Edhe pse me vonesë, Agjencia për Rini dhe Sport i dorëzoi sot Komunës së Tetovës pishinën e mbyllur (VIDEO)

Tetova sot zyrtarisht u bë me pishinë të mbyllur për nxënësit e shkollave fillore. Komuna e Tetovës sot pranoi objektin nga Agjencia për Rini dhe Sport (ARS). Pishina filloi të ndërtohet në shkurt të vitit 2020 ndërsa duhej të ishte gati për 18 muaj, por në këtë drejtim pati vonesa. Nga ana tjetër, autoritetet premtojnë edhe investime të tjera për sa i përket këtij objekti dhe jo vetëm, shkruan Portalb.mk.

Nga 14 pishina në vend për shkollat, Tetova është qyteti i parë në të cilin ka përfunduar pishina dhe ku komuna e pranoi objektin sot zyrtarisht.

Ndërkaq ka pasur vonesa në disa procedura për shkak të krizës me Covid-19.

Në lokacionet tjera, siç informoi drejtori i ARS-së, Naumçe Mojsovski do të bëhen periudhën në vijim.

“Shpresoj që fëmijët, sportistët ta përdorin në maksimum. Kemi projekte për ndërtimin e paneleve të energjisë elektrike, pasi çmimet e energjisë elektrike janë rritur. Shpresoj që projekti të reduktojë blerjen e energjisë elektrike”, tha Mojsovski.

Naumçe Mojsovski
Naumçe Mojsovski

Nga ana tjetër, sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit ky është projekt që tregon se me bashkëpunim të mirë me një komunikim të mirë të pushtetit lokal me pushtetin qendror mund të realizohen projekte që janë në interes të qytetarëve.

“Objekti do të jetë në shërbim të nxënësve të Tetovës nga shkollat fillore ku ata do të marrin mësimet e para përgatitore për not dhe sportet e tjera ujore. Është një projekt që edhe pse ndoshta nuk i plotëson nevojat e Tetovës por si për fillim është projekt që do të nis përgatitjen e fëmijëve për sportet ujore”, tha Kasami.

Bilall Kasami
Bilall Kasami

Ai shtoi se Komuna ka përgatitur edhe projekt shtesë për rrethimin e objektit për sigurimin e kapaciteteve shtesë.

Me këtë objekt do të menaxhojë sektori për veprimtari publike në komunë ndërkaq nga shtatori pritet që nxënësit ta shfrytëzojnë pishinën.

Pishina kap vlerën prej 43 milionë denarëve, para nga Agjencia. Objekti ka dimensione 20×30 m me një sipërfaqe prej 600 m2 e cila përmban: Aneks me dhomat e zhveshjes për djem dhe vajza, tualete dhe dushe. Dhomë makinerie në të cilën ndodhen pajisjet hidro- termale të makinerisë. Shtrati i pishinës është me gjatësi 25 m, gjerësi 9 m dhe thellësi nga 0.80 m në 1.20 m. Ndërsa shtrati i pishinës është bërë me teknologjinë më të fundit të çelikut inox të petëzuar me membranë të fortë PVC.

Pishina e mbyllur në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Pishina e mbyllur në Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndryshe, Kasami dhe Mojsovski njoftuan se po punohet në drejtim të një shteg për atletikë dhe një fushë multifunksionale edhe për sporte tjera, te lokacioni afër qendrës sportive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button