Vanhojte me letër të hapur qytetarëve të Maqedonisë së Veriut

Përparim serioz në Maqedoninë e Veriut është i mundur falë propozimit francez. Bullgaria do të respektojë të drejtat themelore të maqedonasve si identiteti, gjuha dhe kultura, kurse në këmbim vendi juaj më në fund do të jetë në gjendje të fillojë procesin e anëtarësimit në BE, ka porositur diplomati belg Peter Vanhojte në një letër të hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në Facebook, raporton 360 shkallë, përcjell Portalb.mk.

Sipas Vanhojte, ky propozim mundëson që më në fund procesi i anëtarësimit në BE të fillojë.

“BE është e ardhmja juaj. BE do të hapë shumë mundësi për zhvillimin tuaj ekonomik, për të ardhmen tuaj dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj. Prandaj, mos kini frikë të bëni zgjedhjen e duhur, por angazhohuni aktivisht në procesin e anëtarësimit. E kuptoj zhurmën nacionaliste të disa partive politike. Si opozitë, roli i tyre është të kundërshtojnë – dhe le të jemi të qartë, është gjithmonë më e lehtë të kundërshtosh një vendim të qeverisë sesa të pajtohesh me të dhe ta mbështesësh atë”, shkruan Vanhojte.

Ai porosit që “të mos mbyllemi në të shkuarën”, dhe të zgjedhim prioritetet e duhura për të ardhmen tonë.

“Tani le të fokusohemi tek integrimi i vendit tuaj në BE dhe si të gjithë do të përfitojmë nga kjo. Le të zgjedhim prioritetet e vërteta për të ardhmen tonë. Dhe për opozitën nacionaliste – sot Maqedonia e Veriut është një shtet i vërtetë kombëtar, me një kulturë specifike, me historinë e vet dhe me gjuhë dhe bashkësi zyrtare të njohura. Mos u mbyllni në të kaluarën, por përfshihuni në të ardhmen e përbashkët. Ju e meritoni një ditë anëtare të bëheni e BE-së, dera është e hapur, prandaj ju lutem, urdhëroni”, shton Vanhojte.

Lidhur me çështjet tjera me Bullgarinë, ai thekson se bisedimet duhet të vazhdojnë për të gjetur zgjidhje.

“Ndërsa për çështjet e mbetura mes vendit tuaj dhe Bullgarisë, nëse ka problem, ka edhe zgjidhje. Vazhdoni të flisni me njëri-tjetrin për të rënë dakord për zgjidhjet dhe rrugën përpara. Qeveria juaj ka shumë ministra kompetentë që do të vazhdojnë t’u shërbejnë interesave tuaja. Jam i bindur se ata do t’ia dalin dhe do të angazhohen aktivisht në integrimin në BE, së bashku me Komisionin e BE-së dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së”, shton Vanhojte.

Propozimi francez në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button