Dhjetë muaj pas tragjedisë së zjarrit në Tetovë, objekti i djegur i spitalit modular ende nuk është larguar

Kanë kaluar gati dhjetë muaj nga tragjedia e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, ndërsa objekti i djegur nuk është larguar. Kjo për qytetarët, veç tjerash paraqet shqetësim pasi ua kujton natën tragjike. Autoritetet e shëndetësisë për Portalb.mk thonë se janë në procedura përfundimtare, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët kërkojnë që ky objekt të largohet nga aty sa më parë dhe të pastrohet terreni nga mbetjet, pasi për ta ngjall kujtime të dhimbshme.

“Si nuk na pengon, na pengon shume. Çdo ditë shohim këtë pamje, na kujton atë natën e keqe ku u dogjën njerëzit brenda. Duhet të largohet nga aty, bilës prej moti u desh të bëhet”- tha një banor që jeton përballë spitalit të djegur.

“Mendoj se duhet të hiqet. Por deri sa askush nuk është shpallur fajtor, le të qëndrojë të u kujtojë institucioneve të sjellin përfundimin e këtij rasti për të cilin të gjithë jemi duke e pritur gati një vit”- tha një qytetare.

“Me sa e di unë, hulumtimet kanë mbaruar, andaj nuk shoh arsye pse duhet të qëndroj aty vetëm të ju kthej dhimbjen familjarëve të cilët humbën të dashurit e tyre”- tha një qytetar.

Spital Modular në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Spital Modular në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nga Spitali i Tetovës për Portalb.mk thonë se janë në fazat dhe proceduat e fundit dhe se së shpejti do të ketë informacion.

“Për momentin nuk mund të japim detaje konkrete. Brenda një-dy javësh do jetë më e qartë”, njoftuan nga Spitali i Tetovës.

Të njëjtën e thonë edhe nga Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk.

“Për momentin procedurat teknike janë në fazën përfundimtare nga Spitali Klinik i Tetovës, pas së cilës në periudhën e ardhshme do të jepen informacione më të detajuara për aspektet konkrete”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, Prokuroria thotë se nga ana e tyre autoritetet shëndetësore kanë marrë pëlqimin se mund t’i largojnë mbetjet.

“Prokuroria Themelore Publike Tetovë, pas konstatimit të plotë të fakteve në rastin, i ka dhënë pëlqimin ISHP Spitalit Klinik – Tetovë dhe Ministrisë së Shëndetësisë se nëse e gjykojnë të nevojshme, për largimin e mbetjeve të spitalit modular të djegur”, thanë nga Prokuroria.

Ende nuk ka vendim nga ana e Prokurorisë se kush dhe si do të thirret në përgjegjësi penale për zjarrin në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona. Prokuroria thekson se përgatitja e vendimit për përgjegjësinë penalo-juridike nga grupi i prokurorëve që po punon për këtë rast është në fazën përfundimtare.

Ndërkaq shumë pyetje për rastin e zjarrit ende janë pa përgjigje.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button