Koncepti Strategjik i NATO-s- veprimi në një mjedis të ashpër

Samiti i NATO-s në Madrid nuk ishte i njëjti si dikur. Lufta në Ukrainë dhe kërcënimi ruso-kinez e ndryshuan Konceptin Strategjik (KS) të NATO-s. Për më tepër, përveç miratimit të strategjisë së re të aleancës, dy momente duhet veçuar nga Madridi. Suedia dhe Finlanda së shpejti pas pengesave turke do të bëhen anëtare të aleancës. Dhe e dyta ishte arritja e një kompromisi rreth Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, ku nën drejtimin e presidencës franceze më në fund çështja lëvizi dhe Shkupi dhe Tirana mund t’i fillojnë së shpejti bisedimet me BE-në.

Pasi lufta në Ukrainë ka nxjerrë shumë telashe për të gjithë, NATO si forcë aktive ushtarake do të numërojë deri në 300 mijë trupa, për të forcuar frontin lindorë. Përveç këtyre ngjarjeve me rëndësi globale dhe europiane, një vëmendje duhet kushtuar Konceptit Strategjik të NATO-s. Pa humbur kohë le t’i hedhim një vështrim disa çështjeve kryesore të aprovuara nga 30 shtetet e aleancës në Spanjë. Në Madrid krerët e shteteve, miratuan qëllimet dhe parimet e veprimit të aleancës në epokën e re të pasigurisë globale. Në qëllimet thuhet se NATO është e vendosur të ruajë lirinë dhe sigurinë e aleatëve. Qëllimi kryesor është sigurimi dhe mbrojtja kolektive kundër të gjitha kërcënimeve rajonale dhe ndërkombëtare. Pasi aleanca është e karakterit mbrojtës, në Konceptin Strategjik thuhet se NATO do të vazhdojë të përmbushë tre detyra kryesore: parandalimi dhe mbrojtja; parandalimi i krizave dhe menaxhimi i tyre; dhe siguria e bashkëpunimit në mes anëtarëve.

Përveç kësaj, aleanca do të rrisë kapacitetet e saj në luftën kundër terrorizmit dhe ndryshimeve klimatike si dhe kërcënimeve të reja për sigurinë kombëtare. Për sa i përket mjedisit strategjik, në Konceptin Strategjik thuhet se “ zona euro-atlantike nuk është në paqe”. “Federata Ruse ka shkelur  normat dhe parimet që kontribuan në një rend të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë europiane”. “Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi kundër sovranitetit dhe territorit të aleatëve”. “Konkurrenca strategjike, paqëndrueshmëria e përhapur dhe goditjet e përsëritura e përcaktojnë ambientin e sigurisë”.

Sipas NATO-s, kërcënimet me të cilat përballemi janë globale dhe të ndërlidhura njëra me tjetrën. Në këtë drejtim, zyrtarë të aleancës thanë se aktorët autoritarë i sfidojnë interesat, vlerat dhe mënyrën demokratike të qeverisjes.

Më tej në Konceptin Strategjik thuhet se NATO do të përdorë mjete ushtarake dhe jo-ushtarake në mënyrë proporcionale, në mënyrë koherente dhe të integruar për t’iu përgjigjur konflikteve. Për sa i përket menaxhimit të konflikteve, Koncepti Strategjik gjithashtu parashikon reagimin e shpejtë të aleancës ndaj krizave, gatishmërinë dhe menaxhimin, përmes ushtrimeve të rregullta në Europë dhe në vendet ku siguria është e brishtë dhe paraqitet nevoja që NATO të jetë e pranishme.

Pasi Finlanda dhe Suedia do të bëhen së shpejti anëtare të NATO-s, në Konceptin Strategjik më tej përsëritet se zgjerimi i NATO-s ka qenë një sukses historik. “Zgjerimi ka forcuar aleancën, siguroi sigurinë e miliona qytetarëve europianë dhe kontribuoi për paqen dhe stabilitetin në zonën euro-atlantike”. “Dera jonë mbetet e hapur për të gjitha demokracitë europiane që ndajnë vlerat e aleancës, të cilat janë të gatshme dhe në gjendje të marrin përsipër përgjegjësitë dhe detyrimet e anëtarësimit”.

Gjithashtu, Koncepti Strategjik i NATO-s i miratuar në Madrid të Spanjës, i kushton një rëndësi të veçantë edhe Ballkanit Perëndimor dhe rajonit të Detit të Zi, ku sipas aleancës janë të një rëndësie strategjike. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim aspiratat euroatlantike të të interesuarve dhe vendeve në ato rajone”. “Ne do të rrisim përpjekjet për të forcuar aftësitë e tyre për të adresuar kërcënimet dhe sfidat e dallueshme me të cilat përballen dhe për të rritur qëndrueshmërinë e tyre ndaj aktorëve malinj”.

Për sa i përket suksesit të vazhdueshëm të aleancës, në fund të Konceptit Strategjik shtohet se NATO do të vazhdojë të përforcojë unitetin dhe solidaritetin politik për të adresuar të gjitha çështjet që ndikojnë në sigurinë e shteteve të aleancës. Siç vërehet, NATO tash i ka identifikuar mirë pikat e nxehta në rruzullin tokësorë. Dhe sipas përfundimeve që u arritën në Madrid, Kina dhe Rusia mbeten shtetet kërcënuese të demokracive të reja në mbarë botën dhe në veçanti të Europës, duke përfshirë këtu Ukrainën dhe Ballkanin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button