Premtimi për qytet të pastruar nga mbeturinat nuk shihet në terren: Shkup, deponi e madhe do jesh ti! (FOTO)

Po kalon muaji i tetë që kur qytetin ka filluar ta menaxhojë kryetarja Danela Arsovska, kurse premtimi për zgjidhjen e problemit me deponitë ilegale në Shkup në terren nuk është realizuar. Në prag të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Arsovska premtoi se në 82 ditët e para do të pastrojë të gjitha deponitë ilegale në territorin e kryeqytetit, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Pasi kaloi kjo periudhë prej 82 ditësh, ajo bëri disa hapa mbrapa nga premtimi i  saj në fund të janarit të këtij viti duke thënë se në prag të zgjedhjeve ishte krijuar harta e 120 deponive ilegale në të gjithë qytetin, kurse në 82 ditët e para kishin pastruar mbi 150. Në janar, Arsovska premtoi se disa nga lokacionet janë planifikuar të shndërrohen në zona të gjelbra, ndërsa për vendet tjera premtoi inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme për t’i dhënë fund shprehisë që secili të hedh mbeturina kudo që të arrijë.

Meta.mk në janar përgatiti një reportazh prej disa lokacioneve në Shkup dhe gjashtë muaj më vonë ishim përsëri dhe i kaluam vendet e kryeqytetit që janë pika të njohura ku hidhen mbeturina. Kësaj radhe e vizituam qendrën sportive dhe rekreative “Saraj” dhe liqenin Treska në komunën e Sarajit, parkun e premtuar e të parealizuar në bregun e Vardarit në vendbanimin Karposh 4 dhe lokacionin afër urës hekurudhore afër Trubarevës dhe Gorno Lisiçes.

Në bregun e Vardarit në vendbanimin Karposh 4 vërejtëm se në lokacionin ku do të ndërtohet parku, rampa për pengimin e hyrjes së automjeteve është e hapur dhe automjetet hyjnë pa probleme për të hedhur mbeturina aty. Ka thasë me mbeturina ndërtimore, mbeturina organike dhe mbeturina të tjera që janë të shpërndara në vendin e parkut të pa ndërtuar përgjatë lumit Vardar. Komuna e Karposhit në këtë lokacion ka vendosur një tabelë për informim në të cilën thuhet se ndalohet hedhja e mbeturinave, por shihet se qytetarët e pa ndërgjegjshëm nuk e respektojnë atë njoftim.

Rreth 100 metra më poshtë, vendi ku në janar të këtij viti vërejtëm mbeturina të shpërndara, tani është pastruar dhe i rrethuar me shtylla, me çka Qyteti i Shkupit e ka penguar hedhjen dhe grumbullimin e mbeturinave. Megjithatë, zona përballë bulevardit Ilinden në Karposh 4 është e madhe dhe e pa urbanizuar dhe shkelësit e ligjit vazhdimisht gjejnë mënyra të ndryshme për të transportuar mbeturinat deri në lokacionin ku duhet të ndërtohet parku afër Vardarit.

Zona e pastruar në Karposh 4 e cila është e rrethuar me shtylla për të parandaluar hedhjen e mbeturinave; Foto: Meta.mk

Meta.mk e vazhdoi turin në territorin e Komunës Saraj. Fillimisht ishim në qendrën sportive rekreative “Saraj”, ku nuk ka mbeturina të shpërndara dhe shihet se rregullisht mirëmbahet nga ekipet e ndërmarrjeve publike të Shkupit. Por, kjo nuk vlen për shtratin e lumit Treska që kalon pranë këtij parku, i cili është i mbushur me mbeturina të ndryshme të shpërndara nga ana e fshatit Krushopek. Në ujërat e lumit gjenden mbeturina të ndryshme, ndërsa mbeturina ka edhe në shtratin e lumit nga ana e qendrës sportive dhe rekreative “Saraj”, për të cilat është e qartë se i ka sjellë niveli i lartë i ujit të lumit nga deponi të tjera ilegale përgjatë rrugës.

Sikurse disa nga lokacionet e tjera, më 14 qershor vizituam zonën përreth liqenit Treska në Saraj. Qyteti i Shkupit më 26 janar sivjet publikoi një komunikatë, në të cilën e paralajmëroi pastrimin e një deponie të paligjshme në një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë në këtë zonë. Disa muaj më vonë këtu gjetëm mbeturina të shpërndara, duke filluar prej mbeturinave ndërtimore e deri te mbeturinat komunale, ta ndara në disa lokacione përreth qendrës sportive dhe rekreative. Përveç mbeturinave të llojllojshme, në këtë lokacion ka një tufë qensh endacakë, të cilët e bëjnë vendin të rrezikshëm për lëvizje.

