Limani: Kemi mbetur në rrugë, ndihmat nga komuna askund

Familja Limani nga lagjja e Dizhonit kanë mbetur në rrugë nga vërshimet e disa ditëve më parë dhe që nga atëherë kjo familje nuk është vizituar nga askush nga institucionet shtetërore për tu ofruar ndihmë.

Kryefamiljari Kadri Limani shprehet i dëshpëruar dhe thotë për Portalb se kanë mbetur në rrugë dhe se askush nuk ju ka ofruar ndihmë.

“Vërshimet na kanë shtrirë për toke, isha në komunë të Çairit dhe kërkova ndihmë sepse shtëpia për momentin është e pa banueshme dhe nga komuna me than të pres. Sa të pres, ku të rri, si të jetoj? Pro normal atyre nuk u intereson”, thotë Limani.

Ai për vërshimet fajëson vetë komunën sepse thotë se uji që mblidhen tek shtëpia e tyre, vjen nga oborri i shkollës fillore “Imri Elezi”.

“Komuna duhet të ndihmojë, sepse është faji i tyre që ne jemi në këtë gjendje. Nuk kanë rregulluar kanalizimin dhe i gjithë uji i oborrit të shkollës mblidhet para shtëpisë tonë dhe për këtë arsye u vërshuam. Nuk besoj që do të na ndihmojë diçka komuna, megjithatë unë fotografitë i kam bë dhe si thotë populli shpresa vdes e fundit”, shtoi Limani.

Kushërinjtë janë ata që më ndihmojnë për mbijetesë, tha Limani.

Ndërkaq nga komuna e Çairit, Rami Qerimi bën të ditur se gjatë ditës së djeshme është formuar komisioni për vlerësimin e dëmeve dhe se gjatë ditës së sotme do të dalin në teren.

“Komisioni është formuar në një kohë rekord, dhe prej sot e gjatë ditëve në vijim do të dalin në teren dhe do t’i vizitojnë ato familje të cilat janë ankuar në komunë për dëme nga vërshimet”, tha Qerimi.

Përderisa meteorologët paralajmërojnë të reshura të shiut për fundjave, banorët e prekur nga vërshimet frikësohen se sërish mund të ju hyn uji në shtëpi, dhe shprehen se janë të traumatizuar nga radha e kaluar.

Kurse gjatë ditëve të fundit kemi parë disa fotografi në të cilat vërehen thasë të mbushura rërë në afërsi të objekteve të ndryshme, të cilat vlerësohen të jenë masë preventive për vërshime.

Lajme të ngjashme

Back to top button