fbpx

Provimi pranues do të tregonte kush se sa di, njoftimi i ministrit i ndau qytetarët

Rezultatet e dobëta të cilat në testin kualifikues i shfaqën nxënësit, të cilët aplikuan për regjistrim në shkollën e mesme “Orce Nikollov”, e hapën çështjen e rikthimit të provimit pranues në sistemin arsimor, si mënyrë për të përzgjedhur qindra kandidatë me mesatare 5,00. Edhe ministri Jeton Shaqiri në një prononcim, për Meta.mk, para pak kohësh tha se nuk përjashtohet mundësia e futjes së provimit pranues pas analizimit të pesësheve që i marrin nxënësit, transmeton Portalb.mk.

Tema ngjalli shumë reagime dhe komente të profesorëve, prindërve por edhe të nxënësve të cilët janë pro dhe kundër vendosjes së testit eliminues gjatë regjistrimit në ndonjë shkollë të mesme.

“Testimi nuk është eksperiment, as ndëshkim, por kontrollim i njohurive. Kush ka frikë nga testimi, nuk dëshiron të dijë të vërtetën. Shkaku i deluzioneve kemi ardhur në këtë situatë”, thuhet në një nga komentet.

“Prindërit duhet të kërkojnë dituri për fëmijët e tyre në vend të notave. Të futet provimi pranues për regjistrim në shkollat e mesme dhe fakultete, të ketë kritere të rrepta për pranim në Fakultetin Pedagogjik dhe kritere akoma më të rrepta për punësimin e mësuesve, të cilët duhet të paguhen ashtu siç duhet”, thuhet në një koment tjetër.

Ka nga ata që janë të mendimit se nuk duhet eksperimentuar dhe se nxënësit nuk duhen dënuar me provime.

“Fëmijët i kanë të drejtat e tyre dhe një prej tyre është e drejta për arsim cilësor, jo stres dhe maltretim. E patë vetë se cilat ishin rezultatet e provimit të jashtëm”, ka theksuar një nënë.

Svetllana Dimitrievska, mësuese e pianos dhe udhëheqëse e klasës së pianos në Qendrën Shtetërore të Shkollës së Muzikës dhe Baletit “Ilija Nikolovski – Luj”, konsideron se me rastin e regjistrimit në shkollë të mesme duhet të bëhet test përzgjedhës.

“Duke pasur parasysh mënyrën e vlerësimit të nxënësve, e cila na është e njohur edhe pa rastin “Orce Nikollov”, sigurisht që duhet të ketë provim pranues për regjistrim në arsimin e mesëm.
Për të kapërcyer situatën me presionet nga të gjitha anët, të justifikuara dhe të pajustifikuara, personalisht mendoj se në radhë të parë nuk duhet të merret parasysh suksesi i arsimit fillor dhe të vlerësohen diplomat e arritjeve që lidhen me shkollën e mesme të dëshiruar”, thotë Dimitrievska.

Sipas saj, problem i madh është arsimi i mesëm i detyrueshëm, si dhe kurrikulat, të cilat pengojnë rrjedhën e vazhdueshme si për mësimdhënësit ashtu edhe për nxënësit.

“Problemi është i ndërlikuar dhe arsimi më në fund duhet të bëhet problemi parësor për t’u zgjidhur në mënyrë studioze, profesionale dhe të përkushtuar”, shtoi ajo.

Kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme Lluka Paviçeviq është i mendimit se, provime pranuese për regjistrim në shkollën e mesme, nuk duhet të ketë sepse sipas tij, ato nuk e zgjidhin problemin e inflacionit të notave dhe bien ndesh me parimin e arsimi i mesëm i detyrueshëm.

“Aplikimi i provimeve pranuese do të thotë që ne si sistem do të thoshim: ‘Nuk ka mënyrë të sigurohemi në cilësinë e notave nga shkolla fillore, ato nuk vlejnë, kanë qëndruar kot për nëntë vjet, do të duhet të bëhet provim krejtësisht i ri’. Në vend që të fokusohemi në futjen e metodave të vjetruara, si shtet duhet të mendojmë se si të përmirësojmë vlefshmërinë e notave. Ndoshta shkalla nga 1 në 5 nuk është e përdorshme më”, vlerëson Paviçeviq.

Për më tepër, sipas tij, është më e lehtë të mblidhen numra dhe të mxirren mesataret kur regjistrohen në shkollë të mesme apo fakultet dhe për këtë arsye beson se nevojitet një qasje holistike ku kandidatët do të shkruanin ese dhe do të kërkoheshin rekomandime për të kapur personalitetin e tyre të plotë.

“Po më habit pak zbatimi i kësaj ideje. Kush do t’i krijojë këto provime pranuese? Ministria? Pra, provimi pranues do të jetë i njëjtë për të gjitha shkollat ​​e mesme? Apo vetë shkollat? “Atëherë nga e dimë që provimet janë përshtatur me kurrikulën e shkollës fillore, e cila, meqë ra fjala, ende nuk korrespondon me kurrikulën “e vjetër” të shkollës së mesme?”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button