fbpx

Filluan takimet konsultative për propozimin francez

Kanë filluar konsultimet e paralajmëruara për propozimin francez. Kryeministri Dimitar Kovaçevski së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani në kuadër të konsultimeve zhvilluan takim me trupin diplomatik në vend dhe sektorin civil, transmeton Portalb.mk.

  • Takimi me trupin diplomatik

Në takim morën pjesë ambasadorja e SHBA-së Kate Marie Burns, ambasadori i BE-së David Geer, ambasadori francez Cyril Baumgartner, ambasadorja në detyrë e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut Julia Smith, Ambasadori në detyrë i Italisë Mario De Rosa, si dhe zv.ambasadori i Gjermanisë, Otto Graf.

“Kryeministri Kovaçevski dhe ministri Osmani i njoftuan ambasadorët për rrjedhën e konsultimeve të gjera që Qeveria po zhvillon me media, grupe ekspertësh, analistë politikë, partnerë të koalicionit, opozitë dhe partnerë e bashkëpunëtorë të tjerë. Kovaçevski dhe Osmani paraqitën qëndrimet se propozimi paraqet bazë solide për ndërtimin e një qëndrimi serioz, të përgjegjshëm dhe shtetaror ndaj mundësisë që i hapet vendit tonë”, njoftojnë nga Qeveria.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë, ambasadorët e pranishëm në takim dhanë mbështetjen e tyre për mënyrën transparente të zbatimit të procesit, si dhe për angazhimet e forta të Maqedonisë së Veriut dhe përcaktimet strategjike për bashkëpunim dhe partneritet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Nga Qeveria thonë se procesi për marrjen e një vendimi përfundimtar është transparent dhe të gjitha detajet ndahen me publikun në mënyrë që informacioni të jetë objektiv nga institucionet e shtetit.

  • Takimi me sektorin civil

Në kuadër të takimeve konsultative për propozimin francez, Kovaçevski zhvilloi takim me përfaqësues të sektorit civil, ekspertë nga fusha të ndryshme, profesorë dhe analistët politik.

Në konferencë u diskutua propozimi evropian për prosperitetin e Maqedonisë së Veriut.

“Kryeministri Kovaçevski shprehu mirënjohje për kontributin e dhënë nga sektori civil dhe opinioni ekspert në këto momente kyçe për vendin. Në të njëjtën kohë, kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria merr vendime në interes të së ardhmes së të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut në partneritet përmes dialogut dhe konsultimit. Kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria nuk ka dyshime për drejtimin strategjik të shtetit dhe vendimet që do të merren do të jenë në anën progresive me mbrojtje të qartë të gjuhës dhe identitetit të shtetit”, njoftuan nga Qeveria.

Ndryshe, sot Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button