Petrovska: Rezistenca dhe fuqia e institucioneve dhe qytetarëve është kyçe në luftën kundër kërcënimeve hibride

Ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska mbrëmë në Madrid mori pjesë në darkë pune të ministrave të mbrojtjes së NATO-s, ku u diskutua për temën: “Ndikimi i kërcënimeve hibride në Ballkanin Perëndimor”, transmeton Portalb.mk.

Në diskutim, siç njoftuan nga Ministria e Mbrojtjes, Petrovska theksoi se komunikimi efektiv strategjik është kyç në luftimin e këtyre kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë dhe se tejkalimi i sfidave të tilla është një nga prioritetet e NATO-s dhe pjesë e diskutimeve të Samitit.

“Ajo që na duhet është të rrisim efikasitetin dhe cilësinë e institucioneve tona përmes profesionalizimit të kuadrove. Gjithashtu, ne kemi nevojë për një edukim që do t’u mundësojë qytetarëve të mendojnë në mënyrë kritike. Qëndrueshmëria dhe fuqia e institucioneve dhe e qytetarëve është vendimtare në luftën kundër kërcënimeve hibride për funksionimin e një shoqërie që do të bazohet në besim, e jo në përçarje”, tha Petrovska.

Ministrja Petrovska konsideron se politika e dyerve të hapura të Aleancës duhet të përsëritet me zgjerimin e Bashkimit Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor, gjë që do të forcojë sigurinë dhe do të mundësojë prosperitet më të madh, përndryshe, mungesa e një perspektive të besueshme evropiane mund të ketë shumë tendenca negative në këto hapësira.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button