Për të mësuar sa është sot borxhi i Komunës së Tetovës duhet të presim të paktën deri në fillim të gushtit (VIDEO)

Shtatë muaj pas publikimit të borxhit të Komunës së Tetovës prej 24 milion eurosh ende nuk ka detaje nëse ky borxh gjatë kësaj periudhe është rritur, zvogëluar por edhe si është krijuar në formë të detajuar, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse kryetari i komunës disa herë ka theksuar se borxhi është ulur, deri tani nuk dihet për sa. Ndërkaq për të mësuar se sa është borxhi aktual i komunës, sipas Kasamit duhet të presim deri sa komuna të merr vendimin nga Gjykata e Apelit në Gostivar për një rast eksproprijimi.

Me këtë borxh, Komuna e Tetovës është një ndër komunat me borxhin më të madh në vend.

Komuna gjatë qeverisjes në krye me Kasamin nuk ka njoftuar opinionin ende se si qëndron gjendja financiare e komunës në këto tetë muaj qeverisjeje.

I pyetur se sa është sot aktualisht borxhi i komunës, Kasami thotë se janë në pritje të një vendimi për një rast eksproprijimi nga Gjykata e Apelit në Gostivar, që më pas të dalin me informatë.

“Në shumë gjëra komuna e Tetovës është e ndërvarur nga institucione të tjera, për një pjesë të rëndësishme të borxhit që kishte të bëjë me eksproprijimin dhe një vlerë që e ka rënduar buxhetin e komunës me 1.5 milion euro, ende nuk kemi një vendim të gjykatës së apelit në Gostivar. Nga momenti kur do të marrim këtë si informatë atëherë do të kemi mundësi të japim raport të detajuar se si është situata me borxhin me të cilin e kemi trashëguar edhe ku jemi sot. Pra presim të marrim vendimin përfundimtare nga gjykata e apelit në Gostivar për lëndën e eksproprijimit që ka rënduar buxhetin e komunës mbi 1.5 milion euro dhe pastaj të dalim me një raport për të gjithë borxhin tjetër edhe për të gjithë lëndët tjera”, tha Kasami.

Ai premtoi se nëse brenda korrikut nuk do të kenë përgjigje, do të dalin gjithsesi me raport për borxhin.

Kur jemi te borxhi, disa çështje vazhdojnë të mbeten të paqarta për opinionin, siç është shuma aktuale e borxhit në momentin që po flasim; kush e ka bërë këtë borxh, kur dhe pse; cili është plani për uljen e këtij borxhi të cilin komuna tha se e kanë krijuar; si dhe çështje të tjera me interes publik.

Për këtë, Kasami ka dorëzuar edhe padi në Prokurori për ishkryetaren Teuta Arifi për dëmtim të buxhetit të komunës për një mosmarrëveshje për eksproprijimin e një prone.

Kujtojmë që muajin e kaluar, i pyetur nga Portalb.mk Kasami tha borxhi është zvogëluar por për shumën e saktë presin vendim përfundimtar për padinë, presin që prokuroria të pezullojë pagesën e kësaj kamate dhe se  kanë marrëveshje me bizneset që ata të ja falin kamatën komunës dhe nga ai moment kur do jetë e qartë situata me këtë lëndë, për vlerën konkrete do të dalin me njoftim zyrtar.

Borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës kur u publikua në fund të muajit nëntor 2021 ishte mbi 24 milion euro, prej të cilave Komuna me mbi 14 milion euro borxh, NPK “Tetova” mbi 9.6 milion euro, NP “Parkingu i Qytetit mbi 87 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro.

Infografik nga Portalb.mk
Infografik nga Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button