Nuk kaloi interpelanca ndaj kryeparlamentarit Talat Xhaferi

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk e shkarkuan nga pozita kryetarin e Kuvendit. 61 prej tyre votuan “kundër”, ndërkaq 43 votuan “për”, propozimin e opozitares VMRO-DPMNE, e cila kërkoi shkarkimin e Talat Xhaferit, njofton Portalb.mk.

Në Kuvend sot pasdite ka vazhduar debati për interpelancën e Xhaferi. Gjithsej 41 deputetë aplikuan për fjalë. Deputeti Darko Kaevski nga LSDM tha se vetëm deputetët e VMRO-DPMNE-së  e mbrojnë krimin sepse, siç tha ai, disa janë të përfshirë drejtpërdrejt në të, e disa kanë urdhër të drejtpërdrejtë nga “Pallati i Bardhë” dhe Hristijan Mickoski.

Sipas tij, VMRO-DPMNE opozitare po bën obstruksione, bllokada, frenime, provokime dhe gjithçka që e pengon legjislativin të funksionojë mirë dhe në vazhdimësi. Ai theksoi se VMRO-DPMNE-ja është e nervozuar sepse, ndër të tjera, nuk e kanë mbështetjen e qytetarëve.

Martin Kostovski nga LSDM tha se kapacitetet demokratike të kësaj qeverie të udhëhequr nga LSDM dhe BDI po shfaqen në vepër. Ai mendon se VMRO-DPMNE në mungesë të argumenteve para opinionit të Maqedonisë së Veriut, për shkak të organizimit të keq apo mendimit se nuk do të ketë interpelancë, kërkon pushime, stenograme etj.

Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, theksoi se opozita po bën obstruksione dhe i kujton biografinë e Xhaferit, punën, përvojën, angazhimet politike. Ai beson se Xhaferi ka arritur të qëndrojë fort në tokë dhe t’i zbatojë ligjet përkundër dredhive dhe propagandës partiake me të cilat është përballur.

Ademi theksoi se Talat Xhaferi është njohësi dhe respektuesi më i mirë i Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe ligjeve. Ai u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin me Xhaferin dhe mundësinë për të mësuar nga ai.

Ndryshe, interpelancën për Xhaferin e ka dorëzuar VMRO-DPMNE-ja më 30 maj, për shkak, sipas tyre, shkeljeve të Xhaferit.

“Ky është rezultat i kaosit që po ndodh në Kuvend, dhe që është nën direktivë të Xhaferit dhe si pasojë e shkeljeve më të shpeshta të Rregullores, si dhe arbitraritetir të kryer nga Xhaferi shtëpinë ligjvënëse, gjë që rrezikon rëndë reputacionin e këtij institucioni”, ka thënë paraprakisht Micevski.

Nga kabineti i kryeparlamentarit kanë theksuar se qëllimi i opozitës e cila, siç thonë ata, gjatë gjithë këtyre viteve pengon punën e legjislativit dhe pengon miratimin e ligjeve të rëndësishme për qytetarët, edhe kësaj radhe është të krijojë përshtypje të rreme se kreu i Kuvendi i Maqedonisë së Veriut vepron në kundërshtim me Rregulloren e Punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button