ANALIZË: Pas vërshimeve a vjen cunami i çmimeve?

Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia do të fillojnë t’i numërojnë dëmet materiale nga vërshimet shkatërruese. Është e qartë se humbjet maten në miliarda euro, por sipas komunitetit vendoir afarist, ajo që ndodh në këtë vende të afërta nuk duhet të injorohet, veçanërisht kur dihet se ky rajon është një treg i afërt gjeografik për produktet e Maqedonisë. Një pjesë e afaristëve thonë se do të ketë pasoja, por parashtrohet pyetja se si ato do të menaxhohen dhe do të amortizohen. Agroekonomistët thonë se vendi me kohë duhet të nënshkruajë kontrata të reja me partnerë të rinj që të mund t’i sigurojë sasitë e nevojshme të produkteve ushqimore nga importi. Biznesmenët kanë frikë se, importi nga vendet e tjera, kontratat e reja, harxhimet e zmadhuara të transportit do të ndikojnë në produktin e fundit me çmim më të lartë për qytetarët.
Ushqimi do të shtrenjtohet? 
Sipas vlerësimeve të komunitetit të biznesit sektorët e parë që do të pësonin goditje janë bizneset e transportit dhe ai ushqimor. Pasoja nga vërshimet do të ketë, por varet se si do t’i analizojmë ato, nga aspekti i importi ose eksportit, thotë për “Portalb”-in, Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.
Bujqit, gjegjësisht prodhuesit që kanë plasman në tregun serb dhe atë boshnjak, për shkak të mungesës së mundshme të produkteve dhe të lëndëve të para në këto vende, mund të ballafaqohen me kërkesë më të madhe.
“Nëse shohim nga ana e prodhuesve, gjegjësisht bujqve, kjo do të thotë se në kushte të kërkesës së rritur, ata do të mund të sigurojnë çmime më të larta të shitjes së produkteve të tyre për shkak se në treg do të ketë konkurrencë më të vogël të produkteve bujqësore, veçanërisht për specat, grurin dhe drithin” – thotë Halili.
Në rastin e dytë, në kushte kur Maqedonia është e varur nga importi prej Serbisë, veçanërisht për drithërat, zgjidhja do të duhet të kërkohet në tregje të tjera alternative, që do të shkaktojnë shpenzime më të mëdha. Mu ky skenar, në fund mund të reflektohet edhe mbi çmimet e produkteve për qytetarët.
“Për shkak të vërshimeve, Maqedonia tashmë duhet të mendojë se prej ku do ta sigurojë mungesën e lëndëve të para dhe produkteve në treg. Çdo prodhim që duhej të sillej nga Serbia dhe Bosnja, tani tregtarët do të duhet ta sigurojnë prej tregjeve të tjera. Nënshkrimi i kontratave të reja, me çmime të reja, harxhime më të mëdha të transportit, do të thotë edhe rritje e çmimeve të produktit të fundit në vend” – vlerëson Halili.
Ka mundësi të pritet ndërprerje në importin e produkteve, konsideron edhe afaristi Xhemail Dauit.
“Serbia është një rrugë e rëndësishme tregtare nëpërmjet së cilës kalojnë kamionët për në Bashkimin Evropian, Ukrainë dhe në Rusi. Për shkak të vërshimeve, gjegjësisht kapaciteteve të dëmtuara industriale dhe tokën e vërshuar bujqësore mund të pritet ndërprerje në kontinuitetin e dërgimit të produkteve. Sipas meje, ky import i planifikuar në Maqedoni, më shumë ka llogari të mbulohet me import nga Kosova, e cila është një partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë” – konsideron Dauti.
Përveç pasojave në këmbimin tregtar, sipas biznesmenëve, me probleme mund të ballafaqohet edhe biznesi i transportit, ndërsa efekti përfundimtar përsëri do të reflektohet mbi çmimin e produkteve për qytetarët.
“Harxhimet e transportit do të rriten, e kjo do të reflektohet më së shumti në çmimin përfundimtar të produkteve ushqimore. Poashtu duhet të merret parasysh se Maqedonia nuk importon vetëm produkte nga Serbia dhe Bosnja, por edhe nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa transporti realizohet mu nëpërmjet territorit të Serbisë. Varësisht nga ajo se si do të zhvillohen punë në veri, duhet të mendojmë edhe për rrugë të tjera alternative se si kamionët të shkojnë në Evropë dhe të vijë prej atje. Kjo mund të nënkuptojë rritje të harxhimeve të transportit, që, siç theksova, do të ndikojë në çmimin përfundimtar të produkteve, gjegjësisht kjo do të nënkuptojë çmim më të lartë për konsumatorët.” – thotë Halili.
Një pjesë e agroekonomistëve theksuan se Maqedonia tashmë duhet të mendojë për nënshkrimin e kontratave të reja me partnerë të rinj që të mund të ballafaqohet në kohë me pasojat eventuale nga vërshimet në rajon.
Me cilat vende, si bëjmë tregti…. 
Në pesëshen e parë të partnerëve tregtarë numërohen Gjermania, Greqia, Britania e Madhe, Serbia dhe Italia. Vetëm me Gjermaninë vlera e përgjithshme e importit dhe eskportit arrin në 2,2 miliardë dollarë që e rangon këtë ekonomi në vendin e parë si destinacion tregtar. Nga rajoni, ja me cilat vende dhe çfarë këmbimi tregtar ka realizuar Maqedonia në vitin 2013:

Serbia 791,9 milionë dollarë
Kosova 306,0 milionë dollarë
Bosnja dhe Hercegovina 158,1 milionë dollarë
Kroacia 215,4 milionë dollarë

Kjo do të thotë se në tregtinë e përgjithshme, Serbia merr pjesë me 7,3%, Kosova me 2,8%, Bosnja dhe Hercegovina me 1,5% ndërsa këmbimi tregtar me Kroacinë është 2%. Nga të gjitha vendet e rajonit, vetëm me Kosovën vendi realizon suficit tregtar, gjegjësisht Maqedonia ka më tepër eksport se sa import. Kryesisht rritja e eksportit në Kosovë u gjenerua nga eksporti i naftës, gjegjësisht derivateve të naftës, mirëpo ky treg vlen edhe si destinacion tregtar i produkteve bujqësore.
Në Serbi, ku për shkak të fatkeqësisë elementare, mund të problematizohen marrëdhëniet tregtare, Maqedonia më së shumti eksporton produket të hekurit, verë dhe rrush të freskët, barna, domate, cigare, brumëra etj. Nga Serbia më së shumti importojmë energji elektrike (në vlerë prej rreth 66 milionë dollarë amerikanë), produkte të hekurit, drith dhe ushqim tjetër në formë të kokkrave, miell dhe ujë.
Përderisa një pjesë e komunitetit afarist paralajmërojnë se duhet të ndërmerren masa për t’u ballafaquar me pasojat e mundshme të asaj që është duke ndodhur në rajon, nga qeveria thonë se nuk presin ndonjë efekt negativ. Paradokohësh, ministri për ekonomi deklaroi se pasoja eventuale do të mund të kishte në transportin e mallrave, gjegjësisht, mund të ketë vonesë të caktuar në porositë dhe dërgesat e mallrave.
Edhe pse Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina tani do të fillojnë t’i numërojnë dëmet, vlerësohet se atoi arrijnë në 1,5 miliardë euro. Në Bosnje dhe Hercegovinë vlerësohet se 30% e kapaciteteve prodhuese janë dëmtuar nga vërshimet.

Aneta Dodevska, Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button