Memento për Xhevdet Bajrën, këngëtarin e dhembjes shqiptare

Xhevdet Bajraj është emër i verifikuar në botën e artit poetik, i mirënjohur dhe i shpërblyer për veprat e tij brenda dhe jashtë arealit kulturor shqiptar.

Lindi më 1960 në familjen e fisme Bajraj të Panorcit të Malishevës, kurse u rrit në Rahovec – në qytetin e verës dhe të poezisë. Gjatë luftës në Kosovë u internua në kampin serb të përqëndrimit “Zabela”, por me ndërhyrjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Meksikës u vendos në  kryeqytetin Meksiko Siti, ku krijoi dhe punoi si profesor i letërsisë në njërin prej universiteteve më prestigjioze të Amerikës Latine gjer në ditën e fundit të jetës (22 qershor 2022).

Rruga e afirmimit të Xhevdetit nisi me librin “Nënë prej guri”, me të cilin debutoi më 1988 dhe u ngjit në majen e piramidës së poezisë bashkëkohore shqiptare, shumë larg kallaballëkut të shtrungave poetike dhe shtyllave të brishta të një letërsie që ka humbur busullën e hierarkisë së vlerave.

Me përmbledhjen e dytë “Emblemë e vdekjes” (1993), ai fitoi shpërblimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për veprën më të mirë të vitit, sukses ky që do të përsëritet në vitin 2000 edhe me librin “Liria e tmerrit”.

Të veçanta janë veprat që ia botoi BREZI 9 në Tetovë (“Kur engjëjt qajn딓Blues nën qiellin e indianëve” dhe “Dritë e zezë”), në të cilat Xhevdeti shpalosi dhembjet që, si askush tjetër, ia shkaktojmë vetvetes. Këtë e bëri në stinën kur të tjerët dergjnin mbytjen në andralla dhe nuk e shihnin se, fill pas ikjes së kafshëve që kullotën me shekuj jetën  trojeve shqiptare, trimat e pasluftës nisën t’ía ngrenë fustanin lirisë…

Janë të papërsëritshme portretizimet e imazheve të ethshme të golgotës shqiptare, para dhe pas luftës së Kosovës. Parafrazuar me vargjet e shkëputura nga libri “Kur engjëjt qajnë”, bota motivore e veprave në fjalë duket kështu: Në pranverën pa qengja, pa engjëj, pa lulediej, liria pret ta zbresin nga kali i vdekjes krushqit prej balte, delet mitike që kanë përthekuar diellin, kafshët që kullosin jetën shqiptare… Zogu rri mbi kulmin gri me diellin e përgjakur në sqep, dhembja ndërron këmishën si gjarpër, krymbi i majmur i ngre fustanin lirisë, trimat e pasluftës kalërojnë mbi klithmat e atyre që s’janë më… Gjithçka ka mbetur përjetësisht e ngrirë e Atdheu është bërë fjalë që e vrasim përditë – fjalë që na vret përditë…

Pulsim i ngjashëm i karakterizon gjithë poezitë e poetit të papërsëritshëm, që na kurseu nga parullat retorike të atdhetarizmit me llafe, prapa të cilit fshihen maskarenjtë e Samuel Johnson-it. Ato i kanë rrënjët në tmerret e përjetuara gjatë tërbimit serb dhe në zhgënjimet e ardhura tok me lirinë, të cilën poeti e mendonte ndryshe. Nëpërmjet tekstit poetik të strukturuar me ndjesi filigranisti, ai jep xhehenemin e një realiteti politik, që, në tërsinë e tij, kapet sall nga shtresat e nëntëshme. Me një fjalë: lirikat e Xhevdetit janë imazhe të gjalla, janë piktura apokaliptike të vuajtjes dhe tmerrit, në të cilat vdekja vallëzon nën ritmin e daulleve ballkanase, ku shtrojnë sofrat kanibalët me meny gjymtyrësh të fërguara në lëng eshtrash, sallatë klithmash dhe me  likere gjaku vajzash të dhunuara.

Xhevdeti i thuri me mjeshtri edhe vargjet erotike që në thelbin e tyre kanë optimizmin dhe dritën që shpie përtej tuneleve të errët ballkanikë. Ai i këndoi dashurisë së përjetuar në një makondo ku është rëndomësuar e keqja.

Thënë shkurt: Xhevdet Bajraj ishte poet i lindur, poet që u vin më rrallë edhe letërsive më të mëdha se kjo jona. Ai qe krijues që përfaqësoi më së miri vargun shqip nëper metropole arti, ku njerëzit konsumojnë vlera shpirtërore pa shtytje snobe.

Unë i kam besuar artit të tij që nga takimi i parë me të dhe vazhdoj t’i besoj edhe sot e gjithë ditën. Edhe më fuqishëm se dje, edhe më i sigurt se dikur. Natyrisht, ndihem mirë kur poezinë e tij e vlerësojnë edhe miqtë e mi të penës, si poetesha e vargjeve bilur Linditë Ahmeti, e cila Xhevdetin e quajti: KËNGËTAR TË DHEMBJES SHQIPTARE.

Ky është me pak fjalë lejenjoftimi i poetit të mirënjohur veçmas në kontinentin që i dha njerëzimit shkrimtarë të mëdhenj, si: Borhesi, Neruda, Markesi, Kortasari, Rulfo, Llosa…

E dhëna që Xhedveti u gjet në kësi habitati kulturor e letrar, që iu dha mundësia t’i lexojë në origjinal perlat përpara të cilave përkulet bota, që iu dha rasti të takohet e të shkëmbejë përvoja krijuese me korifenj të gjallë letërsie…, e bëri atë njërin prej poetëve më të njohur ndërkombëtarisht dhe më të kërkuarin prej lexuesish të kultivuar që kanë nevojë të komunikojnë me krijime vjershëtorësh, jo me dokrra vargnuesish.

Shi përë këtë do ta kemi vështirë të mbushim vakumin që krijoi ikja e parakohshme e poetit, intelektualit, mikut dhe njeriut të urtë Xhevdet Bajrës.

Prehu në paqe MJESHTËR i lirikës shqipe!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button