Hulumtim: Të rinjtë nuk janë prioritet i kryetarëve të rajonit të Pollogut, nuk i përmbushin as obligimet ligjore

Të rinjtë u shfaqën si një ndër prioritetet kryesore i të gjithë kandidatëve për kryetar komune të rajonit të pollogut gjatë zgjedhjeve të fundit. Megjithatë, hulumtimi i gazetarit Ardit Ramadani tregon që asnjë komunë e këtij rajoni nuk ka përmbushur tërësisht obligimet që rrjedhin nga Ligji për të Rinjtë – Ramadani kishte hulumtuar implementimin e këtij ligji në komunën e Tetovës, Gostivarit, Bogovinës, Vrapçishtit, Tearcës dhe Zhelinës dhe rezultoi që shumica prej tyre, nuk kishin përmbushur as edhe një obligim të këtij ligji, i cili ishte dizajnar për të përmirësuar jetët e të rinjve dhe përfshirjen e tyre në vendimmarje, shkruan Portalb.mk.

Më 14 janar të vitit 2020 në parlamentin e RMV-së, duke mos u kundërshtuar nga asnjë parti politike u miratua Ligji për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore. Ligj ky, i cili përveç institucioneve shtetërore “mveshi” me një sërë obligimesh të gjitha komunat e vendit.

Këto janë disa nga detyrimet që ky ligj ua mvesh komunave të vendit:

  • Hapja e një Qendre për të Rinj, (neni 22), ku përgatiten dhe zbatohen programe të cilat kanë për synim përmirësimin e mirëqenies së të rinjve, zhvillimin e jetës personale, sociale dhe profesionale të tyre.
  • Formimin e Këshillit Rinor Lokal (neni 16) „ i cili do funksiononte si organ i komunës i përbërë nga përfaqësues të rinj të formave të ndryshme të organizimit në Komunë, të cilët kanë rol këshillues dhe avokues për çështjet me interes të të rinjve në vetëqeverisjen lokale.
  • Hapjen e një Zyre Rinore, (neni 21), ku të gjithë të rinjtë nga komuna mund të drejtohen dhe të informohen për çështjet që kanë të bëjnë me rininë ndërkaq janë në kompetencë të komunës.
  • Përcaktimin e një nënpunësi që do merret vetëm me të rinjtë, (neni 23) dhe do të ishte përgjegjës për punën e Zyrës për të rinjtë, si dhe për koordinimin, zbatimin dhe monitorimin e çështjeve me interes për të rinjtë.
  • Krijimin e një Strategjie Rinore Lokale, (neni 20) „ I cili do përcaktonte synimet dhe prioritetet afatmesme për zhvillimin e politikave rinore dhe promovimin e interesave rinore në nivel vendor.
  • Të ndajnë më së paku 0,1% buxhet vjetor për të rinjtë (neni 25).

Këto janë të dhënat e hulumtimit të gazetarit Ardit Ramadani:

komunën e Tetovës ka gjithsej 84,770 banorë prej të cilëve sipas regjistrimit të fundit të popullsisë 17,487 janë të rinj, gjegjësisht të moshës nga 15 deri në 29 vjeçe. Rezultatet e hulumtimit tregojnë që përkundër obligimeve ligjore të lartëpërmendura:

  • Komuna e Tetovës nuk ka të hapur një Qendër Rinore
  • Komuna e Tetovës nuk ka themeluar Këshillin Rinor Lokal
  • Sipas hulumtimit tonë, rezulton që komuna e Tetovës ka të përcaktuar një zyrë rinore ndërkaq nëpunës rinor, megjithatë, e-maili i këtij nëpunësi rinor është jo-funksional kurse askund në ueb-faqen e komunës nuk mund të shihet se ku duhet të drejtohen të rinjtë për ta kontaktuar atë.
  • Komuna e Tetovës nuk ka të përpiluar Strategji Rinore Lokale
  • Si dhe kjo komunë nuk e përmbush as obligimin e fundit të Ligjit për Pjesëmarrje Rinore, që është ndarja e 0,1% e buxhetit vjetor për të rinjtë.

