Komuna e Tetovës nënshkroi marrëveshjen kolektive për rritje të pagës për punonjësit e komunës (VIDEO)

Nga muaji i ardhshëm të punësuarit në Komunën e Tetovës do të marrin pagë prej 2,800 denarë më shumë. Kështu bëri të ditur sot kryetari i kësaj komune, Bilall Kasami i cili njoftoi se sot u nënshkruan ndryshimet e marrëveshjes kolektive me të cilën paga në mënyrë lineare rritet për 2,800 denarë, shkruan Portalb.mk.

Kjo rritje e pagës vlen për të gjithë të punësuarit në komunë, përveç atyre të cilët tani më kanë pasur rritje në bazë të rritjes së pagës minimale.

“Komuna e Tetovës në interes të interesit të promovimit të të drejtave të punëtorëve, motivimit më të madh të punësuarve për të punuar, veçanërisht tani në kushtet e krizës ekonomike dhe rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve të jetesës, nënshkroi ndryshimet e marrëveshjes kolektive me të cilën paga në mënyrë lineare rritet për 2,800 denarë. Ne plotësojmë nevojat e punëtorëve dhe kërkesat e tyre për një jetë më dinjitoze në këtë kohë krize me të cilën përballemi të gjithë. Me punonjësit e motivuar dhe të vlerësuar ne krijojmë një proces pune i cili rezulton në shërbim efikas më të mirë dhe cilësor për qytetarët e komunës tonë”, tha Kasami.

Ai njoftoi se marrëveshja është nënshkruar dhe nga muaji i ardhshëm do të nis kalkulimi konform kësaj marrëveshjeje kolektive.

“Pagat do të sigurohen nga vjelja e taksave dhe tatimeve të qytetarëve, pasi tani me një administratë më të motivuar, me shërbime më efikase ndaj qytetarëve, qytetarët janë më të gatshëm që të paguajnë obligimet ndaj komunës. Ne këtë e dëshmuam edhe vitin e kaluar ku tre muaj të administrimit me komunën e Tetovës arritëm të vjelim taksa se sa administrata paraprake për 9 muaj”, tha Kasami i cili mes tjerash tha se janë ende duke rikonstruuar administratën komunale.

Ndryshe, siç njoftoi Kasami komuna momentalisht ka rreth 340 të punësuar, ndërsa kjo marrëveshje buxhetit të komunës do i kushtojë një milion e dyqind mijë denarë në bazë mujore me të gjithë kontributet. Kasami theksoi se nuk do të ketë tërheqje të projekteve tani për tani në këtë fazë pasi pjesa e pagave është e paraparë, ndërsa për në fund të vitit nuk e përjashtoi si mundësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button