Maqedonia larg BE-së – në Idrizovë 16 të burgosur flenë në tetë shtretër, insekte gjithandej

Situata në “Idrizovë” tash e sa vite është më se shqetësuese dhe nën të gjitha standardet minimale. Gjatë kontrollit është konstatuar se në një hapësirë vendosen edhe nga 16 persona. Në 16 metra katrorë, me 8 shtretër, kishte 16 të dënuar. Në një dhomë tjetër prej 19 metrash katrorë ndodheshin 12 persona. Në pjesën më të madhe të hapësirave kushtet janë të papërshtatshme dhe vendosen më shumë se 9 persona, transmeton Portalb.mk.

Higjiena është e keqe, ka buburreca, insekte, nuk ka mundësi të ruhet higjiena personale. Kjo ndikon edhe në atmosferën e tensionuar dhe për këtë arsye shpesh ka zënka. Për kushtet materiale shqetësuese është edhe gjendja në burgun e Shutkës, dhoma në gjendje jashtëzakonisht të keqe, të cilat tashmë janë bërë me dije se do të mbyllen. Janë plot lagështi, myk me shtretër e dyshekë të papërshtatshëm, çezma të thyera.

Kështu bëri të ditur Avokati i Popullit Naser Ziberi, i cili prezantoi Raportin-Mekanizmi parandalues ​​kombëtar për vitin 2021, i cili tregon gjendjen në stacionet policore, burgjet dhe institucionet psikiatrike.

“Policia e burgjeve nuk mund të parandalojë as edhe rrahjet, ndërsa Avokati i Popullit ka marrë informacione se zyrtarët janë të përfshirë në praktika korruptive dhe se të burgosurit po paguajnë për t’u transferuar në institucione më të mira”, tha Ziberi, duke shtuar se problem i veçanët është sjellja e papërshtatshme dhe degraduese nga personeli ndaj të burgosurve, ndërsa në tre burgje Avokati i Popullit ka marrë informacione se të burgosurit ishin frikësuar nga keqtrajtimi fizik.

“Në burgun e Shkupit shfrytëzohen hapësira që janë të këqija, ndërsa për të cilat Mekanizmi parandalues ​​nacional theksoi edhe vitin e kaluar se duhet të mbyllen dhe të mos përdoren. Të arrestuarit janë vendosur në hapërsira me myk në mure, ku ka inventar të vjetër, higjienë të ulët, me çezma të thyera. Të paraburgosurit ankohen për aksesin në ujë, gjë e cila nuk është zgjidhur. Të burgosurit e ruajnë ujin në shishe plastike”, shtoi Ziberi.

Vetëm në burgun e Tetovës është përmirësuar infrastruktura. Por edhe atje ka një problem e ai është ecuria e procesit edukativo-arsimor, konsideron Avokati i Popullit.

“Një problem i veçantë është sjellja e papërshtatshme e punonjësve. Në këtë pjesë ka ankesa nga disa institucione ndëshkuese-përmirësuese. Shumë të dënuar kanë frikë t’i bëjnë publike vërejtjet e tyre. Siguria dhe mbrojtja e të paraburgosurve është gjithashtu e ulët, nuk ka mjaft roje burgu dhe mungesat e stafit janë i njëjti problem kudo. Mënyrë çnjerëzore e trajtimit të të dënuarve është edhe përdorimi i rripave të lëkurës, prangave”, shtoi Ziberi.

Rreth 58 për qind e fëmijëve në institucionin korrektues kanë diagnozë psikiatrike, problemi është aq i madh saqë fëmijët ekzaminohen nga institucionet jashtë shtëpisë, në prani të policisë së burgjeve, gjë që kufizon ndjenjën e besimit të këtyre të mbrojturve me një psikiatër. Në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit është parë se janë ndërmarrë aktivitete për përmirësimin e infrastrukturës.

“Por fatkeqësisht, për shkak të përdorimit të pakujdesshëm të tyre në burgun e Strumicës dhe në Shtip, hapësirat janë rrënuar. Problem i veçantë është çështja e kushteve në të cilat akomodohen personat, kujdesi shëndetësor, procesi i risocializimit dhe procesi arsimor i të miturve. Mbipopullimi është veçanërisht i theksuar në Idrizovë, Shtip, Prilep, burgun e Shkupit, Manastir, Prilep”, konstatoi Avokati i Popullit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button