Zgjerimi i NATO-s për Kinën ka mbjellë “farën e konfliktit”

Duke denoncuar përpjekjen e Perëndimit për të krijuar aleanca ushtarake në rajonin e Azi-Paqësorit, Kina në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) ka deklaruar se zgjerimi i NATO-s ka “mbjellë farën e konfliktit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pesë zgjerimet e NATO-s drejt lindjes pas Luftës së Ftohtë, jo vetëm që nuk kanë arritur ta bëjnë Evropën më të sigurt, por edhe kanë mbjellë farën e konfliktit”, tha ambasadori Zhang Jun në një konferencë të OKB-së për Ukrainën.

Ai tha se Kina “vendosmërisht” kundërshton “disa elemente që bërtasin për përfshirjen e NATO-s në Azi-Paqësor ose në një version Azi-Paqësor të NATO-s në kurriz të aleancave ushtarake”.

“Skenari i vjetruar prej kohësh i Luftës së Ftohtë nuk duhet të rishfaqet kurrë në Azi-Paqësor. Lloji i trazirave dhe konflikteve që prekin pjesë të botës nuk duhet të lejohen të ndodhin në Azi-Paqësor”, theksoi ai.

Kina ka qenë aleate me Rusinë në kundërshtimin e zgjerimit të aleancës më të madhe ushtarake në botë prej 30-kombesh.

NATO do të mirëpresë dy vende të tjera në grupin e saj pasi anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës duket i sigurt se do të miratohet në samitin e Madridit që filloi sot.

Pekini po ashtu ka qenë i paepur në kundërshtimin e tij ndaj lëvizjeve të SHBA-së për të mbështetur aleancat dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajonin më të gjerë të Azi-Paqësorit për të kundërshtuar ndikimin në rritje ekonomik dhe ushtarak të Kinës.

Washingtoni po udhëheq një grup sigurie të quajtur Quad së bashku me Japoninë, Australinë dhe Indinë. Ajo gjithashtu ka nënshkruar paktin AUKUS me Australinë dhe Britaninë e Madhe, sipas të cilit Canberra do të marrë nëndetëse me energji bërthamore.

Në lidhje me krizën në Ukrainë, Zhang tha se ajo “ka dhënë edhe një herë alarmin për botën”.

“Siguria është e pandashme. Një besim i verbër në pozicionin e forcës, zgjerimi i aleancës ushtarake dhe ndjekja e sigurisë së dikujt në kurriz të pasigurisë së vendeve të tjera do të çojë në mënyrë të pashmangshme në dilema të sigurisë”, tha ai.

Ambasadori kinez tha se Pekini po i kushton “vëmendje të madhe përshtatjes strategjike të NATO-s dhe është thellësisht i shqetësuar për implikimet politike të të ashtuquajturit Koncepti Strategjik”.

“Disa liderë të NATO-s kohët e fundit i përshkruan vendet e tjera si një kërcënim. Por, fakti është se është vetë NATO ajo që ka krijuar telashe në pjesë të ndryshme të botës”, tha ai.

Ai po ashtu i bëri thirrje NATO-s, që siç tha ai, “të mësojë mësimet e saj dhe të mos përdorë krizën e Ukrainës si një justifikim për të nxitur konfrontimin e bllokut mbarë botëror ose një Luftë të Ftohtë të re dhe të mos kërkojë armiq imagjinarë në Azi-Paqësor”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button