Komuna e Tetovës në vend parkingjeve të reja, i rinovon dhe zgjeron ato ekzistueset (FOTO)

Në Tetovë edhe pse ishin paraparë të realizohen 415 vend parkime të reja të mbyllura në periudhën prill-qershor të këtij viti, deri më tani nuk janë bërë. Komuna e Tetovës thotë se kanë realizuar 357 vende parkimi. Portalb.mk, i vizitoi vendet e parkingjeve të cilave u referohet komuna dhe verifikoi se këto parkingje nuk janë të reja, por të vjetra- veç më ekzistuese. Pra, komuna në këtë pikë pjesërisht parasheh zgjerimin dhe rinovimin e atyre ekzistuese për t’i vendosur në sistemin e pagesës.

Sipas planit të shpalosur me 11 janar nga kryetari i komunës, në fazën e dytë prill-qershor parashiheshin parkingjet e reja të mbyllura- konkretisht 415 vende parkimi të reja, përgatitja e matjeve gjeodezike, projekt infrastrukturor, marrje e lejes së ndërtimit, projekt komunikacioni dhe pëlqim nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme- Tetovë.

Komuna e Tetovës nuk arriti ta përmbush planin për parkingje as dy mujorin e dytë të vitit.

Komuna thotë se në këtë periudhë janë realizuar 357 vend-parkime prej të cilave 11 për invalidë, por pamjet nga terreni thonë ndryshe.

“Gjatë periudhës së paraparë të fazës së dytë, të projekteve nga Sektori për veprimtari komunale për parkingjet në qytetin e Tetovës gjatë muajit prill-qershor, janë realizuar:

  • Parking i mbyllur në rr.”Dervish Cara” BU 53 Tetovë, kufizimi i parkingut 2(B);
  • Parking i mbyllur në rr. “V.S.Bato”, BU 70, projekti gati, në pritje të miratimit nga ndërmarrja për parkingje;
  • Parking i mbyllur në rr.”121” Tetovë, projekti gati, në urdhëresë të matjeve gjeodezike;
  • Parking i mbyllur në rr.”19 Nëntori” (Q.T.Llovec), projekti gati, në urdhëresë të matjeve gjeodezike;
  • Parking i mbyllur në rr.”D.G.Kara” pas Bokatës, projekti gati, miratim prej banorëve të lagjes;
  • Parking zonal në rr.”D.G.Kara” pas hamburgerisë Tajo, projekti gati, korrigjim i trasesë (objekteve në rrugë), në pritje nga inspektorati për mënjanimin e pengesave;
  • Parking zonal në rr.”B.Kidriç”, projekti gati, në urdhëresë të matjeve gjeodezike;
  • Parkingu zonal në rr.”B. Toska”, projekti gati, në urdhëresë të matjeve gjeodezike;
  • Parking i mbyllur në rr.”Skopski Pat rruga ”, pallma mall, privat;
  • Parking i mbyllur në rr.”D.G.Kara”, prapa rest. ish Arbit, projekti gati, miratim prej banorëve të lagjes”, njoftoi Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Por, vendeve të parkimit të cilave ju referohen nga komuna vetëm se kanë qenë ekzistuese edhe prej më parë, ndërsa në rastin e parkingjeve zonale, aty parashihet që në vendet ku veç më parkohen veturat, e njëjta vetëm të shndërrohet me pagesë.

Ndërkaq edhe te vendet e lartpërmendura ende nuk kanë mbaruar të gjitha procedurat.

Për të vizualizuar se për cilat parkingje të lartpërmendura bëhet fjalë, gazetari i Portalb.mk sot ishte në terren dhe më poshtë ju përcjellim pamjet:

This slideshow requires JavaScript.

Ashtu siç mund të shihet nga fotot, parkingjet nuk janë te reja, por të njëjtat kanë qenë dhe më herët.

Gjatë kohës që ishim në terren, konkretisht te “Rruga 19 Nëntori”- Kompleksi Llovec, takuam inspektoratin komunal të cilët  të shoqëruar nga policia, ishin në aksion për të larguar nga hapësirat publike hekurat me të cilat janë uzurpuar hapësirat publike. Nga atje morëm vesh që fillimisht do të bëhet lirimi i këtyre hapësirave, pastaj do zë vazhdohet me procedura të tjera.

I pyetur për këtë se pse nuk ka parkingje të reja por vetëm rinovime dhe zgjerim në ato ekzistuese, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i pyetur nga Portalb.mk thotë se është çështje procedurash, ndërkaq nuk tërhiqet nga premtimi i tij, thotë se pjesa më e madhe e parkingjeve do realizohen.

“Është një program i cili ndërlidhet me bashkëpunimin të cilin duhet ta kemi ndërinstitucional. Në këtë drejtim ne jemi në komunikim edhe me institucionet tjera në këtë rast me Ministrinë e Punëve të Brendshme që bashkërisht t’i përshpejtojmë punët. Gjithashtu sa i përket ndërtimit, zgjerimit të parkingjeve aktuale janë procedura të tenderimit të cilat në momente të caktuara edhe prolongohen për shkak se janë të tilla procedurat, pra ne vazhdojmë me dinamikën të cilën e kemi paraparë dhe besojmë që brenda afatit të cilin e kemi deklaruar, pjesën më të madhe të atyre parkingjeve do i kemi në shfrytëzim të përditshëm”, deklaroi Kasami.

Nga ana tjetër, Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë bën të ditur për Portalb.mk se Komuna e Tetovës në periudhën prill-qershor të këtij viti, nuk ka paraqitur apo dorëzuar kërkesë për pëlqim në SPB Tetovë për ndërtimin e parkingjeve në qytet.

“Në këtë periudhë e vetmja kërkesë për pëlqim është dorëzuar për parkim zonal në rrugën “120” në Tetovë, por për shkak se nuk janë plotësuar plotësisht të gjitha kushtet e përcaktuara me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, kërkesa është refuzuar në disa raste”, thanë nga SPB Tetovë.

Plani për parkingjet në Tetovë për vitin 2022
Plani për parkingjet në Tetovë për vitin 2022

Rikujtojmë që edhe faza e parë e këtij plani, janar-mars nuk u realizua siç ishte paraparë. Në këtë fazë planifikohej të realizoheshin 230 vende parkimi të reja të mbyllura dhe 195 vende parkimi zonal. Komuna në këtë periudhë arriti të shtojë vetëm 72 vende të reja të parkimit zonal, që nënkupton se është bërë vetëm zgjerim i parkingut zonal ekzistues, pra ata ekzistuese janë shndërruar me pagesë.

Sipas planit të shpalosur me 11 janar, Komuna e Tetovës planifikon që deri në fund të vitit të rris numrin e vendeve të parkimit, përmes parkingjeve zonale, atyre të mbyllura si dhe garazheve në kate. Numri i planifikuar i parkingjeve zonale është 410, të mbyllura 790 dhe garazhet në kate 1,890. Gjithsej deri në fund të vitit Kasami deklaroi se priten të krijohen 3,730 vende të reja parkimi.

Ndryshe, ndërmarrja “Parkingu i Qytetit” ka borxh mbi 187 mijë euro sipas të dhënave të fundit ndara me publikun nga kryetari i komunës, Bilall Kasami. Kjo ndërmarrje edhe pse gjeneron të hyra nga pagesat e qytetarëve, në të kaluarën vazhdimisht ka punuar në humbje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button