Zaev: Nëse sinqerisht jemi për antarësim në BE, tani është momenti – gjuha dhe identiteti janë të garantuara në kornizën e negociatave

Gjuha dhe identiteti maqedonas janë të siguruara dhe të garantuara në kornizën e negociatave dhe në këtë mënyrë pranohen dhe njihen nga BE-ja, ndërsa kjo është gjëja më e rëndësishme, tha ish-kryeministri Zoran Zaev për propozimin e modifikuar të BE-së, transmeton Portalb.mk.

“Protokolli që Qeveria maqedonase dhe qeveria bullgare do të nënshkruajnë, shpjegon rrugën për tejkalimin e çështjeve të hapura që janë të zgjidhshme. Ndërtimi i marrëdhënieve të mira dhe miqësore me fqinjët është thelbësor për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e një rajoni siç është Ballkani Perëndimor. Prandaj edhe ne nga pala maqedonase edhe kolegët tanë nga pala bullgare duhet të punojmë së bashku për mbylljen e çështjeve të hapura”, ka thënë Zaev në Facebook.

Ai vlerëson se është shumë e rëndësishme të ruhet plotësisht dinjiteti kombëtar i të dyja palëve në bisedime, ndërsa pala maqedonase, siç thotë ai, ka politikanë që do të marrin përsipër garanci dhe detyrime përmes atyre bisedimeve në të ardhmen për të përfaqësuar plotësisht dhe në mënyrë konstruktive interesat tona kombëtare.

“Kur bëhet fjalë për përmbushjen e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, jam i bindur se është shumë më mirë që të ulemi në tavolinë në institucionet evropiane dhe ne të jemi ata që në gjuhën tonë maqedonase do të kërkojmë përmbushjen e plotë të të dyja marrëveshjeve në të cilat nuk ka kontest, por konfirmohet gjuha maqedonase dhe populli maqedonas”, shkroi Zaev.

Është shumë e rëndësishme në këtë moment, sipas Zaevit, që Bullgaria të konfirmojë se nuk do të hapë probleme të reja bilaterale në të ardhmen dhe se pranon të angazhohet për ndërtimin e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë së bashku.

“Ky propozim tashmë është mbështetur nga e gjithë Evropa dhe përvoja na mëson se çdo propozim i ri me gjasë do të jetë më i vështirë për t’u pranuar. Nëse sinqerisht jemi pro anëtarësimit në BE, atëherë është koha, tani duhet ta tregojmë në veprim dhe ta përfundojmë këtë proces sa më shpejt”, ka shkruar ish-kryeministri.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut pranoi propozimin francez, ku pas marrjes, kryeministri Kovaçevski paralajmëroi konsultime të gjera me partnerët e koalicionit, presidentin e shtetit, parlamentin, sektorin civil, por edhe me opozitën.

Presidenti Stevo Pendarovski thirri seancë të Këshillit të Sigurimit për propozimin francez, ndërsa takim kanë pasur edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit më 1 korrik, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button