Targetimi i Abazoviqit si ‘shqiptar’, për shkak të kontratës me Kishën Serbe

Fakti që kryeministri Dritan Abazoviq do të nënshkruajë Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe mund të jetë problem për disa rryma ekstreme nacionale, të cilat e shohin atë si një mënyrë për të mohuar këtë proces, sepse është duke e nënshkruar një shqiptar në emër të shtetit të Malit të Zi – tha për Radion Evropa e Lirë profesori i Historisë, Sherbo Rastoder, raporton REL.

Ditëve të fundit në Mal të Zi është hapur një polemikë e ashpër nëse kryeministri Abazoviq, si shqiptar etnik, duhet të nënshkruajë Marrëveshjen Themelore, për të cilën nuk ka konsensus në vend, veçanërisht në mesin e partive që mbështesin Qeverinë.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd më 30 qershor, kryeministri Abazoviq njoftoi se së shpejti do të nënshkruhet Marrëveshja Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Në të njëjtën kohë, Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, bëri të ditur se teksti i Marrëveshjes Themelore është dakorduar me Qeverinë e Malit të Zi.

Marrëveshja, për të cilën është rënë dakord u dënua ashpër nga disa parti dhe organizatat kombëtare malazeze, duke gjykuar se Kisha në Mal të Zi njeh një subjektivitet më të gjatë për gjashtë shekuj se ai që ka kisha në Serbi, ku ajo është e bazuar, dhe se kjo është tradhti ndaj interesave kombëtare malazeze dhe kapitullim i shtetit para Kishës Ortodokse Serbe.

Duke komentuar faktin se kundërshtarët e kontratës, krahas sulmeve politike ndaj kryeministrit Abazoviq, theksojnë edhe kombësinë e tij, profesor Rastoder vlerëson se “Abazoviqi nuk do ta nënshkruajë kontratën si shqiptar kombëtar, por si kryeministër i shtetit të Malit të Zi”.

Abazoviqi nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kritikave të fundit, por në një njoftim të 3 korrikut në Twitter, i cili kishte të bënte me aktivitetet ekonomike, theksoi se “përderisa disa ende po përhapin nacionalizmin, ne jemi duke u marrë me turizmin”.

Më i ashpër me kritika ishte kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Pavarur të Malit të Zi, Milorad Popoviq, i cili propozimin e Marrëveshjes Themelore e vlerësoi si perandorak dhe akuzoi përfaqësuesit politikë shqiptarë në Mal të Zi për aleancë me ideologët serbë të mëdhenj.

“Është paturpësi dhe cinizëm i paparë që Dritan Abazoviq dhe Fatmir Gjeka vendosin për fatin e trashëgimisë shpirtërore malazeze, së bashku me Aleksandar Vuçiqin [presidentin e Serbisë], Porfirin. Këta përfaqësues politikë të shqiptarëve në Mal të Zi sot inkurajojnë – ose bëjnë sikur janë injorantë – persekutimin e malazezëve kombëtarë, i cili është shumë i ngjashëm me diskriminimin ndaj shqiptarëve në vitet 1990”, tha Popoviq.

Fatmir Gjeka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe anëtar i grupit punues të Qeverisë për harmonizimin e Marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.
Lidhur me këtë, reagoi kreu i Alternativës Shqiptare dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili ka akuzuar Milorad Popoviqin se avokon për përjashtimin e shqiptarëve nga vendimmarrja.

“Shqiptarët ju përkrahën që të kishit Kishën Ortodokse Malazeze, nuk deshët. Eurot ishin më të rëndësishme për ju, tani po qani dhe po vini në shënjestër shqiptarët, shumë i ulët dhe jomorale”, ka shkruar Gjeloshaj në Facebook.

Shkrimtari Andrej Nikolaidis, në një rubrikë për portalin malazez CDM me titull “Marrëveshja Themelore nuk duhet të shkaktojë as edhe një pikë urrejtje ndaj shqiptarëve”, paralajmëroi se është e nevojshme të parandalohet drejtimi i zemërimit publik ndaj pakicës kombëtare shqiptare për shkak të nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore.

