U prezantua raporti dhe udhëzimet për avancimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut

Derdhja aktuale e stafit të nivelit të lartë administrativ, mungesa e përditësimit dhe zbatimit të strategjive, qasja e kufizuar në shërbimet elektronike, por edhe niveli i ulët i interesimit të qytetarëve për pjesëmarrje elektronike, janë pjesë e sfidave të evidentuara në Raportin e tretë për gjendjen aktuale dhe udhërrëfyesin për promovimin e Agjendës Digjitale në Maqedoninë e Veriut që u publikua nga Fondacioni Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.

Në raportin e prezantuar në dialogun e djeshëm “Agjenda Digjitale për Qytetarët – Digjitalizimi dhe Transformimi Digjital për Administratë më Efikase”, i cili ka të bëjë me periudhën qershor 2021 – qershor 2022, theksohet se pavarësisht numri i shërbimeve elektronike, si dhe numri i përdoruesve nga viti në vit po shtohet, megjithatë portali uslugi.gov.mk nuk është mjaftueshëm i promovuar te qytetarët. Në të njëjtën kohë, shumë prej shërbimeve nuk janë aspak elektronike, kurse për ato që janë të tilla, pritja është shumë e gjatë, gjë që është e papërshtatshme për kuptimin dhe qëllimin e tyre.

“Jo të gjitha shërbimet janë elektronike. Ato janë në listën e portalit, por nuk janë elektronike, gjegjësisht aty ka udhëzime vetëm se si mund të merren shërbime të caktuara në sportel dhe si qytetarët mund t’i drejtohen një institucioni dhe të marrin shërbimin. Përveç kësaj, ky portal nuk është vendi i vetëm për të gjitha shërbimet. Nuk janë të regjistruara të gjitha shërbimet, kurse edhe ato ekzistuese nuk janë plotësisht të digjitalizuara. Nevijotet angazhim më i madh për përmirësimin e funksionalitetit të portalit”, theksoi Dr. Natalija Shikova, Profesoreshë e Asociuar në Fakultetin Juridik në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik.

Për sa i përket vullnetit dhe strategjisë politike, është në nivel të lartë dhe është pjesë e prioriteteve të Qeverisë. Në këtë fushë ka shumë strategji, por shumë nga ato janë të vjetruara dhe duhet të përditësohen.

“Sidomos bëhet fjalë për strategjinë afatgjatë Kombëtare të TIK-ut, e cila është gati, por miratimi i saj vonohet. Problemi më i madh me strategjitë, përveç që nuk përditësohen, është edhe zbatimi i tyre”, tha Shikova.

Në hulumtim janë shënuar se shumica e strategjive kombëtare kanë të bëjnë me shërbimet e marra në nivel qendror, ndërsa digjitalizimi në nivel lokal është neglizhuar.

Kur është fjala për interoperabilitetin, ndërlidhja dhe shkëmbimi i të dhënave ndërmjet organeve shtetërore, institucioneve dhe kompanive afariste në Maqedoninë e Veriut mundësohet përmes Platformës së Interoperabilitetit. Megjithatë, që nga viti 2021, nuk ka asnjë institucion të ri që i është bashkuar kësaj platforme dhe disa prej atyre që janë të pranishëm atje nuk janë gati t’i ofrojnë shërbimet e tyre në mënyrë interoperabile.

“Nga të gjitha institucionet që janë aktualisht në Platformën e Interoperabilitetit, vetëm 14 janë plotësisht të gatshme në aspektin teknik – kanë staf, kushte teknike dhe zgjidhje të përshtatshme softuerike moderne. Në nivel mesatar kemi vlerësuar 10 institucione, të cilave u mungojnë disa nga segmentet e përmendura. Institucionet e nivelit të ulët, ku janë 10 institucione, është një shifër serioze, duke pasur parasysh se në Platformë kemi gjithsej 35 institucione, nuk kanë as stafi teknik, as pajisje dhe as zgjidhje moderne softuerike që të mund të ofrojnë shërbime interoperabile”, theksoi Dr. Irena Bojaxhievska, Docente në Universitetin Amerikan Kolegji në Shkup.

Pavarësisht se kemi një platformë për interoperabilitet, përfitimet që duhet t’i ndjejnë qytetarët nga interoperabiliteti ende nuk janë të pranishme në terren, ka shtuar Bojaxhievska.

