LSM ripërsëriti edhe sot kërkesat e saj, kësaj radhe para Ministrisë së shoqërisë informatike

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot“karrigen e nxehtë” e vendosi para Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MShIA), ku kryesia e LSM kërkoi përmbushjen e premtimit për rritje linear të pagave për 2806 denarë për të gjithë punëtorët dhe kthimin e të drejtës së regresit nga 30 në 100 për qind, transmeton Portalb.mk.

“Prandaj sot i bëjmë thirrje ministrit të Shoqërisë së Informacionit që është dhe ishte pjesë e atij ekipi negociator – nëse realisht aspirojnë për metodologji të re për reformën në administratë, për ligj të ri për pagat për punonjësit e administratës le të urdhërojë. Ne jemi para Ministrisë së tij dhe le të na tregojë dhe le të na e dorëzojë nëse ka qëllime të sinqerta. Nëse jo – karrigia e nxehtë po e pret. Sot është ministër, nesër bëhet punëtor i zakonshëm si ne”, deklaroi kryetari i LSM Darko Dimovski para Ministrisë.

Ai edhe një herë i bëri thirrje pushtetit lokal dhe atij qendror që të plotësojë nevojat e punëtorëve dhe të rrisë pagat e të gjithë punëtorëve në këtë, siç tha ai, kohë të vështirë kur kemi inflacion dyshifror dhe kriza të ndryshme.

Dimovski tha se greva do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa paralajmëroi se nesër sindikata do të vizitojë komunën e Gostivarit dhe Strumicës ku do të nënshkruhen marrëveshje kolektive për rritjen e pagave për 2.806 denarë.

“Nesër do të vizitojmë Komunën e Gostivarit ku do të nënshkruajmë marrëveshje kolektive me kryetarin e komunës për harmonizimin e pagave për 2 806 denarë si dhe për Ndërmarrjen komunale publike. Pastaj jemi në Komunën e Strumicës ku do të nënshkruajmë marrëveshje për rritje të pagave për 2806 denarë me tri ndërmarrjet komunale dhe marrëveshje kolektive me kryetarin për rritje të pagave për 2806 denarë”, tha Dimovski.

Në këtë drejtim, ai tha se fatkeqësisht greva e përgjithshme e LSM-së jep fryte vetëm në nivel lokal dhe në ndërmarrjet e themeluara nga komunat.

“I bëj thirrje qeverisë që të ndjekë shembullin, të mos fshihet. Po ndjekim hapat që i bën qeveria dhe mund të them se për punëtorin nuk po bëhet asgjë për momentin, përveç regresit, siç shtë e diela ditë jopune në vendet turistike, që është bërë ditë pune për punëtorët. Por, siç thashë, ne punëtorët e mbajmë mend”, tha kreu i LSM-së.

Lidhur me takimin e djeshëm me ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, i pari i LSM-së tha se ministrja ishte ndryshe nga ministrat e tjerë dhe, siç tha, guxoi të dilte e të qëndronte krah për krah me ta, por se nuk iu ofroi zgjidhje për kërkesat e tyre.

“Natyrisht që aty duhet të vendosin më shumë sepse bëhet fjalë për të gjithë sektorin publik që mbulon mbi 130 mijë të punësuar, por gjithsesi është pozitive që ka qëndruar krah për krah me ne. Kërkesat janë ato. Nuk kemi lëshime dhe e dëgjojmë zërin e punëtorit dhe punonjësi thotë 2 806 denarë deri më 1 korrik. 1 korriku është për dy ditë, le të mendojnë se çfarë do të bëjnë. Atëherë për çfarë po flasim 18.4 për qind që nga shtatori në ligjin për pagën minimale. Le të llogarisin se çfarë do të thotë dhe sa do t’u kushtojë, duke e ditur se nuk duan t’i japin as 30 milionët që i kërkojmë me ribalancimin e buxhetit”, përfundoi Dimovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button