GREKO për Maqedoninë: Nga 19 rekomandime, nëntë janë zbatuar plotësisht, nëntë pjesërisht dhe vetëm një nuk është zbatuar fare

Grupi i shteteve kundër korrupsionit në Këshillin e Evropës (GRECO) konkludoi se Maqedonia e Veriut ka bërë njëfarë progresi në zbatimin e rekomandimeve të përfshira në Raportin e raundit të katërt të vlerësimit dhe inkurajon vendin që të vazhdojë aktivitetet e nisura në këtë drejtim dhe theksoi se reforma të mëtejshme janë duke u zhvilluar në lidhje me një sërë rekomandimesh të mbetura, transmeton Portalb.mk.

Kjo, siç njofton Ministria e Drejtësisë, është miratuar në seancën e 90-të plenare të GRECO-s, e cila u mbajt nga 21-25 mars të këtij viti, kur u miratua shtojca (adendumi) në Raportin e dytë të GRECO-s për pajtueshmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të Raundit të katërt të vlerësimit (me temë: “Parandalimi i korrupsionit te deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët”).

“Nga gjithsej nëntëmbëdhjetë rekomandime, nëntë janë zbatuar në masë të kënaqshme, nëntë janë zbatuar pjesërisht dhe vetëm një rekomandim nuk është zbatuar”, thuhet në deklaratë.

Sa i përket gjyqësorit, thuhet se GRECO ka vërejtur zgjerimin e fushëveprimit të sanksioneve të aplikuara ndaj gjyqtarëve, duke përmendur nenin 78 paragrafi (2) të Ligjit për gjykatat.

Lidhur me prokurorët, GRECO përshëndeti miratimin e kodit të ri të etikës, i cili përfshin një grup rregullash gjithëpërfshirëse lidhur me integritetin. Gjithashtu, GRECO theksoi si pozitiv faktin që vendimet e organit mbikëqyrës për shkeljet etike (Këshilli i Etikës) mundësojnë fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurorëve të përfshirë.

Në lidhje me sistemin e raportimit të gjendjes pronësore, është konstatuar se të dhënat statistikore të paraqitura tregojnë zbatim më efikas në praktikë të sistemit të raportimit të gjendjes pronësore. Është rritur numri i kontrolleve administrative të kryera nga KShPK-ja dhe kanë rezultuar në konstatimin e shkeljeve për arsye procedurale, pra dërgimin në kohë të pyetësorëve për raportimin e gjendjes pasurore.

GRECO dha afat deri më 31 mars 2023 për të informuar për zbatimin e rekomandimeve të mbetura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button