Kovid: Shifrat do të rriten, por spitalet do të mbeten gjysmë bosh

Duke filluar nga fundjava e kaluar dhe ditët e para të kësaj jave, numri i të infektuarve me koronavirus në vend është në rritje, transmeton Portalb.mk.

Dje, pas një kohe të gjatë, janë regjistruar 168 raste të reja nga 1101 testime të kryera, që është 15% pozitive nga të testuarit.

Në periudhë më të gjatë nuk janë regjistruar vdekje për shkak të koronavirusit.

“Numrat në statistikat ditore për kovid-19 do të fillojnë të rriten me shpejtësi në javët në vijim si rezultat i ardhjes së omicron-BA 4 dhe 5 dhe ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është se spitalet do të jenë ende gjysmë bosh”, shkroi në Facebook dr. Niko Bekarovski nga Klinika e Toksikologjisë dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë.

Gjendja me kovid rritet me shpejtësi edhe në vende të tjera.

Greqia dje pas një periudhe të gjatë raportoi mbi 20 mijë të infektuar në një ditë.

Në Bullgari dje numri ishte mbi 500, në Serbi mbi 800 të infektuar në ditë dhe në Shqipëri 550.

Franca gjithashtu raportoi rritje të mprehtë të numrit të infeksioneve me koronavirus me 54 për qind në një javë.

Sipas të dhënave të publikuara dje, në një javë janë infektuar 147.248 persona, që është numri më i lartë i të infektuarve në Francë që nga fundi i prillit. Një javë më parë kishte 95.000 të infektuar.

Zyrtarët shëndetësorë njoftuan se janë hospitalizuar 15.496 persona, ndërsa para shtat ditësh 14.333.

Evropa po përballet me valën e shtatë të koronavirusit, e cila shpjegohet kryesisht me imunitetin më të ulët ndaj llojeve të reja të virusit, pavarësisht vaksinimit dhe sëmundjeve të infektuara më parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button