Pamje të ngjashme të shëmtuar nga Shkupi hasëm më 16 qershor në zonën afër lumit Vardar, rreth urës hekurudhore, e cila ndodhet në kufirin ndërmjet komunave Aerodrom dhe Gazi Babë. Më 23 janar të këtij viti, Qyteti i Shkupit publikoi se ishte pastruar deponia ilegale prej 2.000 metra katrorë në Gorno Lisiçe afër urës hekurudhore, me ç’rast vendin e pastruar e ka inspektuar edhe vetë kryetarja Danela Arsovska.

Në rrugën prej dheu nga Gorno Lisiçe, ekipi i Meta.mk ishte pranë urës hekurudhore. Në vend të barrikadave të betonit, shtyllave të vendosura apo video mbikëqyrjes, në terren hasëm furgonë që e përdorin këtë rrugë për të hedhur mbeturinat ilegalisht në atë lokacion. E gjithë rruga nga vendbanimi deri te ura hekurudhore është e mbushur me mbeturina në të dy anët, ku mund të gjeni mbetje të mobileve, mbeturina ndërtimore, thasë me mbeturina komunale, kufoma të kafshëve të ngordhura dhe lloje të tjera mbeturinash të cilat sipas ligjit vendin e fundit, duhet të hidhen në deponinë e Shkupit “Drislla”.

Në shtratin e pastruar të lumit Vardar përballë urës hekurudhore nuk hidhen më mbeturina, por ndërkohë shtrati i parregulluar i lumit deri në Trubarevë dhe Lisiçe të Poshtme është i mbushur me mbeturina, përgjatë të cilave ka rrugë të dheut, që janë të mbushura me mbeturina të ndryshme nga të dyja anët.

Nga vizita në disa nga deponitë ilegale në Shkup, mund të konstatohet se aksionet pompoze për pastrimin e mbeturinave nga Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me komunat, nuk japin fryte. Grumbujt e rinj të mbeturinave shfaqen rreth kantiereve të pastruara vetëm pak muaj pasi të realizohen aksionet, gjatë të cilave mbetjet e hedhura pa leje nga qytetarët e pandërgjegjshëm pastrohen në kurriz të buxheteve komunale.

Meta.mk ka kohë që shkruan për deponitë ilegale në Shkup dhe tashmë disa herë kemi theksuar se vetëm pastrimi nuk e zgjidh këtë problem. Në lokacione kritike, është e nevojshme të instalohet video mbikëqyrje, gjatë së cilës kamerat do të regjistronin furgonët dhe kamionët që hedhin mbeturinat në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu duhet të vendosen barriera dhe shtylla prej betoni, të cilat do të pengojnë lëvizjen e rrugëve të dheut drejt vendeve ku deri më tani janë hedhur mbeturinat. Mungojnë edhe dronët që premtohen tashmë një kohë të gjatë, me të cilët shërbimet inspektuese të qytetit dhe bashkisë do të “gjuajnë” nga ajri ndotësit e mjedisit jetësor.

Në vendbanimet periferike të Shkupit (Lisiçe, Saraj, Shuto Orizarë, Butel e të tjera), NP “Higjiena Komunale” do të duhet të vendosë edhe shumë kontejnerë për deponimin e mbeturinave, por edhe të grumbullojë rregullisht mbeturinat me të njëjtën frekuencë që bën në pjesë të urbanizuara të qytetit në komunat Karposh, Qendër dhe Aerodrom. Përveç kontejnerëve për amvisëritë, mungojnë kontejnerët më të mëdhenj në vendet kritike ku aktualisht po krijohen deponitë ilegale.

Nëse zbatohen të gjitha këto masa, së bashku me aksionet e pastrimit të rregullt të deponive ilegale në Shkup që tashmë janë duke u zbatuar, ndoshta në të ardhmen kryeqyteti do të mund ta tejkalojë përshtypjen e përgjithshme se nuk mund të përballet me sukses me menaxhimin e mbeturinave në territorin e tij.

Ndryshe, Qytetit të Shkupit në dy raste javën e kaluar me e-mail i kemi dërguar pyetje se sa deponi ilegale janë pastruar deri më tani dhe sa para janë ndarë për këtë qëllim, si do të parandalohet që vendet tashmë të pastruara të mos mbushen me mbeturina të reja dhe deri ku është përgatitja e hartës së premtuar me deponitë ilegale të pastruara në Shkup. Meta.mk nuk ka marrë përgjigje nga Qyteti i Shkupit për pyetjet e bëra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button