Mollëkuqja me “Ekspozitë pa emër”: Policia t’i marrë seriozisht ngacmimet në rrjetet sociale (VIDEO-FOTO)

Çarshia e Shkupit sot u mbush me ilustrime kreative të cilat pasqyrojnë ngacmimet në internet me të cilat përballen vajzat çdo ditë. Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” thekson se personat prapa mesazheve ngacmuese në rrjet janë njerëz real edhe pse me raste nuk shfaqen si të tillë, andaj kjo ekspozitë me shkas u titullua “Ekspozitë pa emër” për shkak se shumë shpesh këta ngacmues të kohës moderne  paraqiten me profile fallco apo emra të rrejshëm, shkruan Portalb.mk.

Interneti ka krijuar një hapësirë “të sigurt” për ngacmuesit, të cilët zgjedhin ndonjëherë edhe të ngelin anonim apo të ngacmojnë me profile të rrejshme. Për këtë nga “Mollëkuqja” thonë se  vajzat dhe gratë më së shpeshti janë viktima të ngacmimeve të tilla, por që nuk duhet të heshtin kundrejt tyre, dhe kjo ekspozitë përmes ilustrimeve të artistit “Rehatlliku” ishte një rikujtim për to.

“Ne kemi parë se sa joseriozisht policia në vendin tonë i trajton raportimet e vajzave për ngacmimet në rrjetet sociale. Shumë shpesh atyre ju thuhet se nuk do të njoftohen për emrin e ngacmuesit edhe nëse ai gjendet ose ju jepen informacione të gabuara. Me anë të kësaj ekspozite kemi për qëllim të ironizojmë me situatën reale duke bartur mesazhin nëpërmjet artit deri te ngacmuesit, institucionet shtetërore por edhe vetë vajzat dhe gratë. Vajzat duhet të kuptojnë që fajtori gjithmonë është ngacmuesi dhe jo viktima.”, tha Rita Behadini nga “Mollëkuqja”.

“Mollëkuqja” për një vit rresht përmes aktiviteteve të tyre punon në nxitjen e grave dhe vajzave që të raportojnë ngacmimet në rrjete sociale.

This slideshow requires JavaScript.

Profesoresha universitare e juridikut, Arta Selmani-Bakiu thotë se dera e parë ku vajzat duhet të drejtohen në situata të ngacmimeve seksuale dhe jo vetëm është ë t’i paraqesin para Ministrisë së Punëve të Brendshme ku punonjësit janë të obliguar ta pranojnë rastin dhe të veprojnë në bazë  të procedurave.

“Është e vërtetë se ka mosbesim ku institucionet nuk kryejnë punën e tyre për të cilën ata edhe janë. Duhet të punohet shumë në këtë drejtim që vajzat fillimisht të mos frikohen nga prapavijat e ndryshme dhe kërcënimet e ndryshme, mos të nisen me situatën e mosbesimit në institucione që mos e paraqesin. Jam shumë e indinjuar në këtë kohë të teknologjisë mos të ketë një vepër konkrete penale që do të mbrohen nga ngacmimet seksuale në rrjet”, tha Selmani-Bakiu.

Ekspozita do të shfaqet nesër, më datë 25 qershor në sheshin Iliria në Tetovë në ora 11:00 dhe në sheshin e Gostivarit në ora 15:00.

Mollëkuqja” realizoi një hulumtim me 208 vajza nga Tetova dhe Gostivari, ku si rezultat 65.8% e vajzave të anketuara thanë se kanë marrë mesazhe nga djem ose burra që përmbajnë forma të ndryshme të ngacmimit seksual, gjuhë të urrejtjes, kërcënime dhe ofendime. 32.2% e tyre pranojnë se nuk kanë marrë përmbajtje të tilla në rrjetet sociale. 1.9% preferuan mos ta thonë. Për të parë rezultatet e plota të anketës, klikoni KËTU.

Ekspozita u realizua si pjesë e fushatës “SEEN”, në kuadër të projektit “Young Cities”, implementuar nga Institute for Strategic Dialogue – ISD në bashkëpunim me Democracy Lab dhe Youth and Community Center – Gostivar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button