Rrugët me panele diellore?

Një kompani amerikane ka dalë me një ide të shkëlqyer për të mbuluar rrugët e Shteteve të Bashkuara me panele diellore, por fatkeqësisht lista e pengesave të saj është shumë e gjatë.

Një çift nga shteti malor amerikan i Ajdahos, Julie dhe Scott Brusaw, pronarë të kompanisë Solar Roadways, kanë grumbulluar më shumë se një milion dollarë amerikanë në ueb-sajtin Indiegogo për të realizuar një projekt shumë ambicioz për mbulimin e rrugëve të vendit me panele diellore.

Dizajni tani do të kalojë nga prototipi në prodhim, një fazë kjo e rrezikshme për çfarëdo projekti teknologjik – dhe përderisa ëndrra është bajagi emocionuese, realizimi i saj është mjaft i vështirë.

Brusawët nuk janë mashtrues apo të krisur. Scott ka përvojë në inxhinieri elektrike dhe projekti ka marrë dy herë fonde nga Administrata Federale amerikane e Autostradave. Ata kanë ndërtuar një prototip të një parkingu veturash të bërë nga panelet diellore, mikroprocesorët dhe dritat LED të mbështjella me një xham special që ata thonë se mund t’i rezistojë një kamioni prej 115 tonë.

Në teori, ideja mund të realizohet: të zëvendësohet i tërë asfalti i vendit me panele diellore, dhe Shtetet e Bashkuara do të prodhonin tre herë më shumë energji elektrike sesa që përdorin sot.

Dizajni i kompanisë Solar Roadways të Brusawëve gjithashtu do të filtronte ujin nga reshjet e tepërta, do të zëvendësonte kabllot e energjisë elektrike mbi tokë, do të parandalonte ngricat në rrugë dhe do të ndriçonte rrugën për të paralajmëruar shoferët në rast se iu dalin kafshë përpara.

Fatkeqësisht, lista e pengesave është e gjatë. Problemi kryesor është kostoja. “Sigurisht, ne mund t’i mbulojmë rrugët me panele diellore, por ne gjithashtu mund t’i mbulojmë ato me ar”, ka thënë shkencëtari Aaron Saenz në vitin 2010, kur Solar Roadways kishte nisur të tërhiqte vëmendje. “Janë rreth 75.000 metra katrorë sipërfaqe rrugore për t’u mbuluar. Na duhen rreth 5.6 miliardë panele për të mbuluar një sipërfaqe të tillë. Çmimi i kësaj do të ishte rreth 56 trilionë dollarë!”.

Edhe nëse bazohemi në shifrat më modeste të Brusawëve, të cilat sipas Saenz e mbivlerësojnë koston e asfaltit, ai thotë se rrugët diellore janë 50 për qind më të shtrenjta se rrugët tradicionale. Fushata në Indiegogo nuk e adreson çështjen e kostos, dhe Brusawët nuk e kanë të qartë se çka do të mund të realizojnë me një milion dollarë. “Duhet të bëjmë disa ndryshime në procesin tonë prodhues, në mënyrë që t’ia ofrojmë panelet publikut sa më shpejt të jetë e mundur”, thonë ata.

Joel Anderson, redaktor i rubrikës së biznesit në Equities.com, ka qenë ndër të parët në media që ka hedhur ujë të ftohtë mbi idenë e çiftit nga Idaho. “Brusawët nuk kanë arritur që të sigurojnë asnjë cent të mbi 2 miliardë dollarëve në vit që shpenzohen për hulumtime në fushën e paneleve diellore”, ka shkruar ai. “Mbase ekzistojnë shumë investime më praktike dhe më premtuese për t’u bërë sesa të merret në shqyrtim kjo ëndërr e çmendur e tyre”, ka theksuar gazetari amerikan.

Ai mund të ketë të drejtë. Panelet e kulmeve janë bërë tashmë burim i zbatueshëm i energjisë, por adoptimi i tyre është ende i vogël. Është vështirë të imagjinohet një qytet duke hequr asfaltin dhe duke instaluar një teknologji kryesisht të padëshmuar kur ai mund të arrijë të njëjtin nivel të prodhimit të energjisë duke vënë panele përgjatë rrugës – ashtu siç ka propozuar Oregon Solar Highway. Dhe, përderisa Solar Roadways ka qenë temë diskutimi në konferenca si “Solve for X” i Google dhe “TED”, ajo nuk ka arritur të fitojë një fond prej 200 milionë dollarë në konkursin “Ecomagination” të GE-së dhe nuk ka siguruar ndonjë investim nga Google, sipas The Verge.

Lajme të ngjashme

Back to top button