Ahmeti: Duhet angazhim më i madh i ndërkombëtarëve në arritjen e kompromisit për emrin

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në takim pune në selinë e partisë në Tetovë Ambasadoren e Francës në Maqedoni, Zonjën Lorens Oer si dhe përgjegjësin për Ballkanin në Ministrinë e Mbrojtjes Franceze, Reno Dorliak.

Ambasadorja Francës uroi Kryetarin Ahmeti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare dhe shprehu mirënjohjen për përcaktimin e Bashkimit Demokratik për Integrim që të fokusojë të gjitha forcat në drejtim të integrimit euroa-tlantik.

Franca mbështet procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe inkurajon autoritetet vendase që të përpiqen të arrijnë kompromis për të gjitha çështjet e hapura në mënyrë që të realizohet ky synim.

Kryetari Ahmeti falënderoi autoritetet Franceze për mbështetjen e Parisit për Maqedoninë dhe theksoi që koha ka ardhur për angazhim serioz dhe të drejtpërdrejt nga komuniteti ndërkombëtar në drejtim të arritjes së kompromisit me Greqinë.

Për ne, NATO nuk ka alternativë. Maqedonia ka nevojë për stabilitet dhe siguri të qëndrueshme, marrëdhënie të shëndosha ndëretnike dhe ndër fqinjësore si dhe zhvillim ekonomik dhe të gjitha këto mundësojnë mirëqenie në shoqëri. Por, realizimi i të gjitha këtyre synimeve bëhet vetëm nëpërmjet anëtarësimit në NATO.

Palët në këtë kontest duhet të ulen sa më shpejtë dhe të diskutojnë në mënyrë konstruktive drejt arritjes së kompromisit. Ky proces duhet të ndihmohet edhe nga komuniteti ndërkombëtar sepse suksesi i këtyre bisedimeve do të ndikojë pozitivisht në vend dhe në rajon, njëjtë sikur edhe marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit.

Kryetari Ahmeti u shpreh i bindur që ka hapësirë që palët të ulën dhe të diskutojnë drejt arritjes së kompromisit mbi propozimin e fundit të ndërmjetësit Metju Nimic.

Bashkëbiseduesit folën rreth përgatitjeve për samitin e aleancës veri perëndimore në muajin shtator në Kardif si një pikë e rëndësishme për referencë, por u ripërtëritë që në fuqi është akoma vendimi i NATOsë në samitin e Bukureshtit që thotë se për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO nuk ka nevojë të thirret samit zgjërues i aleancës.

Kryetari Ahmeti gjithashtu njoftoi mysafirët rreth zhvillimeve të bisedimeve për formimin e qeverisë së re si dhe për kongresin zgjedhor të BDI që do të mbahet më 5 qershor  në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button