Përkundër faktit se në vend ekziston një kornizë e duhur ligjore se kush mund të jetë ofrues i nënshkrimeve digjitale, dy kompanitë që janë të vetmet të certifikuara për këtë – KIBS AD Shkup dhe Telekomi i Maqedonisë SHA Shkup, nuk janë përgjigjur se sa subjekte fizike dhe juridike janë përdorues të nënshkrimit digjital.

Kur është fjala për shkrim-leximin digjital, Bojaxhievska thotë se këtë vit më në fund u bë e qartë se në Maqedoni nuk do të bëhet strategji e vetme kombëtare për arsimim digjital, por do të integrohet në tri politika të ndryshme.

“Një pjesë e strategjisë do të përfshihet në politikat e punësimit, një tjetër në Strategjinë Kombëtare të Arsimit dhe e treta në Strategjinë e shumëpritur të TIK-ut, ku aftësitë digjitale do të ndahen në shkrim-lexim digjital të popullsisë, por edhe të administratës, sepse nuk mund të presim shërbime elektronike dhe ndërtim të shoqërisë informative nëse punëtorët në institucione nuk kanë njohuri adekuate teknike për t’i ofruar këto kushte”, tha Bojaxhievska.

Në rekomandimet e Raportit thuhet se Qeveria duhet të caktojë një raportues i cili do të raportojë rregullisht për progresin në zbatimin e Agjendës Digjitale dhe të cilin qytetarët do ta njohin në këtë kontekst. Për më tepër, është e nevojshme të investohen burime në institucione për të tejkaluar mungesën e stafit të TI-së, vjetërsimin e kapaciteteve teknike apo mungesën e plotë të tij.

Sllavica Grkovska, zëvendëskryeministre përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, theksoi se transformimi digjital i shoqërisë nuk ka alternativë dhe se është parakusht për ndërtimin e një shoqërie më efikase dhe transparente dhe është një nga fokuset e kabinetit të saj.

“Zhvillimi i teknologjisë digjitale prek pothuajse çdo segment të shoqërisë sonë dhe na jep mundësi të përmirësojmë cilësinë e jetës sonë dhe shërbimet që institucionet i ofrojnë për qytetarët, t’i bëjmë institucionet më efikase dhe në atë mënyrë t’ua kursejmë kohën dhe burimet që shpenzohen në ofrimin e shërbimeve, por edhe në funksionimin e sistemit”, tha Grkovska.

Sllavica Gërkovska, Zëvendëskryeministre e RMV
Sllavica Gërkovska, Zëvendëskryeministre e RMV

Grkovska shtoi se procesi i digjitalizimit po zhvillohet me dinamikë siç e lejon numri i stafit në institucione dhe se ky proces nuk duhet të nxitohet.

Parakusht për transformim digjital efikas të shoqërisë është posedimi i letërnjoftimit elektronik që do të mundësojë identifikimin elektronik dhe nënshkrimin elektronik, si dhe do të mundësojë përdorimin e shërbimeve me një llogari.

“Falë DHP-së, kemi një llogari që mund të përdoret për të marrë shërbime elektronike të Qeverisë, megjithatë kemi sisteme si ai në Kadastër që ka një llogari tjetër. Me vendosjen e letër njoftimit elektronik, për të cilën në të gjitha vendet mbizotëron mendimi i pakontestueshëm se paraqet bazë për transformimin digjital në shoqëri, qytetarët do të kenë mundësi, pa qenë në situatë të mbajnë mend llogari të ndryshme nga institucione të ndryshme, me një llogari, vetëm me letërnjoftim duhet të ketë qasje në të gjitha kushtet elektronike të Qeverisë”, tha Grkovska.

Profesori Boro Jakimovski nga Fakulteti i Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI) theksoi se FINKI ka 11 vjet që punon në mënyrë aktive në fushën e edukimit të stafit të TIK-ut dhe në mënyrë aktive kontribuon në zhvillimin e shoqërisë digjitale dhe digjitalizimin e vendit.

“Është shumë e rëndësishme të theksohet se ne jemi duke punuar në mënyrë aktive për të mbështetur aktivitetet për zbatimin e busullës digjitale të Bashkimit Evropian të miratuar rreth dy vjet më parë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se atë që Evropa e quan digjitalizim nuk është thjeshtë përdorimi i kompjuterëve, por përdorimi i teknologjive të avancuara në vendimmarrje, zbatimi i shërbimeve, por sigurisht fokusi i busullës digjitale është futja e qendrave inovative digjitale ku do të formohen teknologjitë e ardhshme dhe startup-et e ardhshme që do të lëvizin para ekonominë e Maqedonisë, por edhe ngritja e aftësive digjitale dhe futja në përdorim e shërbimeve të reja elektronike nga sektori publik”, theksoi Jakimovski.