Sipas kësaj, mund të thuhet se komuna e Tetovës nuk ka përmbushur pjesën më të madhe të obligimeve ligjore që rrjedhin nga Ligji për Pjesëmarrje Rinore dhe për udhëheqësinë komunale, dukshëm rinia nuk është një ndër prioritetet!

komunën e Gostivarit ka 11,610 janë të rinj. Rezultatet e hulumtimit tregojnë që:

  • Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare ka hapur 3 qendra rinore. Megjithatë, duhet theksuar se këto qendra nuk janë hapur sipas standardeve të Ligjit për Pjesëmarrje Rinore dhe kështu ata nuk njihen si të tilla nga institucionet shtetërore.
  • Komuna e Gostivarit nuk ka të themeluar Këshill Rinor Lokal
  • Në këtë komunë nuk ka një zyrë rinore e as nëpunës rinor
  • Komuna e Gostivarit nuk ka përpiluar strategji lokale rinore
  • Komuna e Gostivarit nuk përcakton buxhet vjetor prej 0,1% për të rinjtë, ashtu siç thotë ligji për pjesëmarrje rinore.

Pra, edhe komuna e dytë sipas numrit të të rinjve në rajonin e pollogut nuk qëndron mirë në raport me të rinjtë.

komunën e Bogovinës nga ana tjetër, banojnë gjithsej 4,843 persona të rinj, kështu flasin rezultatet e hulumtimit tonë sa i përket kësaj komune,

  • Komuna e Bogovinës poashtu nuk ka Qendër Rinore
  • Komuna e Bogovinës është e vetmja komunë në rajonin e pollogut që ka të themeluar Këshill Rinor Lokal
  • Në komunën e Bogovinës së fundmi u ndryshua kryetari i komunës. Edhe pse nga administrata e re na thanë se nuk kanë zyrë rinore e as nënpunës rinor, hulumtimi jonë rezulton se në këtë komunë ka të përcaktuar një zyrë për të rinjtë si dhe nëpunës rinor – kështu, na konfirmuan edhe nga Agjencia për Rini dhe Sport. Herën tjetër kryetar, informohu para se të ju përgjigjeni gazetarëve.
  • Komuna e Bogovinës nuk ka themeluar Strategji Rinore Lokale
  • Përkundër obligimit ligjor, nga kjo komunë nuk ndajnë buxhet vjetor për të rinjtë.

Komunat urbane si Tetova dhe Gostivari mund të marrin mësim nga një komunë rurale si ajo e Bogovinës sa i përket formimit të këshillit rinor lokal – edhe pse, duhet thënë se kjo komunë ngec në përmbushjen e obligimeve tjera ligjore për të rinjtë.

komunën e Tearcës ka 3,231 janë të rinj, gjegjësisht të moshës nga 15 deri në 29 vjeçe,

  • Në këtë komunë nuk ka Qendër Rinore
  • Nuk ka Këshill Rinor Lokal
  • Nuk ka zyrë e as nëpunës rinor
  • Komuna e Tearcës ka të përpiluar strategji rinore lokale
  • Nuk ndanë buxhet vjetor prej 0,1% për të rinjtë.

Edhe pse në komunën e Vrapçishtit banojnë 3,963 të rinj kurse në komunën e Zhelinës 4,355 – këto komuna nuk kanë përmbushur asnjë olbigim ligjor nga Ligji për Pjesëmarrje Rinore. Kështu, duke rrezikuar që numri poashtu i vogël i të rinjve në këto komuna, të pakësohet edhe më shumë.

Kompetentët arsyetohen, premtojnë dhe relativizojnë

Përkundër hulumtimit tonë, Taravari nuk do të ia dije për hapjen e një qendre rinore e cila do t’i përmbushte standardet e Ligjit për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore. Sipas tij, këto nuk janë standardet e ligjit, por të Kovaçevskit dhe Zaev.

