E mjera shqipe, ç’i punojnë dhe s’ka gjuhë të ankohet

Vazhdimisht dëgjojmë frazat: Gjuha e vulos identitetin e përbashkët kombëtar…Gjuha është shtylla e identitetit të një kombi…por, ç’bëjmë ne për ta ruajtur këtë gjuhë, sa të përgjegjshëm jemi ne ndaj saj?!

Jemi dëshmitar të realitetit në garimin se kush është më patriot se tjetri, kush është shqiptar më i madh se tjetri, ajo që na varfëron kombëtarisht dhe emocionalisht është se sot mjerisht të gjithë e nëpërkëmbin shqipen sikur ta kishin gjuhën e tyre amtare njerkë, dhe s’brengoset askush për normën e gjuhës dhe për rregullat gramatikore, për pastërtinë dhe për pasurimin e saj.

Gjuha nuk është vetëm një sistem i thjeshtë rregullash, por, pikërisht rregullat janë një shtyllë e domosdoshme për ndërtimin e saj.

Në asnjë mënyrë nuk mjafton të mësohet vetëm një listë fjalësh për të thënë se është përvetësuar një gjuhë. Këtë më së miri e dinë ata që përpiqen të mësojnë një gjuhë të huaj. Atyre nuk do t’u mjaftonte ta mësojnë përmendsh një fjalor të tërë për t’u aftësuar ta flasin atë gjuhë, që nënkupton se duhet përvetësuar patjetër edhe format e ndryshme që marrin fjalët në situate të ndryshme. Meqë morfologjia i studion pikërisht këto forma, mund të themi se përvetësimi i saj është kusht i domosdoshëm për mësimin e një gjuhe, qoftë ajo edhe amtare.

Mësimi i gjuhës shqipe ka për qëllim që te folësit e saj të zhvillojë interesimin, dashurinë dhe vullnetin për ta njohur e për ta zbatuar gjuhën shqipe si mjet themelor për të komunikuar dhe si tiparin më qenësor të identitetit kombëtar. Me përvetësimin e gjuhës në mënyrë të vetëdijshme dhe aktive t’i përvetësojnë e t’i zbatojnë dhe ligjshmëritë e gjuhës letrare shqipe, e me dashuri t’i zhvillojnë aftësitë individuale krijuese gjuhësore.

Kur gjuha është shkel e shko, edhe mendimet janë shkel e shko – thotë gjuhëtari ynë i njohur, Xhevat Lloshi.

Nuk mund të ketë standard 100  % ideal, standardi gjuhësor nuk është idiomë organike, por është diçka që krijohet, pastaj kultivohet dhe orientohet, ajo duhet të mësohet në mënyrë të vazhdueshme , sepse askush nuk lind me gjuhën standarde, sikurse me të folurit e natyrshëm (Ranko Bugarski).

Sa është aktuale edhe sot thënia e Zavalanit për keqpërdorimin e gjuhës shqipe, “e mjera shqipe, ç’i punojnë dhe s’ka gjuhë të ankohet”?!

Kjo thënie vazhdon të jetë aktuale edhe në ditët e sotme. Shqipja nëpërkëmbet kudo, në universitete, ne parlament, në shkollë, në media, në institucione të ndryshme, në botimet shkollore e shkencore etj., ku vihen re shkelje të mëdha të normës sonë gjuhësore. Na mungon sedra dhe turpi që nuk jemi në gjendje ta themi një mendim në një fjali të pastër pa gabime, kjo më së shumti bie në sy te “intelektualët” që me guximin e njeriut me pushtet dalin dhe flasin një gjuhë të çoroditur. Zavalani qahej me të drejtë se shqipen e nëpërkëmbin jo vetëm analfabetët e deklaruar, por edhe analfabetët me gramë, me kalem që janë prishësit më të rrezikshëm të gjuhës.

Ashtu sikur nuk mund të funksionojë shteti nëse shkelen ligjet kushtetuese, po ashtu nuk mund të funksionojë si duhet as gjuha shqipe nëse nuk përfillen rregullat e saj drejtshkrimore dhe drejtshqiptimore.

Koha e ka dëshmuar se përpjekjet individuale nuk kanë mundur të japin fryte të duhura përballë furtunave që fryjnë kundër shqipes tonë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së mbrojtjes institucionale të saj.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Me plot deshir ju perkrahi po fat keqsish politikanet n Shqipri e perzijn fjalorin me fjal italishte po ashtu edhe me serbisht nuk dua t efendoj as kend por ata nuk kujdesen ne gjuhen aq te bukur gjuha shqipe shembull perdorimi i fjales ¸¸ shanca¸¸ ajo nuk del nga fjalori i gjuhes shqipe nji tjeter n kosovi cili asht akademik perdor fjalen¸¸¸ parekselanc¸¸ q as kund nuk egziston n fjalori gjuhes ton ju pershendeti q sa ma para t mbahet kongresi per pastrimin e gjuhes ton shqipe

Back to top button