Kovaçevski: Zjarrvënës të protestave, mos i manipuloni të rinjtë për të kënaqur oreksin tuaj

Pas përshkallëzimit të mbrëmshëm të protestave kundër propozimit francez, kryeministri Dimitar Kovaçevski mëngjesin e sotëm dënoi sulmin ndaj policisë duke thënë se dhuna dhe urrejtja nuk janë zgjidhje. Zjarrvënësit e protestave, siç thotë ai, i porosit të mos manipulojnë të rinjtë për të kënaqur orekset e tyre politike, transmeton Portalb.mk.

Sipas kryeministrit, ajo që ndodhi mbrëmë para Kuvendit nuk është fytyra e vërtetë e Republikës evropiane të Maqedonisë së Veriut, vend anëtar i NATO-s.

“Protestat janë një e drejtë demokratike e çdo qytetari, por dhuna nuk mund të justifikohet me asgjë. Dënoj ashpër sulmin ndaj policisë, e cila mbrëmë ishte në krye të detyrës, duke mbrojtur me profesionalizëm qytetarët dhe institucionet shtetërore. Dhuna dhe urrejtja nuk janë dhe nuk mund të jenë zgjidhje për asnjë problem. Unë do t’u them zjarrvënësve të protestave – mos manipuloni dhe abuzoni me të rinjtë për të kënaqur orekset tuaja politike. Skenari juaj mbrëmë rezultoi në mbi 40 policë të plagosur dhe dhjetra të arrestuar. 27 Prilli nuk do të përsëritet!”, thotë Kovaçevski.

Sipas informacioneve zyrtare që Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur mbrëmë lidhur me protestat, janë lënduar 47 zyrtarë, prej tyre 11 me lëndime më të rënda dhe dy me lëndime serioze. Policëve të lënduar iu është dhënë ndihmë mjekësore, ndërsa të lënduarit më rëndë janë dërguar në spital për kurimin e lëndimeve dhe trajtim të mëtejmë.

Policia i dëboi dhe i shtyri demonstruesit drejt parku “Gruaja luftëtare”, të cilët paraprakisht e rrëzuan barrikadën para Kuvendit dhe hodhën me gjësende drejt policisë dhe godinës së Kuvendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button