Arben Taravari
Arben Taravari

“E dini, ne jemi parti opozitare, komunë opozitare dhe çdo gjë që bëjmë ne nuk është mirë. Po për mua nuk është matës se çfarë thotë këshilltari i Zaev apo Kovaçevskit, kjo aspak nuk është matës. Për mua është shumë me rëndësi se këto tre qendra rinore, nuk e di se a i përmbushin standardet e Zaevit dhe Kovaçevskit por e di që i përmbushim standardet ndërkombëtare dhe për mua matës kryesor është se sa frekuentohen këto qndra rinore dhe kush janë ata të cilët na kanë përkrahë për hapjen e këtyre qendrave rinore. E dini se të tre qendrat rinore frekuentohen, njëra bile iCan punon 24 orë, dhe në qoftë se shkoni te të trejat, edhe neë YCC edhe në CoWork edhe në iCan do të shihni që atje ka vazhdimist të rinj të cilët organizojnë takime, seminare, punëtori dhe evente të ndryshme të cilat janë në interes të të rinjve kurse standardet e Kovaçevskit të ua lë atyre ta bëjnë në ndpnjë komunë tjetër, në qoftë se nuk janë sipas standardeve të ligjit të Kovaçevskit dhe Zaevit atëherë të tregojnë se ku ka sipas standardeve të atyre në Maqedoni qendra rinore dhe në qoftë se ka të atilla, që i përmbushin standardet e atyre, ju garantoj që ata janë të mbyllura, jo-funksionale dhe jo të vizituara nga të rinjtë.” deklaroi Arben Taravari.

Rikujtojmë që përveç qendrës rinore, Gostivari nuk kishte përmbushur asnjë obligim tjetër të Ligjit për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore, Taravari premtoi që të gjithaa këto obligime do të përmbushen në shtator.

“Këshill Rinor në komunën e Gostivarit fatkeqësith prej kohës së pandemisë nuk funksionon, ju e dini në vitin 2020 u shpall pandemia dhe ajo periudhë ishte e rëndë për të funksionuar, dhe bëmë një pauzë, unë shpresoj që nga shtatori do të themelohet edhe këshilli rinor dhe do të vazhdojë me funksionim sepse para asaj edhe ka funksionu, gjithashtu në shtator planifikojmë që të punësojmë në komunën tonë një njeri i cili do të jetë përgjegjës vetëm për këshillin rinor dhe për marrëdhëniet e komunës me organizatat e ndryshme të ciklat funksionojnë nga rinistët në territorin e komunës së Gostivarit, për këtë kemi edhe program të cilën e ka pregaditur një grup i të rinjve në komunën e Gostivarit dhe besoj dhe shpresoj që para shtatorit do të funksionojë ashtu siç është paraparë në ligj” shtoi Taravari.

E për atë se a është i njoftuar kryeministri Dimitar KovaçevskiLigji për Pjesëmarrje Rinore nuk has në implementim, cili është komenti i këshilltarit për çështje rinore pranë kabinetit të  kryeministrit Dimitar Kovaçevski në lidhje me këtë dhe çfarë duhet të bëje pushteti ekzekutiv që krerët e komunave të RMV-së t’i kenë të rinjtë në listën prioritare, biseduam me këshilltarin e kryeministrin për të rinjtë, Gjorgi Tasev.

Gjorgi Tasev
Gjorgi Tasev

“Sjellja e këtij ligji kishte qëllime të qarta se çfarë duam të arrijmë me këtë ligj, dhe arsye që ky është ligji i parë i këtij lloji nga pavarësia e shtetit, konsideroj që deri në një masë i është dhënë përparësi vetëqeverisjes lokale sepse të rinjtë janë ata që kontaktin e parë e kanë me komunitetin që ata i rrethon dhe përmes hapësirave lokale atyre u jepet mundësia që të bëjnë ndryshime, ky ishte edhe vetë qëllimi i Ligjit për Pjesëmarrje Rinore kështu që deri në një masë mund të them që me mos-përmbushjen e dispozitave nga ana e komunave pësojnë më shumë të rinjtë dhe ndoshta duhet të ekzistojë një vullnet real politik i cili do të njihet nga të rinjtë dhe  si të tillë do të mund ta ndjekin të rinjtë dhe së bashku të rinjtë edhe institucionet të thon po, kjo është komuna jonë, kjo është komuna që është mike e të rinjve” theksoi Tasev, këshilltar i kryeministrit për të rinjtë.

