Shkolla e re në Reçicë të Vogël, Kasami premtoi se në shtator nxënësit do fillojnë mësimin në objektin e ri (VIDEO)

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami premtoi se përkundër lëshimeve në procedura nga MASH dhe udhëheqësia paraprake e komunës, do angazhohen që shkolla e re në Reçicë të Vogël të lëshohet në përdorim në shtator. Problem në këtë proces janë disa procedura të papërfunduara. Nuk është bërë pranim-dorëzimi teknik i objektit në komunë. Ministria e Arsimit thotë se Komuna e Tetovës duhet ta ta regjistrojë në librin publik të patundshmërive dhe të dorëzojë listë të re pronësore me objektin e regjistruar, që pastaj të bëhet pranim-dorëzimi teknik, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse Ministria e Arsimit ditë më parë thanë se pranim dorëzimi është bërë nga ana e komunës së Tetovës, kjo rezulton të mos jetë ashtu. Komuna e Tetovës thotë se i njëjti është bërë nga drejtoria e shkollës. Ndërkaq, MASH për Portalb.mk ndërroi fjalët, kësaj here thanë se Komuna duhet të mbarojë disa procedura të tjera që të bëhet pranim-dorëzimi teknik.

“Në pajtim me Marrëveshjen ndërmjet Komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, neni 5 obligim i Komunës së Tetovës është që objektin ta regjistrojë në librin publik të patundshmërive dhe të dorëzojë listë të re pronësore me objektin e regjistruar, pas së cilës procedurë është e nevojshme që me Vendim të Qeverisë së RMV nga ana e MASH-it objekti t’i dorëzohet Komunës së Tetovës. Lista pronësore është dhe mbetet e RM, ndërsa objekti duhet të regjistrohet nga Komuna e Tetovës përmes sistemit – leje ndërtimi MK me: Projekt bazë i cili është në pronësi të Komunës së Tetovës dhe në bazë të të cilit është lëshuar Leja e Ndërtimit; Procesverbal për inspektimin teknik ndërmjet përfaqësuesit-personit të autorizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjatë ndërtimit, kontraktorit dhe organit mbikëqyrës më 07.09.2021; Raport Përfundimtar nga Organi Mbikëqyrës gjatë pranimit teknik të objektit i cili është kryer në datë 07.09.2021”, thanë nga MASH.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kjo është obligim i ministrisë që të bëjë pranim dorëzimin që pastaj të vazhdohet me procedurat tjera. Ai thekson se në këtë projekt janë bërë shkelje në procedura.

“Fillimisht objekti si objekt nuk është bërë pranim-dorëzimi, atë e ka obligim ministria. Pra ministria përderisa e ndërton objektin, kur do të jetë i gatshëm për pranim-dorrëzim, ata duhet të na dorëzojnë që ne të vazhdojmë me procedurat tjera. Sidoqoftë ne jemi në komunikim të afërt me ministrinë e Arsmit dhe ne do ta bëjmë të gjithë pjesën tonë të obligimit që me 1 shtator nxënësit të nisin atje. Fatkeqësisht është një ndër projektet te të cilat ata e lëshuan në përdorim dhe tani po del që nuk është bërë pranimi-teknik. Ne nuk do të bëjmë projekte gjysmake, nuk do të bëjmë projekte vetëm për shkak të zgjedhjeve, projektet të cilat ne do ti promovojmë do të jenë të kompletuara”, tha Kasami.

Ai shton se Komuna për pjesën e vet që ka të bëjë obligimet e veta është duke i zgjidhur në bazë ditore.

“Për pjesën e pronës, tokës, ata është dashur fillimisht t’i thonë komunës se ku ndërtojnë. Edhe njëherë një argument shtesë që janë bërë projekte pa u respektuar procedurat. Ne po i zgjidhim këto probleme, këto është dashur të zgjidhen para se të nis ndërtimi i objektit. Por ne do e zgjidhim edhe këtë që me 1 shtator që nxënësit të fillojnë në atë shkollë”, tha Kasami.

Rikujtojmë që nga Sektori për arsim në komunë ditë më parë thanë se Komuna ka edhe disa probleme teknike në regjistrimin në kadastër të shkollës.

Shkolla shumë e pritur, premtuar dhe e stërdiskutuar në Reçicë të Vogël u përfundua në muajin shtator, dhe u hap në mënyrë simbolike vetëm për klasën e parë që filloi me 1 shtator të vitit që e lamë pas.

Ndryshe, kjo shkollë u ndërtua pas 9 viteve premtime parazgjedhore. Portalb.mk ka ndjekur dhe do të vazhdoje të ndjekë dinamikën e punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, për shkak se njëjta është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button