Aktivisti civil nga Iniciativa Qytetare 21 Maj, Aleksandar Sasha Zekoviq, i cili është një nga organizatorët e protestës antiqeveritare të 30 qershorit, për shkak të synimit të kryeministrit Abazoviq për të nënshkruar Marrëveshjen Themelore, për REL-in vlerëson se rezistenca politike ndaj Qeverisë nuk mund të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike, veçanërisht me shqiptarët.

“Ekziston një përpjekje e dukshme nga disa struktura të afërta me Qeverinë që çdo kritikë ndaj kryeministrit Abazoviq ta paraqesin si një lloj nacionalizmi dhe intolerance ndaj popullit shqiptar. Një qasje e tillë nuk është e bazuar”, thotë Zekoviq.
Ai shton se shoqëria malazeze për herë të parë ka një “Rrahman Morinë” [ish- politikan shqiptar nga Kosova që ka mbështetur politikën e Sllobodan Millosheviqit, ish-president i Republikës Federale të Jugosllavisë].

“Kemi politikanë që vijnë nga populli shqiptar, të cilët nuk bazohen në solidaritetin shekullor mes popullit malazez dhe shqiptar, por deklarata e tyre është në vijën e politikës serbe të madhe”.

Profesori Sherbo Rastoder beson se ngjarjet e fundit nuk mund t’i prishin marrëdhëniet malazeze-shqiptare, as se ekziston mundësia e shembjes së harmonisë ndëretnike.

“Ne kemi pasur sprova shumë më të mëdha në 30 vjetët e fundit. Ato marrëdhënie bazohen në diçka që e ka vetëm Mali i Zi. Është një moral i veçantë qytetar, i cili dallohet nga retorika politike ditore dhe patetika kombëtare”, thekson ai.

Për profesorin Rastoder, çështja nuk është se kush do ta nënshkruajë marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe, por cila do të jetë përmbajtja e kontratës. Ai, gjithashtu, tregon se vetë emri i kontratës është i kontestuar.

“A duhet të quhet ajo kontratë Themelore, e cila i jep kishës atributin e përdoruesit ekskluziv të të drejtave fetare në Mal të Zi? Ka mendime të bazuara dhe të ekspertëve se vetë formulimi ‘themelore’ e veçon kishën nga komunitetet e tjera fetare”, është mendimi i Rastoderit.

Partia opozitare pro-ruse, Fronti Demokratik (DF) dhe Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP) në pushtet mbështesin plotësisht nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, sepse siç thanë ata – gjithçka që është e pranueshme për kishën, është e pranueshme për ta.

Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate (SDP), e cila ka dy ministra në Qeverinë e Abazoviqit, kërcënon me rrëzimin e Qeverisë nëse nënshkruhet kjo marrëveshje.

Edhe pse presidenti i vendit, Milo Gjukanoviq, deklaroi se çështja e marrëveshjes nuk është më e rëndësishmja për Malin e Zi dhe se tensionet duhet të zvogëlohen, deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), lider i së cilës është Gjukanoviqi, pretendojnë se marrëveshja përmban falsifikime historike dhe se ajo e klasifikon trashëgiminë fetare dhe kulturore malazeze si serbe.

Qeveria pakicë e Dritan Abazoviqit u zgjodh me votat e DPS-së, e cila edhe pse nuk është në Qeveri, siguron mbështetje parlamentare.

Pas publikimit të versionit të dakorduar të punës të Marrëveshjes Themelore, më shumë se 3000 qytetarë nënshkruan një peticion, duke kundërshtuar fuqishëm synimin e Qeverisë së Malit të Zi për të nënshkruar Marrëveshjen Themelore të dakorduar me Kishën Ortodokse Serbe.

Protesta e dytë civile para selisë së Qeverisë në Podgoricë kundër nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe është mbajtur më 4 korrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button