Von der Leyen: Bisedova me Kovaçevskin, e përshëndes lajmin se RMV dhe Bullgaria janë afër marrëveshjes
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se ka pasur bisedë të mirë telefonike me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Në një publikim në “Twitter” ajo shkruan se e përshëndet lajmin se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë afër marrëveshjes, njofton Portalb.mk.
“Pata bisedë të mirë telefonike me kryeministrin Kovaçevski. I përshëndes lajmet se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë afër marrëveshjes e cila i merr parasysh interesat dhe kujdeset. Komisioni Evropian është i gatshëm ta fillojë skriningun me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si hap i radhës në rrugën e tyre evropiane”, theksoi Von der Leyen.
Good phone call with PM @DKovachevski
Welcome news that ?? and ??, with support of France, are close to an agreement which takes into account interests & concerns.@EU_Commission is ready to start the screening process for ?? and ??, the next step on their European path.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) July 1, 2022
Presidenti francez- Emmanuel Macron dje në margjinat e samitit të NATO-s nga Madridi bëri të ditur se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë arritur kompromis për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për përmbajtjen e Kornizës Negociuese sipas të cilës Shkupi duhet të zhvillojë negociatat me BE-në.
“Unë mendoj se kemi gjetur kompromis për mosmarrëveshjen midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi Kornizën e Negociatave të BE-së,” tha Macron.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.
LEXO: Qeveria e publikoi propozimin e ri francez, Kovaçevski: Shumë më i favorshëm për ne
Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një kumtese përshëndeti siç theksuan, rolin konstruktiv të presidencës franceze për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme në kontestin e vendit tonë me Bullgarinë fqinje dhe vlerëson që propozimi i dhënë në formën e ideve për zgjidhje është bazë e mirë për të përmbyllur kontestin dhe për të zhbllokuar rrugën tonë evropiane.
Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE në konferencë për shtyp, theksoi se propozimi në thelb është i njëjtë dhe se është i pafavaroshëm për shtetin dhe nuk i zgjidh kontestet me Bullgarinë. Ai kërkoi nga Qeveria që të publikohet propozimi.
Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
- LEXO: Makron: Është gjetur kompromis për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut
- LEXO: Mickoski ka një kërkesë për Qeverinë pas konferencës së Kovaçevskit
- LEXO: Kryeministri Kovaçevski premtoi që vendimi për propozimin francez do të merret së bashku
- LEXO: Propozimi i modifikuar francez është shumë më i mirë se i kaluari, vlerësoi Pendarovski