MPJ bullgare për vendimin e Parlamentit: Radhën e ka vendi ynë fqinj për të treguar përkushtim dhe dëshirë për të ardhmen evropiane për të dhe rajonin

Ministria e Jashtme bullgare ka bërë të ditur sot qëndrimin e saj zyrtar, pasi dje Parlamenti bullgar miratoi një rezolutë me kushtet me të cilat Bullgaria do të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, transmeton 360 shkallë, përcjell Portalb.mk.

“Kuvendi i dyzeteshtatë Popullor i Republikës së Bullgarisë ka marrë një vendim historik për të mbështetur hapjen e rrugës për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian nën parametra specifikë. Në këtë kontekst, Asambleja Kombëtare pret që Këshilli i Ministrave të miratojë Kuadrin e Negocimit dhe konkluzionet e Këshillit të propozuara zyrtarisht nga Presidenca aktuale franceze, si dhe të nënshkruajë Procesverbalin e Sesionit të Dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar sipas nenit  12 të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut, për parametrat kryesorë të së cilës u arrit marrëveshje parimore me Shkupin”,  thuhet në deklaratë.

Më tej, thuhet se vendimi i Asamblesë Kombëtare Bullgare nuk do të ishte i mundur pa, siç thuhet, angazhimin e vendosur të Francës, si Presidente e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së, për stabilitetin dhe prosperitetin e Unionit dhe të Ballkanit Perëndimor.

“Qasja e propozuar nga Presidenca synon të gjejë zgjidhje të pranueshme reciprokisht që janë në interes të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe nën dritën e agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Çelësi i vendimit ishin përpjekjet konsekuente të institucioneve bullgare ndër vite dhe veçanërisht në muajt e fundit – angazhime që në radhë të parë kanë parasysh interesin kombëtar, por edhe vlerat dhe prioritetet evropiane”,  thonë nga Ministria e Jashtme bullgare.

Ata sqarojnë se parametrat e Vendimit të Parlamentit bullgar janë të bazuara në propozimin e Presidencës franceze dhe nuk parashtrojnë kushte të tjera nga ato të diskutuara tashmë në diskutimet në Bashkimin Evropian dhe gjatë negociatave bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Ky vendim pasqyron mbështetjen e gjerë të partive të përfaqësuara në Parlamentin në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Bullgarisë për të ardhmen evropiane të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Ministria e Jashtme, duke shtuar se ata janë të gatshëm të nënshkruajnë Protokollin sipas Nenit 12 të Marrëveshjes për  miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Faktorët përgjegjës në vendin tonë fqinj e kanë radhën të tregojnë, jo me fjalë, por me vepra, përkushtimin dhe dëshirën e tyre për të ardhmen e tyre dhe të rajonit, në BE. Shpejtësia me të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian varet nga kjo dhe nuk do të vonojë nëse vendi i përmbush obligimet e veta ndaj vlerave evropiane dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në edicionin e djeshëm të televizionit “360 gradë” në Alsat tha se shpreson që korrigjimet e momentit të fundit të miratuara nga Kuvendi bullgar në vendimin për pranimin e propozimit francez “të ofrojnë bazë për mirëkuptimtë pozicioneve tona në proces”.

“Sigurisht që në përcaktimin e kësaj pakete janë marrë parasysh qëndrimet bullgare, sepse për të dhënë pëlqimin, Bullgaria donte të shihte edhe qëndrimet e saj”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, Parlamenti bullgar e miratoi rezolutën që miraton heqjen e vetos për fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Propozimi kaloi me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenime. Janë përfshirë kushtet bullgare, përfshirë mosnjohjen e “gjuhës maqedonase”. Me këtë plotësohet kushti i kryeministrit Kiril Petkov, që Parlamenti bullgar të diskutojë zgjidhjen e propozuar dhe më pas të merret vendim në nivel qeveritar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button