Boro Jakimovski, FINKI
Boro Jakimovski, FINKI

Kryetari i Gjykatës Themelore – Kavadar, Llazar Nanev, theksoi se pa motivim dhe organizim të mirë nuk mund të bëhet fjalë për digjitalizim dhe se rezistenca më e mëdha në këtë rast krijohet nga burokracia.

“Procesi i digjitalizimit është në fakt një luftë e shtetit kundër shtetit. Një nga rezistencat më të mëdha i krijon burokracia, përkatësisht të gjitha burimet njerëzore. Kur dëgjoni se procesi i digjitalizimit duhet të zgjasë 25 vjet, është vërtet de-motivues dhe dekurajues,” tha Nanev.

Përkundër ndërrimit të qeverisë në vitin 2016, ne kemi arsye të pohojmë se kemi një sektor publik autoritar, tha Katerina Kollozova nga Instituti i Shkencave Sociale dhe Humane në Shkup. Ajo theksoi se digjitalizimi duhet të mundësojë që kultura politike e institucioneve nga autoritare të bëhet shërbim për qytetarin, ku institucionet dhe sektori publik do të jenë në shërbim të qytetarëve. Çkapja e institucioneve nuk do të jetë e plotë pa digjitalizimin.

“Është një konfigurim sistemor, një strukturë mbase e trashëguar nga sistemi i mëparshëm dhe nuk ka pësuar një transformim vlerash. Për të gjithë procesin e tranzicionit, deri më sot kultura jonë politike mbetet në thelb autoritare. Kur themi këtë, nuk do të thotë se populli dëshiron autoritarizëm, por do të thotë se si populli ashtu edhe institucionet janë mësuar të jenë autoritar. Është një sistem në të cilin sektori publik shërben për të mbrojtur shtetin nga qytetarët potencialisht të dëmshëm. Prandaj qytetari është ai që shkon me tre mijë certifikata të noterizuara për çdo gjë dhe dëshmohet para sistemit, në vend që sistemi të kontrollojë sipas detyrës zyrtare dhe t’i japë kështu qytetarit një shërbim më të mirë”, tha Kollozova.

Katerina Kollozova, Instituti i Shkencave Sociale dhe Humane - Shkup
Katerina Kollozova, Instituti i Shkencave Sociale dhe Humane – Shkup

Iskra Bellçova Ristovska nga Qendra për Menaxhim me Ndryshimet theksoi se shërbimet digjitale dhe transformimi i administratës drejt operacioneve digjitale nuk kanë për qëllim vetëm shërbime më të mira për qytetarët, por në këtë mënyrë të punësuarit në administratë do të jenë më efikas dhe korrupsion në Sektori publik do të reduktohet. Sipas saj, shteti nuk është mjaftueshëm ambicioz sa i përket përdorimit të shërbimeve digjitale.

“Ne ende nuk jemi mjaftueshëm ambiciozë. Kur flasim për Strategjinë Kombëtare për Punësim, ka një tregues se deri në vitin 2027 pajisje TIK do të sigurohen për të paktën 50 për qind të institucioneve arsimore publike. Kjo është larg nga ajo se si ne duam që vendi të jetë ambicioz në drejtim të krijimit të infrastrukturës për tranzicion digjital,” tha Bellçova Ristovska.

Iskra Bellçova Ristovska, Qendra për Menaxhim me Ndryshime
Iskra Bellçova Ristovska, Qendra për Menaxhim me Ndryshime

Ajo tha se konkurset për bursa studentore dhe për nxënësit, ushqime të subvencionuara të studentëve, akomodim në konvikte dhe regjistrim në arsimin e mesëm, të cilat u zhvilluan në mënyrë elektronike vitin e kaluar, u pranuan nga publiku i synuar dhe rezultuan të jenë më efikase dhe më transparente se ato tradicionale në letër.

Përndryshe, përgatitja e Raportit  të paraqitur është pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes Qytetare në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian.

Prezantimin mund ta ndiqni në videon e mëposhtme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button