PSE DHE KU IKËN RINIA?

U mundova të gjej statistika të qarta dhe të sakta për numrin e emigrantëve të ikur nga Maqedonia. Desha të kuptoj sa është ky numër, por sidomos më interesonte ndarja etnike dhe sociale e këtyre emigrantëve. Megjithatë burimet të cilat i gjeta tek-tuk nuk më duken më të sakta sesa muhabetet e kafeneve. E vetmja statistikë e vërtetueshme mu duk ajo e Eurostat që flet për një numër emigrantësh prej rreth 230 mijë sish të larguar nga vendi në një afat kohor 13 vjecar, prej vitit 1998 deri në vitin 2011. Pra një mesatare prej rreth 18.000 emigrantë vjetorë. Me një rritje të tillë lineare, rezulton që sot ky numër të jetë afër 300.000 të larguarve. Megjithatë mbes me përshtypjen se ky numër është më i madh.

Vetëm duke numëruar numrin e shokëve të mij të gjeneratës që janë larguar, nuk mundem e të mos rrënqethem. Më shumë se gjysma e tyre kanë ikur për të gjetur një të ardhme më të mirë. Shumë prej tyre nuk i kam takuar me vite, që kur kreva gjimnazin në Dibër. Ajo që më bën të mos besoj në vërtetësinë e statistikave oficiale, është fakti që shumica e këtyre shokëve e shoqeve të mia kanë ikur në mënyrë jolegale, duke paguar shuma marramendëse për të kaluar kufijtë e SHBA-ve dhe vendeve të BE-së si refugjatë. Më lodh dilema pse nuk i shfrytëzuan këto financa për të krijuar një të ardhme më të mirë për veten dhe familjet e tyre, për të hapur një biznes apo për të krijuar një vlerë shtesë në vendin e tyre.

Nuk dij sa prej jush kanë patur mundësinë të vizitojnë Dibrën viteve të fundit? (po e marr Dibrën si shembull të qyteteve të vogla, sigurisht që e njejta vlen edhe për qytetet tjera të vogla të Maqedonisë) Në fakt ekzistojnë dy Dibra: Njëra është Dibra me rrugët të stërmbushura me njerëz që bëjnë korzo, restorantet e dasmave të stërngarkuara nga dasmat e përnatshme, lokalet që gumëzhojnë nga të rinjtë dhe hareja. Kjo është Dibra e stinës së verës, “kur kthehen të rinjtë” – thonë në qytetin tim. Sa e tmershme kjo shprehje! Ndërsa tjetra është Dibra e vërtetë, një vend i boshatisur, që duket më i murgët sesa agimi i dimrit dhe më i vetmuar sesa një ditë me shi. Është për të të ardhur keq që një qytet që ka qenë bartës i historisë kombëtare, është katandisur në këtë derexhe.
E fajësoj edhe veten, por edhe të tjerët të rinj që e lamë të shkretë këtë vend – tani flas për të gjithë trevat. Por në një botë si kjo e sotmja, ku e mira e përgjithshme dhe idealet e kohërave të shkuara janë humbur në egërsinë dhe individualitetin e të tashmes, nuk ke se si të mos ikësh e të kërkosh perspektivën gjetkë, qoftë duke migruar në Shkup, apo edhe më keq duke emigruar në vende të largëta si Amerika dhe BE-ja.

Bile, në biseda kafenesh, shpeshherë mburren shkupjanët, tetovarët e gostivarasit se emigracionin ato e shohin si një fragment të domosdoshëm jete gjithmonë me qëllimin për t’u kthyer në vendlindje dhe për të krijuar vlerë të shtuar për veten, familjen dhe rrethinën e tyre. Ndërkaq dibranët dhe kërcovarët janë ata që ulin kokën, sepse shokët e tyre kanë emigruar tej oqeaneve, pa ndonjë vizion apo shpresë për t’u kthyer.

Efektet e këtij emigracioni mund të shihen nëpërmjet dy prizmave të kundërta në aspektin ekonomik. E para është ajo e matshmja: remitancat nga emigrantët. Sipas statistikave zyrtare të ofruara nga Banka Popullore e Maqedonisë, në vitin 2012 vlera e tyre kap shifrën prej 1.498 miljon EUR, ndërsa në vitin 2013 ka një rënie të ulët prej 74 milion EUR në 1.424 milion EUR. Mjete këto që shërbëjnë për të mbajtur gjallë këtë vend dhe popullatën e tij. Janë të ardhura shtesë për kokë banori prej rreth 750 EUR, ose 2.200 EUR për një familje tre anëtarëshe.

Në anën tjetër, trending-topic i viteve të fundit është rritja e kuantitetit arsimor në vend. Me vënien në praksë të ligjit që detyron arsimimin e mesëm, dhe me hapjen e shumë institucioneve univerzitare rritet kapaciteti dhe potenciali njerëzor i këtij vendi. Kapacitet ky i cili me një shfrytëzim më efikas të këtyre remitancave, mund të shëndrohet në fuqinë lëvizëse të kësaj ekonomie. Pasojat pozitive të kësaj do të kishin qenë ulja e emigracionit dhe rritja e mirëqenies shoqërore. Ikja e trurit është problem serioz për një vend të vogël si Maqedonia, sepse mjetet financiare të shfrytëzuara në arsimimin e të rinjve të vendit, ky shtet nuk ka mekanizma për t’i kthyer në vlerë të shtuar dhe në zhvillim ekonomik. Po ¬çka të thuash më shumë për një vend me politikë aq banale ekonomike që sheh ndërtimin e përmendoreve antike dhe ndërtesave me motive të një kohe të shkuar baroku e romanticizmi si prioritet dhe forcë zhvilluese e një modeli ekonomik.

Në kushte të këtilla të një politike kaotike ekonomike, domosdo që emigrimi është perspektiva e vetme për shumë të rinj që kanë investuar në zhvillimin e tyre intelektual. Ky vend, duke mos patur politika të qarta lidhur me parandalimin e emigracionit, ashtu si nuk ka politika të qarta për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të infrastrukturave ligjore dhe ekonomike, detyrimisht është i dënuar të shkojë drejt dekadencës. Mbetet detyrë e jona qytetare të kërkojmë më shumë nga liderët tanë, që të krijojmë një strategji nacionale lidhur me këtë problem që po na dëmton në më shumë aspekte.

 

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. “…që duket më i murgët sesa agimi i dimrit dhe më i vetmuar sesa një ditë me shi”.
    Mjaft e bukur kjo, Parim! do ta mbaj mend…

  2. Shkrim qe nuk arohet kur te lumt Parim, je dhe do mbetesh nje shembull i mir per gjith shqipetaret. Patriot me breza.

  3. Te lumte Parim, ky shkrim nuk arohet kure. Je nje shembull i mir per te gjith shqipetaret dhe ashtu do mbetesh je patriot me renje. Te lumt.

  4. Te lumte Parim ky shkrim nuk do arohet kure. Je nje shembull i mir per shqipetaret dhe ashtu do mbetesh, eke trashegimi patrotizmin te lumt.

Shiko edhe
Close
Back to top button