Gjyqtarët dhe prokurorët publikë në Maqedoninë e Veriut që i kanë mbushë 62 ose 64 vjet shkojnë në pension

Gjithsej 42 gjyqtarë dhe 10 prokurorë publikë të moshës mbi 62 apo 64 vjeç nga sot janë në pension. Siç informojnë, për AIM, nga Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe Këshilli i Gjyqtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot janë marrë vendime me të cilat konstatohet përfundimi i detyrës për shkak të plotësimit të kushteve për pension, përcjell Portalb.mk.

Kuvendi dje nuk i votoi ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, me të cilat gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë do t’u zgjatej për tre vjet afati e punës, ndërsa dje ishte afati i fundit për votim, por që nuk arriti në seancë plenare për shkak të interpelancës për kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut njofton se në seancën e 407-të të mbajtur më 01.07.2022 ka bërë ndryshimin dhe plotësimin e rendit të ditës dhe vendosi me sa vijon: Janë marrë konkluzione lidhur me Ligjin për marrëdhëniet e punës. Janë marrë vendime me të cilat shfuqizohen vendimet e mëparshme me të cilat është vazhduar mandati i gjyqtarëve dhe me këto vendime konstatohet ndërprerja e detyrës si gjyqtarë për shkak të plotësimit të kushteve për pension pleqërie, në përputhje me ndryshimet në Ligjin për marrëdhëniet e punës (“Gazeta Zyrtare e RSM” nr. 151/21) dhe kjo vlen për këto gjyqtarë”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor, në të cilën me emër e mbiemër janë shënuar 42 gjyqtarët të cilëve u ndërpritet  detyra.

Në komunikatën për AIM, nga Këshilli Gjyqësor thonë se me këtë lirohen vendet, ndërsa kryetarët e gjykatave janë të obliguar t’i ndajnë ato.

Nga Këshilli për Prokurorë Publikë, nga ana tjetër, thonë se bëhet fjalë për 10 prokurorë, lëndët e të cilëve do të shpërndahen më tej.

“Këshilli i prokurorëve publikë i RMV-së në seancën e pesëdhjetë e nëntë i mori këto vendime: Janë marrë vendime për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për prokurorët publikë: Meri Trombeva, Prokurore Publike në Prokurorinë e Lartë Publike Manastir, Elizabeta Risteska, Prokurore Publike në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup, Sulejman Alijevski, Prokuror Publik në PTHP Manastir, Snezhana Zafirova, Prokurore Publike në ZPK Koçani, Elica Ilievska, Prokurore Publike në PPSH Shkup, Gordana Smaqoska, Prokurore Publike në PTHP të QKKK-së, Zhulieta Karova Boshevska, Prokurore Publike në PTHP Manastir, Millka Spirkoska, Prokurore Publike në PTHP Prilep, Imran Osmani, Prokurore Publike në Prokurorinë Publike të Shkupit dhe Jovan Ilievski, Prokuror Publik në Prokurorinë Publike të RMV-së”, thuhet në komunikatën e KPPRM.

Po ashtu, në të njëjtën seancë është marrë vendim që prokurori publik Peco Veziroski të emërohet ushtrues detyre i Prokuror Publik në Prokurorinë e Lartë Publike Manastir, si dhe prokurorja Marjana Ilieska për ushtruese të detyrës Prokurore Publike në Prokurorinë Themelore Publike Prilep.

Nga KPPRM për AIM thonë se lëndët të cilat më herët i kanë mbajtur këta prokurorë i kalojnë prokurorisë e cila më pas do t’i shpërndajë.

“Së pari duhet të kthehen, gjegjësisht të përcaktohet se kush sa lëndë ka kthyer, pastaj drejtuesi që e menaxhon Prokurorinë Themelore apo Prokurorinë e Lartë ua shpërndan prokurorëve të tjerë”, thonë prej andej.

Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançeski, dje tha se ndërprerja e marrëdhënieve të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve publik mund të sjellë pasoja serioze.

“Nëse nuk miratohen ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, 60 gjyqtarëve dhe 13 prokurorëve publikë do t’u përfundojë marrëdhënia e punës. Pensionimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë do të thotë se një pjesë e madhe e procedurave do të duhet të fillojë nga e para. Të mos harrojmë, nuk bëhet fjalë për një apo dy procedura, kur ndërrohet gjyqtari në procedurë, atëherë procesi fillon nga e para. Kjo është gjëja e parë. Këtu kuptohet sesi shpata e Damokleut na qëndron mbi qafë instituti i vjetrimit, një pjesë e proceseve që janë në zhvillim, apo që janë në lëvizje, mund të ketë një vjetrim të caktuar në raport me epilogun e tyre ligjor”, tha Tupançeski.

Asociacioni i Administratës Gjyqësore të Republikës së Maqedonisë së Veriut reagon ndaj qëndrimit të organeve kompetente shtetërore të cilët, siç theksojnë në reagimin e tyre, “në minutën e dymbëdhjetë u përpoqën të tejkalojnë një problem që nuk është as i ri dhe as i paparashikueshëm, duke qenë se numri dhe mosha e gjyqtarëve ishin fakte të njohura dhe nuk ka vend për “surprizë” nga situata e re”.

“Një numër i madh çështjesh gjyqësore do të duhet të rifillojnë me rrezikun e vjetrimit të tyre, proceset gjyqësore të ngadalta do të zvarriten edhe më shumë duke pasur parasysh numrin e reduktuar të gjyqtarëve në shumë gjykata. Si kulminacion i gjithë kësaj, do të ketë një gjykatë ose gjykata që do të mbeten pa gjyqtarë nëse gjyqtarë nga gjykatat e tjera nuk u caktohen përkohësisht”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata theksojnë se gjatë debatit publik për Propozim-ligjin për Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, i cili u mbajt më 04.10.2019 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i organizuar nga Komisioni për sistem politik dh. Marrëdhënie mes bashkësive, ata theksuan një vërejtje serioze se me propozimin e ligjit nuk është bërë fare përpjekje për të shfrytëzuar potencialin e zyrtarëve ekspertë të gjykatave me përvojë shumëvjeçare profesionale në gjykata.

“Kur qasja në trajnimin fillestar tashmë u ofrohet personave me dy vite përvojë pune në çështjet juridike pas dhënies së provimit të jurisprudencës, është e pakuptueshme për çfarë arsye lihet jashtë dhe nuk lehtësohet qasja në trajnimin fillestar për personelin gjyqësor që kryen profesionalisht detyra pune si bashkëpunëtor ose këshilltar gjyqësor për shumë vite në të gjitha departamentet gjyqësore në gjykata. Në çdo rast para organeve kompetente shtetërore brenda dhe jashtë gjyqësorit, ne apeluam që kjo pjesë e shërbimit gjyqësor mundej dhe mundet në mënyrë të përsosur dhe me trajnime të shkurtuara të kryejë të gjitha detyrat gjyqësore dhe të japë kontributin e vet për një gjyqësor më efikas në RS të Maqedonisë. “Fatkeqësisht, të gjitha organet kompetente shtetërore i injoruan indikacionet e tilla, kështu që tani në disa gjykata do të kemi Justicinë, por pa shpatë në dorë”, thonë nga Shoqata e Administratës së Gjykatave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button