar për mjekim shtëpiak.

Ndryshe, për sonte janë paraparë protesta të reja me moton “Ultimatum, jo ​​faleminderit” kundër propozimit francez. Sipas njoftimeve, demonstruesit do të ndjekin të njëjtën rrugë si dje, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestave paqësore, siç thonë ata, pa të infiltruar policorë dhe që protesta të jetë masive dhe dinjitoze.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button