Me lule kundër thikës dhe ligësisë

Xhevdet Bajraj është poeti që rrallë i shfaqet një letërsie. Librat e tij zënë vend nderi në letërsinë tonë e më gjerë. Falë poezisë që ka krijuar, ai e ka siguruar një formë tjetër ekzistence.

Bajraj shkroi për njeriun – “qenien që jeton në ekzil”,“asgjënë hyjnore të quajtur jetë”, e cila shtrihet midis dy skajeve: lindjes dhe vdekjes. Në “asgjënë hyjnore” shkroi aq bukur për dashurinë, për gruan, këtë “copë të humbur parajse”.

Bajraj e luftoi tmerrin duke kënduar. Luftoi me lule kundër thikës dhe ligësisë. Në krijimtarinë e Bajrajt ka dhembje, trishtim, mall, dashuri, revoltë, por aty nuk ka urrejtje edhe pse autori ishte viktimë e urrejtjes dhe e shovinizmit.

Gjatë luftës u detyrua ta braktiste Kosovën, ku iu vranë miq fëmijërie, emrat e të cilëve i përjetësoi nëpërmjet poezisë. U vendos në Meksikë ku punoi si pedagog letërsie.

Xhevdet Bajraj u afirmua si poet edhe në sistemin kulturor meksikan. U vlerësua në qarqet më elitare meksikane e më gjerë. Poezia e tij u vlerësua nga shumë emra të shquar të letërsisë botërore. Në Meksikë i bëri shërbim të madh letërsisë sonë. Me Pedro Reygadas-in e botoi antologjinë e poezisë shqipe për lexuesin meksikanë.

Xhevdet Bajraj nuk u kaplua nga dallgët e snobizmit. Ai krijoi në heshtje teksa mbi supe i rëndonte kryqi i dhembjes i quajtur Kosovë. Poeti nuk u largua nga Kosova që ta harronte Kosovën. Ai kudo e përjetësoi emrin e saj. Kudo jetoi me problemet dhe dhembjet e vendit të tij.

Bajraj shkroi për Kosovën i pandikuar nga interesat meskine. Shkroi si idealist dhe si poet kundër “të shtrirëve në kokërr të shpinës në zyrën e shtetit”, të cilët në emër të lirisë ta neveritin lirinë. Shkroi për heronjtë e Kosovës që e kanë “luftën e tyre / varret e tyre / jetimët e tyre / të vejat e tyre”, por u harruan nga udhëheqësit e tyre që i “vjedhin paratë e mbledhura për statujën” e heroit.

Bajraj ishte i veçantë si Poet, si Njeri, si Mik. I dashur, shpirtgjerë, krijues i papërsëritshëm. Ai, siç thuhet në një poezi të Sarajliqit, vetëm e ka ndryshuar adresën. Adresën tokësore e ka ndryshuar me një adresë qiellore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button