Pendarovski nga Samiti i NATO-s: Koha e duhur për të treguar solidaritet dhe kohezion më të madh në Aleancë

Presidenti Stevo Pendarovski, i cili kryeson delegacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Samitin e NATO-s në Madrid, tha se ky samit është një mundësi unike për të gjithë aleatët që të tregojnë forcë dhe kohezion në raport me detyrat tona aktuale dhe të ardhshme, transmeton Portalb.mk..

“Ky samit është i veçantë dhe sipas një specifike tjetër. Asnjëherë në historinë e Aleancës që nga viti 1949 nuk është organizuar një samit në të njëjtën kohë kur po zhvillohet luftë në kontinentin evropian. Mund ta imagjinoni që lufta në Ukrainë, pra pushtimi rus i Ukrainës dikton axhendën e samitit, kështu që deri në fund të kësaj dite, duhet ta miratojmë Konceptin e ri strategjik, i cili u sinkronizua plotësisht dje nga të gjithë aleatët dhe kuptohet, duhet ta miratonim Memorandumin e mirëkuptimit të rënë dakord dje dhe t’i ftojmë dy vendet e reja të anëtarësohen në Aleancë sa më shpejt të jetë e mundur pasi të gjitha procedurat protokollare të jenë miratuar nga të gjithë aleatët. Mendoj se kjo është koha e duhur për të treguar se ka solidaritet dhe kohezion të shtuar brenda Aleancës dhe se ne do të mbështesim plotësisht popullin ukrainas në mbrojtjen e territorit të tij, lirisë, në thelb duke luftuar për vlerat demokratike dhe lirinë për të gjithë ne”, tha Presidenti Pendarovski para fillimit zyrtar të samitit.

Sfidat aktuale të sigurisë do të trajtohen në samitin e Madridit dhe pritet të miratohet Koncepti i ri Strategjik i NATO-s.

Në ceremoninë pritëse, krerët e delegacioneve u përshëndetën nga nikoqiri, kryeministri i Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez dhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së NATO-s, Jens Stoltenberg.

Presidenti Pendarovski sot dhe nesër do të marrë pjesë në tri mbledhjet e Këshillit të Atlantikut të Veriut, të cilat mbahen në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive.

Në delegacionin shtetëror janë ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

Presidenti Pendarovski i shoqëruar nga bashkëshortja e tij do të marrin pjesë në një darkë joformale transatlantike në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, të organizuar nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Në kuadër të Samitit të NATO-s, presidenti Pendarovski po zhvillon disa takime bilaterale.

Samiti i NATO-s në Madrid adreson sfida urgjente të sigurisë së sotme dhe të së ardhmes. Takimet e liderëve të Këshillit veriatlantik janë planifikuar të fokusohen në miratimin e Konceptit të ri Strategjik, ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes, ndarjen e barrës dhe furnizimin e burimeve, mbështetjen për Ukrainën dhe partneritete të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button