fbpx

Kur bëhet përrallë heroi i përrallave

Fjalori i gjuhës së sotme shqipe shpjegon se përrallat janë lloj i krijimtarisë gojore me formë tregimesh me përmbajtje fantastike që u tregohen fëmijëve; se ato janë trillime, gënjeshtra, gjepura, dokrra e fjalë të kota pa asgjë të vërtetë, që shpesh kanë për heronj mbretër dhe qënie të ngjashme me pushtet.

Në vijim të sqarimeve thuhet se përrallave nuk u beson askush, hiq rastet non-sens kur diktatorët piromanë, nga heronj përrallash, bëhen përralla vetë dhe i shfrytëzojnë ato si armë politike në fjalimet e zjarrta dedikuar vartësve që nuk jetojnë dot pa zotra të rremë.

Përralla më e preferuar e despotëve në fjalë është ajo mbi ujkun dhe qengjin, të cilën ua rrëfejnë mendjegëzuarve, sa herë që duan të justifikojnë një krim të mundshëm mbi ata që i konceptojnë si inferiorë dhe më të dobët se vetvetja.

Këtë përrallë e përsëriti para dy ditësh presidenti serb Vuçiqi në konferencën për shtyp të organizuar nxitimthi për mediet proqeveritare, fill pas takimit me z. Miroslav Lajçak – ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përrallisjen për gjoja rrethanat e reja dhe shumë të rrezikshme, në të cilën gjendet prej pardje Serbia dhe veçmas qenia serbe në Kosovë, ai e bëri me një nervozizëm të papërmbajtshëm dhe me tone patetike. Sipas tij, qeveria e Albin Kurtit paska miratuar dy vendime të papranueshme për Serbinë “demokratike e paqësore”, i pari prej të cilëve lidhet me reciprocitetin, përkatësisht me pezullimin e së drejtës për hyrje të qytetarëve serbë në Kosovë me lejenjoftime, ndërkaq vendimi i dytë me gjoja planin për dëbimin e serbëve nga Kosova, sipas yrnekut të “Stuhisë” kroate.

Për t’u dukur më bindës, ai përsëriti profkat e njohura se shteti i tij është për paqe; se ka përmbushur të gjitha marrëveshjet e gjertanishme të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë; se respekton ligjet ndërkombëtare dhe, në dallim nga shqiptarët, është i gatshëm përherë për dialog; se Serbia hane-dan është sjellur në mënyrë shumë humane me shqiptarët; se nuk është Serbia po Kosova ajo që paska shkaktuar luftëra dhe krime monstruoze kundër serbëve; se janë shqiptarët ata që paskan pushtuar tokat serbe dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe aktualisht; se janë shqiptarët ata që synojnë krijimin me dhunë të Shqipërisë së Madhe, jo serbët Botën Serbe e hajt bir.

Në mbyllje të konferencës, herë përgjeruese herë kanosësë, Vuçiqi tha se nuk i akuzon shqiptarët e Kosovës për krimet që kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë ndaj serbëve, as kruyeministrin e tyre Albin Kurtin, por SHBA-në dhe BE-në, që manipulojnë me shqiptarët dhe i përgatisin ata për konfliktin e ardhshëm në Ballkan, që, gjithnjë sipas tij, pritet të ndodh në shtator.

Në pyetjen e një gazetari se nga kush i ka marë këto informata ogurzeza, kryetari përmendi deputetët e Listës Serbe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët, me privilegjet dhe pagat e majme të shtetit që duhet ta përfaqësojnë, luajnë faqe botës rolin e kalit trojan, të dirigjuar nga parësia “viktimë” e Beligradit.

