Autoritetet në Korenë e Veriut: Kovid-19 u përhap përmes “lëndëve të huaja” të gjetura pranë kufirit

Përhapja e koronavirusit në Korenë e Veriut filloi pasi qytetarët prekën “lëndë të huaja” që ranë pranë kufirit me Korenë e Jugut, raportuan mediat shtetërore. Qytetarët këshillohen të bëjnë kujdes nëse shohin objekte që kanë hyrë nga ana tjetër e kufirit, transmeton Portalb.mk.

Për vite me radhë, aktivistë nga Koreja e Jugut kanë lëshuar balona përmes kufirit për të dërguar fletëpalosje dhe ndihma humanitare. Seuli thotë se nuk ka asnjë mënyrë që koronavirusi të ketë kaluar në Korenë e Veriut në atë mënyrë.

Sipas mediave të Koresë së Veriut, një hetim zyrtar ka përcaktuar se dy persona që u infektuan me koronavirus në fillim të shpërthimit ishin në kontakt me materiale të paidentifikuara përgjatë kufirit. Një ushtar 18-vjeçar dhe një fëmijë pesë-vjeçar rezultuan pozitivë në fillim të prillit pasi gjetën objekte në një kodër.

“Që atëherë, koronavirusi është përhapur me shpejtësi në të gjithë Korenë e Veriut”, raportojnë mediat.

Për këtë arsye, këshillohen qytetarët të kenë kujdes nga lëndët e huaja që hyjnë në vend me erën, fenomene të tjera klimatike apo me balona. Megjithëse Koreja e Jugut nuk përmendet drejtpërdrejt, autoritetet atje e mohuan me forcë këtë shpjegim të Phenianit.

Deri kohët e fundit, Koreja e Veriut pretendonte se nuk kishte asnjë rast të koronavirusit dhe që nga fundi i prillit është duke luftuar me një valë të rëndë prej 4.7 milionë rastesh të “etheve”. Autoritetet thonë se numrat kanë rënë ndjeshëm në javët e fundit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button