Hoxha (I)

Një ditë e mesit të qershorit dhe kafenë e mëngjesit, e pijmë në një lagje “maqedonase” ku kapitali shqiptar po përhapet fuqishëm, me një ish-politikan, intelektual i mirëfilltë, tani pensionist dhe me një afarist  të moshës së mesme, fetar, siç zakonisht perceptohet “shkupjani”; pasi ky i fundit i dhuroi një libër të fesë, përmbledhje hadithesh, fjalësh profetike, mes tjerash biseda kalon te çështja e fesë dhe ndalemi te ajo e “hoxhallarëve”, më saktë te imazhi i hoxhës dikur dhe sot. Më i moshuari në mesin tonë nisë e tregon një sekuencë nga jeta që lidhet me shembëlltyrën e një imami të dikurshëm, të një njeriu me autoritet, të një dëshmitari të kohës. Siç konstatohet empirikisht nga terreni, ligjërimi, apo më saktë, predikimi ynë fetar bazohet në kritika që s’kanë të sosur, në defetizëm, qarje, vajtim, bërtitma drejtuar bashkësisë që nuk mund të sjellin rezultate. Ashtu ishte edhe në vitet 1970 në një fshat të Pollogut, ku disa ditë pas vdekjes së babait të kryeprotagonistit në këtë shkrim, në ceremoninë fetare, mevlud, disa nga hoxhallarët nisën të hedhin shigjeta ndaj rinisë, duke e quajtur imorale, të  humbur, duke folur për shkarjen, devijimin e saj, për atë se sa mirë ka qenë dikur e sa keq është sot e kështu me radhë, duke e krahasuar me brezat e parë të islamit. Ndërkohë, bashkëbiseduesi ynë, në atë kohë student, bashkë me vëllezërit, organizator i kësaj ngjarjeje spirituale, i dhënë me gjithë shpirt për mbarëvajtje të saj, me të tëra në këtë ngjarje. Dhe hoxha i madh, pa një pa dy, ndërhyn, iu drejtohet kolegëve të vet: “Po mirë bre burra, po kush na ka thirrë neve në këtë ritual, kush e ka bërë gjithë këtë respekt me frymë fetare? Ja, këta ta rinj, apo jo? Këta e bartin barrën e kauzës fetare sa ne hoxhallarët.” Me këtë kishte dashur të tregonte se duhet parë edhe të bardhën jo vetëm të zezën, se përkundër trendeve shqetësuese duhet parë edhe ato pozitive. “Në kohën e dominimit të ateizmit komunist, kur arsimi na e lante trurin e na ftohte nga shpirtërorja, prijësi fetar vizionar me një ndërhyrje të hollë fitoi zemrën time dhe të shumë të rinjve të tjerë të asaj kohe”-u shpreh shkollari tanimë në moshë të thyer që s’e harron sa të jetë gjallë atë detaj të jetës së vet.

Ndërkohë m’u kujtua rrëfimi i një shoku që kishte qenë pjesë e një bisede mes hoxhallarësh të hapësirës së Komunës së Tearcës që gjithashtu ishin ankuar për gjendjen e rinisë, ndërsa një ish-mësues, dikur “jashtë udhës Zotit, tani në vijë”, u kish bërë replikë me pamjen e xhamive të sodit plot rini dhe atyre kohës së tij kur të njëjtit, siç kishte treguar vetë, kur i kishte ndërruar jetë babai, menjëherë pas faljes së xhenazes ku kishte marrë pjesë një numër shumë i kufizuar besimtarësh, pa një pa dy, duke thyer kodin e pritjes për kryeshnosh, drejt e në stadium për të ndjekur ndeshjen e KF “Teteksit”. “Me plot bindje ju them, sot rinia është më e devotshme se dikur” – e kishte mbyllur bisedën mësuesi.

Janë të shumtë shembujt e hoxhallarëve, të gardianëve të besimit dhe të vleraveqë me takt e mes sens, me kulturën fetarën dhe bagazhin social të tyre kanë lënë gjurmë në historinë tonë. Ata kanë ditur si ta bëjnë xhematin për vete, madje edhe përmes shakave. I tillë është rasti i një hoxhe nga Tetova që dilte na çajtore me falësit e sabahut, kur zhvilloheshin biseda nga më të ndryshmet, ku natyrisht fjalën kryesore e kishte ai. Dhe një ditë, dikush nga shoqëruesit e tij me finesë tha se nesër do paguajë hoxha; dhe të nesërmen ashtu ndodhi, hoxha e thirri kamerierin, u bënë porositë dhe një sus i madh. Pas pak dikush e luti imamin që të tregojë ndonjë mesele, ndërsa ai iu kthye: “Eeee, unë sot paguaj, e ju do të flisni, urdhëroni”, pas çka i gjithë lokali u qeshi deri në qiell dhe vazhdoi muhabeti si më parë. (vijon)  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button