fbpx

Ligj për administratorët shqiptar

Një prej kushteve kryesore për inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Europian është edhe reforma e thellë e administratës. Çka nënkupton kjo reformë? Mbi të gjitha, zvogëlim të numrit të administratorëve prej mbi 160 mijë në 70 mijë administratorë. Të përkujtojmë këtu se Shqipëria me mbi 4 milion banorë ka rreth 80 mijë administratorë, ndërsa ndarja e re territoriale do ta ulë edhe më shumë këtë numër.

Kohë më parë Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin e ri për nëpunës administrativ. Në aparencë ky ligj duket konform kërkesave të Bashkimit Europian, por se ka këtu një yçkël, kjo s’do mend.  Cilado parti politike në pushtet do të ndjehet si i shfajësuar për tërë atë ‘rrëmujë’ e cila do të pasojë me reformat e patjetërsueshme në administratë.

Njerëzit kompetentë, analistët, ata që e kanë lexuar ligjin për nëpunës administrativë janë të mendimit se, nga ligji për reforma, haraçin më të madh do ta paguajnë administratorët shqiptar.  Tre janë elementet të cilët e përforcojnë këtë konstatim: 1) njohja e përkryer e gjuhës angleze (që nënkupton komunikim profesional në të shkruar dhe gojarisht – kursi TOEFL); 2) njohja e përkryer e gjuhës maqedonase (pa asnjë gabim në komunikim, si në të shkruar ashtu edhe në të folurit) dhe, 3) mënyra e re e notimit të administratorëve.

1) Një numër i madh i administratorëve janë të moshës së shtyer, të cilët e kanë të pamundur ndjekjen e kursit dhe përvetësimin profesional të gjuhës angleze. Nga ana tjetër, me rrogat aktuale të administratorëve pothuajse anjëri prej tyre nuk do të jetë në gjendje t’i lëshohet këtij luksi. Testi TOEFL kushton mjaft shumë dhe është i papërballueshëm për xhepin e nëpunësve tanë.

2) Kriteri i dytë, ai i njohjes së përkryer të gjuhës maqedonase, do të jetë jashtëzakonisht i rëndë dhe veçanërisht për administratorët shqiptar. Ky kriter do të gjejë mbështetje edhe kushtetuese por edhe në ligjin ekyistues për gjuhën maqedonase. Ky kriter dhe ky ligj administratorët shqiptarë i privon nga e drejta për të hartuar dhe përgaditur lëndë në gjuhën shqipe, konform Marrëveshjes së Ohrit. Pra edhe administratorët shqiptarë do të obligohen që të përgadisin lëndë në gjuhën maqedonase dhe për çdo gabim eventual t’i nënshtrohen sanksioneve të parapara në ligjin për gjuhën maqedonase dhe në rregulloret e komisionit shtetëror për provim lekture që funksionon në kuadër të Ministrisë së kulturës. Një kategori e veçantë e administratorëve që do të pësojnë nga ligji i ri për nëpunës administrativ janë sidomos ata shqiptarë të cilët ende nuk janë të sistemuar nëpër njësi e sektore të administratës dhe që rrinë në shtëpi.

3) Ndonëse është në prag të ‘përfundimit’ përfaqësimi i shqiptarëve në administratë, është fare i papërfillshëm numri i administratorëve shqiptar që udhëheqin njësi dhe sektore. Notimi i nëpunësve administrativ do të bëhet pikërisht prej udhëheqësve të njësive dhe sektorëve, si dhe prej më së paku tre qytetarëve që janë bartës të projekteve, kërkesave etj.

Nga kjo që u tha këtu, sa do që vërehen përpjektet për amnesti nga ajo ‘fortunë’ që do ta mbërthejë administratën publike, megjithatë duhet kurajo dhe veprim nga ana e qeverisë.  Edhe pse peshë e papërballueshme do të bie mbi kurrizin e administratorëve shqiptar, dikush duhet ‘të shkelë’ mbi këtë ligj. Ndryshe, ç’kuptim do të kishte Marrëveshja e Ohrit e garantuar prej faktorit  ndërkombëtar e cila insiston dhe përkrah në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në administratën publike të vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button