Pendarovski – Michel: Pranimi i propozimit francez do të mundësojë hapjen e fazës së parë të negociatave

Presidenti Stevo Pendarovski sot u takua me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili ndodhet për vizitë njëditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, sfidat në lidhje me perspektivat evropiane të vendit dhe propozimin e BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Presidenti Pendarovski e përshëndeti vizitën e Michelit, duke e cilësuar si tregues të përkushtimit të Bashkimit Evropian dhe informoi për rrjedhën e procesit të gjerë të konsultimit që po zhvillohet në lidhje me propozimin francez, si dhe për atmosferën në shoqërinë tonë për këtë çështje.

Të dy presidentët ranë dakord se pranimi i propozimit francez do të mundësojë hapjen e fazës së parë të negociatave të anëtarësimit, e cila do të zhbllokojë de facto integrimin e vendit tonë në BE. Përveç kësaj, hapja e fazës së parë do të paraqesë nxitje të mëtejshme për përparimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut, por do të ketë një ndikim pozitiv edhe në situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime në kontekst të shqetësimeve të qytetarëve për çështje identitare, për çka presidenti Pendarovski theksoi se gjuha dhe identiteti maqedonas duhet të respektohen dhe garantohen nga BE-ja.

Propozimi francez në vend mbërriti më 30 qershor, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button