Gazetari Ardit Ramadani: Tasev, ju jeni këshilltar i kryeministrit pikërisht për të rinjtë, a keni folur me atë, ae din ai që ligji për pjesëmarrje dhe politika rinore nuk has në implementim?

“Ne jemi në koordinim me të gjithë kabinetin e kryeministrit, kjo është natyrisht një prioritet i vetë qeverisë, i vetë institucioneve për të rinjtë, kështu që komunikojmë për këtë temë dhe çdo ditë mundohemi që të krijojmë ndonjë perspektivë të re, të shfrytëzojmë mjete të reja në implementimin e vetë ligjit. Në pjesën e bashkëpunimit dhe atë se si ne mund të ndikojmë si pushtet qendror, sidomos nëpërmjet Agjencisë për Rini dhe Sport si një nga organet më kompetente për implementimin e Ligjit për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore, shfrytëzojmë të gjitha mjetet dhe mekanizmat të cilat i kemi në dispozicion” shtoi Tasev.

Një ndër iniciatoret e këtij ligji si dhe anëtarja e Klubit të Deputetëve të Rinj nga Partia Demokratike Liberale, Monika Zajkova, është e vetëdijshme që ligjii për pjesëmarrje dhe politika rinore nuk has në implementim.

Megjithatë, mesa duket Zajkova bashkë me deputetët tjerë të rinj të parlamentit tonë veçse kanë përpiluar një plan, nga shtatori, do shkojnë në çdo komunë për të ua ngrehur veshët kryetarëve.

Monika Zajkova, deputete
Monika Zajkova, deputete

“Është fakt që Ligji për të Rinjtë ka vonesa në implementimin e tij edhe atë në shumë pjesë, për shkak vetë presionit që bëni klubi i deputetëve të rinj në parlament u emëruan nëpunësit rinor në institucionet e nivelit qendror, megjithatë shohim se edhe këtu ka problem për shkak se ata nuk e përmbushin atë qëllim që është i paraparë me vetë ligjin. Në pjesën e nivelit lokal, ka vonesa në formimin e këshillave rinor lokal, siç e keni parë edhe nga vetë hulumtimi, edhe atë jo vetëm në rajonin e pollogut por në të gjitha 8 rajonet planore, ka vonesa në hapjen e qendrave rinore, qëllimi i ligjit ende nuk është përmbushur. Për këtë, së bashku me kolegët e klubit të deputetëve të rinj vendosëm të bëjmë një revizion të jashtëm, pra të përfundojë rebalansi i buxhetit, pushimet në parlament dhe do realizojmë një revizion të jashtëm ku do t’i ftojmë institucionet, por edhe komunat, të shihet se ku paraqitet problemi dhe në qoftë se ka ndonjë problem konkret që ndoshta vjen nga ndonjë dispozitë. Sepse, ne fillimisht duhet ta implementojmë ligjin dhe të shohim, në qoftë se na bën problem në praktikë apo nuk na bën problem, dhe në qoftë se na bën problem, ka ndonjë dispozitë e cila realisht nuk mund të implementohen atëherë t’i qasemi ndryshimit të saj” tha Monika Zajkova, deputete.

Ndryshe, duhet theksuar se periudha pas miratimit të Ligjit për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore është shënuar me kriza të ndryshme, fillimisht shëndetësore me pandeminë e Kovid-19, më pas ekonomike e politike. Megjithatë, rezultatet e hulumtimit tregojnë që të rinjtë në vendin tonë nuk janë prioritet i kryetarëve të komunave, edhe pse vendi përballet me një problematikë serioze, që është ajo e ikjes së të rinjve.

Storja investigative është realizuar nga gazetari Ardit Ramadani me përkrahje të projektit “Young Journalists Network” i Democracy Lab në bashkëpunim me Ambasadën e ShBA-ve në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button