fbpx

Mariçiq: Me propozimin e modifikuar francez, ne marrim atë për të cilën kemi luftuar me vite

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në një intervistë për MIA-n, tha se me propozimin e ndryshuar, precizuar dhe të plotësuar francez, e kemi marrë atë për të cilën kemi luftuar me vite, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, një ndryshim i rëndësishëm nga ky dhe propozimi i mëparshëm është se procesi i negociatave, gjegjësisht Konferenca Ndërqeveritare dhe shqyrtimi do të mund të bëhet pa vonesa, pa kushte shtesë, pa pasur nevojë të ndryshohet Kushtetuta për t’i përfshirë tre bashkësitë etnike.

Në intervistë ai flet edhe për deklaratën e njëanshme në lidhje me gjuhën dhe implikimet e saj të mëtejshme në procesin e negociatave. Mariçiq thotë se Bullgaria ka të drejtë të paraqesë një notë të njëanshme, një opinion, siç e ka çdo vend tjetër.

“Këtë do ta bëjë në mbledhjen e parë të konferencës ndërqeveritare, duke bërë një deklaratë që do të përfshihet në procesverbalin e mbledhjes. Dhe kjo do të ndodhë vetëm një herë, me të cilën çështja e gjuhës maqedonase do të mbyllet dhe nuk do të hapet më. Në procesverbalin e hapjes së negociatave do të regjistrohen të dyja notat, tonat dhe ato të Bullgarisë. Por më e rëndësishmja është që ne do ta zhvillojmë procesin e negociatave brenda institucioneve të BE-së në gjuhën maqedonase, kornizën negociuese, të gjitha dokumentet do të përkthehen në gjuhën maqedonase, pa shtesa, pa fusnota, pa yll – të pastër, të njohur dhe të konfirmuar nga e gjithë Evropa”, thekson Mariçiq.

Ai thotë se dëshmi për njohjen dhe përdorimin e gjuhës maqedonase në BE do të jetë Marrëveshja për FRONTEX, e cila nuk është nënshkruar për më shumë se tre vjet, me klauzolë standarde në gjuhën maqedonase.

“Nëse pajtohemi me këtë propozim, marrim një formulim të pastër për gjuhën maqedonase në BE, çështjet historike dhe Protokolli dalin jashtë kornizës së negociatave dhe kemi mekanizma për zgjidhjen e çështjeve me Bullgarinë nga të cilat nuk ka asnjë devijim dhe mundësi të vërejtjeve apo kërkesave shtesë”, thotë Mariçiq.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Mbrëmë, nën udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së opozitare para Qeverisë u mbajt protestë me moton “ULTIMATUM – Jo faleminderit” kundër pranimit të propozimin francez.

Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button