Mbi 60% e fekaleve përfundojnë të patrajtuara në lumenj dhe liqene, po priten impiantet e trajtimit (Infografik)

Sasia e ujërave të zeza të prodhuara nga amvisëritë dhe kompanitë e Maqedonisë në vitin 2021 është rritur, megjithatë 62% e fekaleve të krijuara në vend derdhen si të patrajtuara në lumenj, liqene dhe ujërat nëntokësore dhe e ndotin pasurinë ujore të vendit, shkruan Meta.mk.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), vitin e kaluar, vetëm 38% e ujërave të zeza janë trajtuar në impiante përkatëse. Nga ana tjetër, sasia totale e ujërave të zeza në vitin 2021 ishte 2,8 për qind më e lartë se në vitin 2020.

Vitet e fundit është shënuar rritje e sasisë së ujërave të zeza të trajtuara në impiante. Kështu, krahasuar me vitin 2019, kur 67,5 për qind e ujërave të zeza kanë qenë të patrajtuara, vitin e kaluar kjo përqindje u ul për 5,5 për qind. Megjithatë, duhet pasur parasysh se rrjeti i kanalizimit në të gjithë Maqedoninë, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale, po zgjerohet duke e rritur kështu sasinë e fekaleve të grumbulluara dhe nevojën për impiante për trajtim.

Të dhënat statistikore tregojnë se vitin e kaluar nga 102.640.000 metër kub ujëra të zeza, 31.995.000 metër kub janë derdhur në ujërat nëntokësore si të patrajtuara. 31.625.000 metër kub ujë të ndotur kanë përfunduar në rrjedhat ujore të lumenjve. Ndotja e këtillë paraqet rrezik të madh për mjedisin jetësor, pasi e bën të pamundur shfrytëzimin e një pjese të potencialit ujor të burimeve për pije, ndërkohë që lumenjtë dhe liqenet e ndotur janë të ndaluar për not, madje disa prej tyre, si uji i lumit Vardar, janë ndaluar të shfrytëzohen për vaditje të tokave bujqësore.

Për të arritur rritje të konsiderueshme të përqindjes së trajtimit të ujërave të zeza, është e nevojshme që shteti në bashkëpunim me pushtetin lokal të ndërtojë impiante për trajtimin e ujërave të zeza para së gjithash në tri komunat më të mëdha, ku ato mungojnë – Shkup, Tetovë dhe Manastir.

Meta.mk tashmë ka shkruar se fillimi i ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, ku duhet të trajtohen ujërat e zeza e mbi gjysmë milioni banorëve të kryeqytetit, po shtyhet tashmë dy vite. Premtimi i fundit është se ndërtimi do të fillojë në fillim të vitit 2023 njoftojnë, për Meta.mk, nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”-Shkup.

Që nga fillimi i qershorit, tre herë e kemi kontaktuar Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për të marrë informacion mbi procedurën e tenderit për ndërtimin e impianteve, që po premtohen tashmë disa vite, për trajtimin e ujërave të zeza në Manastir dhe Tetovë, por përgjigje nuk kemi marrë. Meta.mk tashmë ka shkruar se realizimi i këtyre dy objekteve kapitale po vonohet. Studimi i ndikimit në mjedis për këtë projekt kapital në Manastirin është përgatitur qysh në vitin 2016, ndërsa autoritetet komunale të Tetovës kanë pastruar mbeturinat në kantierin afër fshatin Falishë në vitin 2019.

Për situatën shqetësuese në vend me ujërat e zeza që hyjnë në ujërat nëntokësore, lumenj dhe liqene të patrajtuara, të dhëna ka publikuar Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRESHU). Në Raportin Vjetor për funksionimin e tij për vitin 2021, thuhet se vetëm 19 komuna nga gjithsej 80 në vendin tonë, vitin e kaluar i kanë trajtuar ujërat e zeza.

“Shërbimi ujor për trajtimin  e ujërave të zeza, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në zonat me ekuivalent mbi 10.000 banorë, ofrohet nga gjithsej 13 ofrues të shërbimeve, duke mbuluar pjesërisht ose plotësisht nevojat e komunave në vijim: Sveti Nikollë, Berovë, Koçani, Struga, Kërçovë, Gjevgjeli, Strumicë, Radovish, Prilep, Manastir, Resnjë, Kumanovë dhe Shkup”, thuhet në Raportin vjetor të KRRESHU.

Në komunat me ekuivalent më pak se 10.000 banorë, shërbimin e trajtimit të ujërave të zeza e ofrojnë gjashtë ofrues të shërbimeve të ujit, duke mbuluar pjesërisht ose plotësisht nevojat e komunave në vijim: Makedonski Brod, Dojran, Çuçer Sandevë, Karbinci, Çeshinovë-Obleshevë dhe Krivogashtani.

Siç thuhet në dokumentin e KRRESHU-së, disa komuna kanë ndërtuar impiante për trajtim vetëm për një pjesë të vendbanimeve. Shembulli më drastik është Qyteti i Shkupit, ku shërbime për trajtimin e ujërave të zeza ofrohen vetëm për banorët që gravitojnë rreth Vollkovës dhe Sarajit me objektet e infrastrukturës tashmë të ndërtuara në lumenjtë Treska dhe Lepenci.

Ndryshe, Meta.mk tashmë ka bërë një reportazh për gjendjen me ujërat e lumit Vardar në rajonin e Shkupit, në të cilin kemi theksuar gjendjen alarmante me cilësinë e ujërave të lumit. Pastaj kemi shkruar se prej vitesh analizat e ujërave të lumit Vardar tregojnë se në aspektin bakteriologjik janë në kategorinë më të lartë të ndotjes, në atë të katërtën, ndërsa në aspektin kimik mund të ndodhë që ujërat e lumenjve të jenë ndërmjet kategorisë së katërt dhe të pestë të ndotjes, varësisht nga stina dhe niveli i ujit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button