Qeveria vendosi reciprocitet me Serbinë për letërnjoftim, jep edhe një shans të fundit për targa

Qeveria e Kosovës ka vendosur reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë. Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, Qeveria Kurti vendosi që aplikojë të njëjtën masë, sikur Beogradi zyrtar, që nuk pranon letërnjoftimin, por në hyrje kosovarët i pajisë me një letër që zëvendëson dokumentet e identifikimit, raporton Koha.net.

“Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi, sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Po ashtu, vendim u mor që banorëve, kryesisht në veri të vendit që kanë targa të lëshuara nga Serbia, por në emër të qyteteve të Kosovës, t’ua japë edhe një shans, siç është thënë të fundit, për kthim në targa RKS.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ‘ĐA, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, thuhet në njoftim.

Sipas Qeverisë, pronarëve të veturave me këto targa u është mundësuar që kthimin në RKS ta bëjnë në periudhën 1 gusht 2022 – 31 shtator 2022, pra dy muaj kohë.

“Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në njoftim.

Vitin e kaluar, Qeveria vendosi reciprocitet edhe për targa të veturave. Nga ajo kohë, veturat me targa të Serbisë që futen në Kosovë duhet të mbulojnë simbolin shtetëror, njëjtë siç veprohet edhe me veturat që kanë targa RKS kur futen në Serbi.

Deri para këtij vendimi, veturat me targa serbe lejoheshin në Kosovë, ndërsa ato me targa RKS, ku futeshin në Serbi, merrnin një targë të përkohshme, që e lëshonte Beogradi zyrtar me pagesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button