Nisur nga të sipërthënat, Vuçiqi edhe kësaj here u tebdilos më kot në burrështetas e paqe, sepse e tradhëtoi ujku brenda tij, çerja egërshane, toni ulëritës dhe veçmas e kaluara prej Kasapi dhe e tashmja prej Putini. Në fakt, ai e tradhëtoi vetveten me fjalitë përmbyllëse të çervishit, kur tha se kjo është konferenca më e ashpër për shtyp në historinë time politike, por jam i sigurt, se edhe me këtë konferencë kam hyrë në histori, sepse ia kam thënë Perëndimit në fytyrë gjithë të ligat dhe planet ogurzeza që ia punojnë pas shpine Serbisë…

Për çudi, ai u vetëlëvdua se gjithë kohën foli vetëm për të vërtetat e pamohueshme, pa çka se fundekrye përrallisi nastradinçe, ves ky të cilin e praktikon edhe në takimet e rëndësishme me burrështetasit e botës, në të cilat parësia shqiptare mund t’i dalë zot të vërtetës duke iu referuar jo historisë shqiptare, po asaj që kanë shkruar disa historianë demokratë serbë. Për demaskimin e profkave vuçiqiane, do të mjaftonin, bie fjala, vetëm dëshmitë e tyre të shkruara për gjenocidin serb në Sanxhakun e Nishit në vitin 1878, kur shqiptarët humbën një territor sa Kosova e sotme, me qindar fshatra e me disa qytete me numër dominant shqiptarësh, si: Nishi, Prokupla, Kurshumlia, Leskovci, Vranja…

Po parafrazojmë me këtë rast dëshmitë e shkrimtarit të mirënjohur serb Branisllav Nushiqit, i cili në veprën Kosova II, Beograd 1903, shkroi se: përkundër pohimeve të qeverise serbe, sipas së cilës muhaxhirët e dëbuar shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit ndihen shumë mirë në Kosovë, e vërteta është se ata nuk ndihen fare rehat atje, ndaj kërkojnë kthimin në shtëpitë e tyre të vjetra, duke vajtuar të gjithë për vendin e tyre…

Autorë të tjerë serbë (Vidosava Nikoliq-Srojançeviq, Nikolla Piliqi, Jovan Haxhivasileviqi…) shkruajnë për numrin shumë të madh të familjeve shqiptare që u dëbuan nga vendbanimet e tyre. Ata shprehin keqardhje për sjelljen serbe ndaj shqiptarëve të pambrojtur të Sanxhakut të Nishit, që kurrë nuk kishin pasur problem me bashkëvendësit e tyre serbë.

Të një rëndësie të veçantë janë dëshmitë e shkruara të mësuesit nga Leskovci, Josif H. Kostiqit, që kishte parë me sytë e tij krimet e shtetit serb ndaj popullit të pambrojtur shqiptar. Sipas tij, në një dimër me acar të madh, vetëm nga Leskovci u dëbuan mijëra shqiptarë, duke lënë pas vetes shtëpitë me plot gjëra. Kostiqi përmend dhe numrin e madh të fëmijëve, grave e pleqëve të ngrirë gjatë përpjekjeve për të shpëtuar shpirtin nga pushkët dhe thikat e pamëshirshme serbe.

Kundër krimeve të ushtrisë serbe u ngrit dhe ministri i arsimit dhe çështjeve kishtare Alimpije Vasileviqi, që sfidoi vendosjen e padrejtë të bashkëkombasve nëpër shtëpitë e shqiptarëve. Ai kërkoi me guxim lejimin e kthimit të të dëbuarve nëpër shtëpitë dhe trojet e të parëve.

Në artikullin “Muhaxhirët nga Serbia 1878”, të botuar në Leskovaçki zbornik, 1978, Jovan F. Trifunoski, përgënjeshtron të dhënën e pushtetit serb, sipas së cilës shumica e muhaxhirëve qenka vendosur në Kosovë, madje paskan dëbuar serbë nga Kosova në shenjë hakmarrjeje për dëbimin e tyre nga Sanxhaku i Nishit. Ai thotë se një numër muhaxhirësh vërtet u vendos në Kosovë, por të tillët i vendosi pushteti turk në shtëpitë e çetrkezëve.

Në favor të së vërtetës qenë dhe disa gjeneralë serbë, që kritikuan krimet ndaj shqiptarëve…
Shi për këtë do të ishte mirë që të dhënat nga burimet serbe të shpaloseshin nga parësia shqiptare në OKB dhe BE, po aq shpesh sa rrenat serbe, sepse do ta nxirrnin në pah të vërtetën e raporteve gjithnjë të tensionuara ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, ndërmjet Shqiptarëve dhe Serbëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button