Tetovë, Komuna prej nesër dëshiron transporteve të vendbanimeve tjera të u ndalojë qarkullimin brenda qytetit, Policia s’ka dhënë pëlqim

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se sipas vendimit të këshillit komunal, nga nesër (1 korrik) të gjitha transporteve jashtë qytetit të Tetovës të u ndalohet lëvizja brenda qytetit të Tetovës, të njëjtat duhet udhëtarët t’i dërgojnë te stacioni i autobusëve dhe para UEJL-së, dhe nga atje të bëhet bartja e tyre me autobusët e transportit publik të qytetit. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë (SPB) thotë se komuna nuk ka dorëzuar njoftim për marrje të pëlqimit për këtë.  Qytetarët ankohen se kjo do e vështirësojë qarkullimin për to, shkruan Portalb.mk.

Nga nesër, transportuesit e udhëtarëve jashtë qytetit të Tetovës sipas asaj që deklaroi kreu i Komunës, duke u thirurr në vendim të këshillit komunal, nuk do të kenë të drejtë të qarkullojnë brenda qytetit. Këtu përfshihen linjat ndër-shtetërore të autobusëve, dhe kombet që bëjnë bartjen e qytetarëve nga fshatrat dhe komunat rreth Tetovës.

Sipas Komunës së Tetovës, të gjithë autobusët dhe furgonët do të lejohen të ndalohen vetëm në stacionin e autobusëve dhe te hapësira para Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL).

Përmes kësaj, Komuna për qëllim ka të lehtësojë komunikacionin dhe transporti publik të shfrytëzohet më shumë.

Por, qytetarët të cilët udhëtojnë me kombi nga fshatrat përreth Tetovës ankohen se kjo do të sjellë vetëm ngarkesë, humbje kohe dhe shpenzime shtesë për to.

“Kjo na hap hy herë punë. Të ndërrojmë dy herë transportin, por plus edhe të paguajmë dy herë. Tash krizë, çmimet janë rritur, edhe një gajle më shumë, por plus edhe humbje kohe të presësh dy herë, po a ka a nuk ka, po plus tash temperaturat e larta”- qytetar.

“Nëse kanë vendosur kështu le të na paguajë komuna atëherë autobusin, qytetarët nuk kanë para të paguajnë dy herë”-qytetare.

“Mendoj se është vendim i mirë, por stacioni është larg nga pikat qendrore të qytetit”-qytetar.

Edhe për shoferët e furgonëve, kjo duket të jetë vendim jo i mirë.

“Edhe kjo na mungonte tash deri te stacioni të shkojmë, po unë se kuptoj se thonë nuk lejohet hyrja në qytet me duket pa kuptim, Tetova aq është deshe apo s’deshe e ke patjetër të hyjsh brenda në qytet për të shkuar te stacioni”- shofer furgoni.

“Lehtësohet qarkullimi nuk duhet të hy nëpër rrugë të ndryshme apo turma, por nga ana tjetër kur e mendoj qytetarëve do ju rëndohet lëvizja do duhet të ndryshojnë automjetin dy herë, por edhe të paguajnë, po më the të thash, sedi” -shofer furgoni.

Sipas Komunës së Tetovës, nga nesër (1 korrik) të gjitha transportet që janë në qytetin e Tetovës janë të ndaluara me të gjitha llojet e automjeteve, i vetmi institucion- ndërmarrje që ka të drejtë të bëjë transportin e udhëtarëve në qytetin e Tetovës është ndërmarrja komunale e transportit publik. Në të kundërtën vozitësit do të përballen me dënime nga inspektorati i komunës dhe policia e komunikacionit.

“Gjithë ata të cilët do të bëjnë bartjen e qytetarëve nga komunat tjera apo rajonet tjera të shtetit ata do duhet ti sjellin te stacioni i autobusëve dhe nga aty do të mund të transportohen përmes ndërmarrjes komunale për transport publik. Në atë pjesë ne si inspektorat komunal tash e tutje do të bëjmë kontrolle dhe i njoftoj të gjithë ata transportues se do të detyrohemi të sekuestrojmë vetura. Të gjithë ata që do të hyjnë në qytet pa pasur leje për të lëvizur në atë pjesë. Me leje do të thotë transport i dedikuar, do të thotë nëse duhet të bartë disa mallra qofshin punëtorë por jo transport të rregullt linjash”, tha Bilall Kasami.

Kjo sipas tij do të realizohet në bashkëpunim me policinë e komunikacionit, por Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë për Portalb.mk mohojnë kategorikisht se për ndalesën e tillë është arritur koordinim me shërbimet e tij kompetente nga Departamenti i Policisë, përkatësisht me inspektorët e komunikacionit.

“Sektori për Punë të Brendshme të Tetovës po ashtu thekson se deri te këto shërbime nuk është dorëzuar asnjë kërkesë me shkrim, si dhe asnjë njoftim lidhur me ndalesën e shpallur. SPB Tetovë sqaron se çdo ndryshimi i regjimit të komunikacionit duhet t’i paraprijë përgatitja e ekspertizës së rishikuar dhe pëlqimi i MPB-së, e jo të ndërmerren hapa vetë dhe jashtë procedurës së paraparë me ligj”, thanë nga SPB Tetovë.

Nga atje shtojnë se janë të hapur për bashkëpunim me vetëqeverisjet lokale të zonës, me theks të veçantë në kuadër të kompetencave të tyre ligjore dhe procedurave dhe akteve të vlefshme në pajtim me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor dhe Ligjin për automjetet.

“Nëse shërbimet e SPB-së Tetovë konstatojnë parregullsi juridike, në rastin konkret lidhur me ndalesën e shpallur, në mënyrë adekuate do të reagojnë dhe do të përgatisin kallëzim ndaj cilitdo që shkel ligjin, pavarësisht nëse bëhet fjalë për institucione, persona juridikë apo fizikë”, theksuan nga SPB Tetovë.

Nga ana tjetër, Kasami shprehet se kur ishin me policët në terren për të parë se si funksionon transporti publik, kjo nuk u është thënë.

“Nuk jam i informuar për këtë pjesë, sipas asaj që kemi rënë dakord, ka vendim nga këshilli i komunës për regjimin e komunikacionit në qytetin e Tetovës, për procedurat tjera në pjesën e komunikimit do t’i bëjmë të gjitha ato procedura. Por informacioni për të gjithë transportuesit se nga data 1 korrik nuk do të lejohen sipas vendimit të këshillit, nga policia nuk na është thënë se ka problem. Jemi duke u koordinuar çdo ditë, nëse do të ketë nevojë për ndonjë kërkesë sigurisht që do të koordinohemi”, tha Kasami.

Ndryshe, autobusët e transportit publik të Tetovës nga para një jave  kanë filluar me orarin veror të qarkullimit. Linjat dhe oraret i gjeni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button