fbpx

Opozita shqiptare e përkrahë propozimin francez, partitë e vogla maqedonase e kushtëzojnë mbështetjen

Vazhdojnë konsultimet për propozimin francez për fillimin e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Sot në Klubin e deputetëve kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela zhvilluan takim, transmeton Portalb.mk.

Sela, sot pas takimit me kryeministrin, tha se ai dhe partia e tij e mbështesin propozimin francez.

“Rruga drejt BE-së kalon përmes negociatave që duhet të arrihen me vendet e BE-së. Nuk ka dyshim, Aleanca është e rëndësishme në këtë drejtim, ne jemi aktorët kryesorë që i filluam këto ndryshime për të qenë sot anëtare e Aleancës së NATO-s, për të qenë më të sigurt në këtë krizë në Ukrainë, pra anëtarësimin e Maqedonisë. për BE-në ka një rëndësi gjeopolitike. Prandaj politikanët duhet të mendojnë më pak për pikat politike, por të mendojnë për ta bërë rajonin më të qëndrueshëm”, tha Sela.

Kur të hapet Kushtetuta, ajo duhet korrigjuar dhe në të duhet të thuhet gjuha shqipe dhe jo përkufizimi “gjuha e folur nga më shumë se 20 për qind e popullsisë”.

“Do të ishte mirë të trajtohej edhe kjo. Aleanca për Shqiptarët do të insistojë në këtë. I bëj apel BDI-së që të merret me ndryshimin e këtij definicioni, sepse me sa i kuptoj unë maqedonasit, tani bëhet fjalë për dinjitetin e tyre, kështu që edhe ata duhet ta kuptojnë dinjitetin e shqiptarëve”, tha Sela pas takimit me Kovaçevskin. 

Për një hyrje të mundshme në qeveri, Sela tha se nuk ka pasur asnjë bisedë, por se Aleanca për Shqiptarët është parti opozitare dhe do të hyjë në qeveri vetëm duke fituar zgjedhjet.

Nga ana tjetër edhe Lëvizja BESA pas informimit nga ana e Qeverisë rreth propozimit francez dhe konform vendimeve partiake konfirmon se pranon çdo propozim që hap rrugën e integrimit në BE dhe që i njëjti, siç thonë nga kjo parti, nuk do cenonte interesat e shqiptarëve në vend.

“Poashtu pasi që propozimi francez në vete implikon ndryshime kushtetuese, ne për të dëshmuar konzistencën politike nga hapja e fundit e kushtetutës do kërkojmë që të korigjojnë në kushtetutë terminologjinë “gjuha që flasin mbi 20% e popullatës” të zavendësohet me termin “gjuha shqipe”, thonë nga Lëvizja Besa.

Megjithatë, nga kjo parti theksuan se Qeveria s’ka kapacitet, kredibilitet dhe as legjitimitet që të qeverise me vendin, prandaj ripërsëritën kërkesën për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend.

Edhe partitë më të vogla nga koalicioni qeveritar, Lidhja Demokratike, DOM dhe LDP kanë pasur mbrëmë takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për propozimin francez.

Nga ajo që mund të konkludohet nga deklaratat e sotme të disa prej liderëve të këtyre partive që kërcënuan se do të largoheshin nga qeveria për propozimin origjinal francez nëse do të pranohej, mbrëmë nuk i thanë “jo” të prerë propozimit të ndryshuar, por nuk dhanë as mbeshtetje pa rezervë.

Kryetarja e DOM-it, Maja Moraçanin, tha për “Focus” se kanë kërkuar nga kryeministri që korniza negociuese dhe protokolli të përkthehet dhe të shpjegohet në gjuhën maqedonase, në mënyrë që çdo qytetar t’i kuptojë dhe propozimi të diskutohet në Kuvend.

Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit përmes një komunikate kërkon nga Qeveria që të rishikojë Kornizën negociuese dhe të heqë prej saj çështjet bilaterale të imponuara nga Bullgaria, në mënyrë që korniza të jetë në përputhje me parimet dhe standardet evropiane. Pas miratimit të Kornizës negociuese, negociatat e anëtarësimit duhet të fillojnë me hapjen e kapitujve.

Kovaçevski, siç ka njoftuar më herët, është pajtuar që propozimi të kalojë në seancë plenare, ndërsa gjatë ditës së nesërme pritet që dokumentet të publikohen të përkthyera në gjuhën maqedonase.

Konsultimet e gjera për propozimin francez kanë filluar të premten, fillimisht me partnerët e koalicionit në Qeveri, disa prej të cilëve tashmë janë shprehur pozitivisht për propozimin, e disa pritet ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme.

Kryeministri Kovaçevski dje pati takim edhe me liderin e partisë më të madhe opozitare Hristijan Mickoski. Për VMRO-DPMNE-në propozimi francez është i papranueshëm.

Mickoski pas takimit tha se Kovaçevskit i ka ofruar dy opsione – të refuzojë propozimin, dhe VMRO-DPMNE të heqë dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ose nëse Kovaçevski beson se propozimi siguron identitetin, atëherë të fshijë katër anëtarë.

Propozimi francez dje është shqyrtuar edhe nga Këshilli i Sigurimit i thirrur nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Shefi i shtetit pas seancëa në pres-onferencë deklaroi se propozimi francez është i pranueshëm. Me pranimin e propozimit, siç tha ai, heqim bllokadën bullgare që zgjat më shumë se dy vjet dhe lejojmë hapjen formale të negociatave pas 17 vitesh pritje. Mundësohet proces skrining, i cili është një fazë e detyrueshme para negociatave për grupet – kapitujt, dhe më e rëndësishmja, siç tha ai, është që identiteti maqedonas të mos cenohet me asgjë sepse përcaktimi themelor për gjuhën maqedonase në propozim ka një formulim të pastër pa fusnota.

Propozimi francez në vend mbërriti të enjten, pas së cilës kryeministri Kovaçevski njoftoi proces të gjerë konsultimi me koalicionin qeveritar, presidentin e vendit, Parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend.

SHBA-ja dhe BE-ja në njoftime të veçanta dje mirëpritën debatin për propozimin e rishikuar të BE-së për fillimin e negociatave të anëtarësimit.

Ambasadorja amerikane në vend, Kate Burns, në postimin e saj në Twitter, në atë kontekst thekson rëndësinë e gjuhës dhe identitetit maqedonas.

Ambasadori Gir gjithashtu ka shkruar se është mjaft e qartë se gjuha maqedonase në kornizën negociuese nuk ka kualifikime shtesë.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button